Sporti

Situata e vështirë prej koronavirusit, në Itali mendojnë “djegien” e sezonit

03/26/2020 07:55
nga:Mergim Rreci

Italia vijon të jetë e gjunjëzuar prej koronavirusit, që prek çdo ditë mijëra njerëz dhe u merr jetën qindra të tjerëve, ndërsa momentalisht për futbollin atje mendohet pak ose aspak.

Plani i UEFA-s dhe Federatës Italiane është që të arrijnë të përfundojnë kampionatin Brenda mesit të muajit maj, por duke parë situatën dhe faktin që në luftën për të mposhtur Covid-19 është bërë shumë pak, tani kanë filluar të mendojnë edhe për një plan B.

Kështu siç raportojnë mediat italiane, ndonëse shpresojnë ende që të mbyllin kampionatin, opsioni i fundit është ai i përfundimit të sezonit aktual dhe fillimit të përgatitjeve për sezonin e ri, duke mos akorduar fare titullin kampion të këtij viti.

Ideja është që renditja të mbetet në fuqi për efekt të pjesëmarrjes në UEFA dhe vetëm sezonin e ardhshëm të luhet me 22 skuadra, për të shtuar edhe Beneventon e Crotonen, që janë të parat në Serinë B.

Ky opsion do t’u shkaktonte humbje të shumta klubeve të Serisë A, por mund të shndërrohet në skenar të detyruar, pasi është i vetmi që lë shumë pak, për të mos thënë aspak të kënaqur.

Megjithatë drejtuesit e klubeve, bashkë me ata të Federatës kanë vendosur që të diskutojnë sërish në prill, për të parë si do ketë përparuar lufta ndaj koronavirusit dhe për të marrë një vendim final, që me shumë gjasa do të jetë anulimi i pjesshëm i sezonit 2019-2020.