Opinion

19 vjet liri

06/13/2018 09:29
nga:Burim Ramadani

Tashmë, 19 vjet pas çlirimit të Kosovës, rruga përpara na lidhet me hapat konkret në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare e rajonale, në konsolidimin e plotë të institucioneve dhe mekanizmave që begatojnë demokracinë tonë, në hovin ekonomik që duhet të kemi, në orientimin e përkushtimit dhe kapaciteteve në edukim e shëndetësi. Të gjitha këto vazhdojnë të jenë sfiduese, por nuk paracaktojnë dështimin.  

Dita e Paqes. Tashmë 19 vjet Kosova është e lirë. E sigurt dhe e mbështetur nga partnerët ndërkombëtar.

Shikuar si proces historik, nuk ka asnjë dilemë se Kosova është tregimi më i madh i suksesit. Edhe përbrenda, edhe ndërkombëtarisht.

Tek e fundit, përpjekjet për liri të shqiptarëve të Kosovës ka qenë edhe më të hershme, edhe më të dhimbshme. Por, suksesi historik u arrit në vitin 1999. Atëherë kur djemtë e vajzat e këtij populli, të ndihmuar nga shtetet demokratike, sollën lirinë dhe çlirimin e Kosovës.

Një ëndërr e gjeneratave të tëra. Një realitet që nuk mund të ndryshojë më kurrë.

Liria e Kosovës nuk tjetërsohet. Asnjëherë dhe në asnjë rrethanë.

Pikërisht në këtë ndjenjë triumfi mbi të keqen, të gjithë ne kemi përgjegjësinë për gjeneratat e reja. Për të tashmen gati 20 vjeçare, që kemi mundur ta kemi më të mirë, më saktë dhe më qëndrueshëm.

Sot, dilema e shumëkujt prej nesh është nëse po e sakfrikojmë edhe një gjeneratë për të ndërtuar dhe konsoliduar demokracinë, shtetin e së drejtës, ekonominë, iniciativën e lirë dhe prosperitetin. Sigurisht, asgjë nuk ndodh sa hap e mbyll sytë. Por, asgjë nuk duhet të cenojë prosperitetin e qytetarëve të Kosovës.

Kosova e këtij 12 qershori 2018 është e orientuar mirë, drejt familjes euro-atlantike. E gatshme për të ndihmuar jo vetëm sigurinë rajonale, por edhe më gjerë. Për të ndihmuar popujt anëkënd botës që të jetojnë në paqe dhe siguri. Ka ndërtuar institucionet, kornizën ligjore e kushtetuese dhe po ndërton praktikën qeverisëse e parlamentare. Po ndërton praktikën e një shoqërie dhe shteti demokratik.

E sfiduar shpesh me rrethana rëndese të motiveve të brendshme, tensioneve të papërfunduara me Serbinë, lëvizjet influencuese dashakeqëse globale apo edhe me veton ruse në OKB, Kosova ka shumë për të përmirësuar. Standardi demokratik nuk është një moment i veçantë që arrihet përmes një veprimi apo një politike. Kjo arrihet me mund dhe me përkushtim shoqëror, politik, institucional dhe elitar.

E vërtetë, demokracia është sistemi që më së miri deri më tash ka arritur të përfaqësojë zërin dhe interesin qytetar. Por, po ashtu e vërtetë, roli elitar për përcaktim demokratik është thelbësor. Për këtë, sigurisht, duhet kohë dhe mungesë e çfarëdo lloj dileme të mundshme.

Tashmë, 19 vjet pas çlirimit të Kosovës, rruga përpara na lidhet me hapat konkret në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare e rajonale, në konsolidimin e plotë të institucioneve dhe mekanizmave që begatojnë demokracinë tonë, në hovin ekonomik që duhet të kemi, në orientimin e përkushtimit dhe kapaciteteve në edukim e shëndetësi. Të gjitha këto vazhdojnë të jenë sfiduese, por nuk paracaktojnë dështimin.

Kosova është tregim i suksesit për të gjithë akterët e angazhuar.

Tregim suksesi duhet të bëhet plotësisht për gjeneratat e reja.

 

10/18/2018 16:19

Ramadani: FSK është shtëpi e të gjithëve!