Sporti

Lewandowski “kërcënon” rivalët: Kalojmë këtë situatë dhe fitoj Champions-in me Bayernin

03/26/2020 12:42
nga:Mergim Rreci

Një Bayern pa Robert Lewandowskin? E vështirë që të mendohet tani. I ardhur nga Dormtundi në Mynih në 2014, polaku ka justifikuar çdo qindarkë që i është paguar si rrogë, duke qenë se bavarezët e siguruan me parametër zero nga Borussia.

Por karriera e lojtarit mund të kishte marrë një rrjedhë krejt ndryshe në verën e vitit 2013. Real Madrid ishte i çmendur pas tij falë 4 golave të shënuar nga polaku kundër tyre ne gjysmëfinalen e Champion-it në sezonin 2012-2013.

Presidenti i spanjolëve, Florentino Perez, kërkonte që “Leva” të ishte pjesë e skuadrës së tij. Kontaktet me agjentët e polakut ishin të vazhdueshme, dhe këtë e pranon edhe sulmuesi i Bayernit për “SportBild”.

Madje, Leva konfirmon për të përditshmen gjermane se Reali përdori edhe dy prej yjeve të skuadrës për ta bindur atë të shkonte në Madrid.

“Po, është e vërtetë, kam komunikuar disa herë me Ronaldon dhe Ramosin. Ata më kanë sugjeruar për të shkuar te Reali. Por më duhet të them që nuk jam bërë pishman që zgjodha Bayernin.

Këtu po luaj në një nga klubet më të mëdha në botë. Jam i lumtur, skuadra është rritur shumë dhe shpresoj që një ditë të fitojmë edhe Champions-in. Është një trofe që e kam ëndërruar që kur isha fëmijë”,deklaroi Lewandownski përcjell GazetaBlic.

Në lidhje me situatën aktuale, Leva u shpreh se ishte duke u stërvitur në shtëpi dhe se shpresonte që kjo gjendje të mbarojë sa më shpejt. “Është një situatë e vështirë për të gjithë.

Më mungon stërvitja në fushë, shëtitja në qytet dhe ndeshjet në ‘Allianz Arena’. Momente të tilla na tregojnë sesa e rëndësishme është jeta e përditshme. Jam duke u stërvitur në kushte të mira edhe pse nuk është njësoj si të jesh në fushën e blertë. Por fillimisht të kalojmë sa më shpejt këtë situatë. Shpresoj që gjithçka të marrë fund sa më shpejt dhe më pas do të vihem në punë që të kërkoj të arrij objektivat me Bajernin”, përfundoi bomberi i Bayernit.