Veton Berisha kryetar i Partisë Liberale Egjiptiane tash e 16 muaj po e pret një vendim të Gjykatës Kushtetuese për një ankesë që ka bërë për zgjedhjet e fundit të shkurtit të 2021, e ku ai po pretendon se i janë ‘vjedhur’ votat nga një subjekt tjetër që sot është pjesë e Kuvendit të Kosovës, raporton Gazeta Blic.
Berisha thotë se subjekti i tij politik ka qenë viktimë e ‘vjedhjes’ dhe orkestrimit të votave në tri komuna të Kosovës nga Iniciative Rome, që aktualisht ka një deputet në Kuvend dhe një zëvendës ministër.
Sipas tij, edhe raporti i Panelit për Aneksa dhe Parashtresa dhe një vendim i gjykatës Supreme kanë vërtetuar pretendimet e tij.
Por, një vendim i më vonshëm nga Gjykata Supreme thotë ai nuk u morë sikurse në disa raste të tjera.
“Gjykata Supreme përmes një vendimi tjetër nuk e ka trajtuar rastin tonë sikurse rastet e tjera. E kam fjalën për rastin e Adriana Hodzic, ku asaj iu morën të gjitha votat në ato komuna ku nuk kishte pasur votues boshnjak…. Njësoi është dashur të ketë një vendim nga Supremja edhe për rastin tonë ku Iniciativa Rome ka marrë më shumë se 1800 vota në Gracanicë, Kamicë dhe Mitrovicën e Veriut e ku në këto komuna nuk ka votues egjiptas”, rrëfen ai.
Këtë vendim të Supremes ai e ka nisur në Gjykatën Kushtetuese, e ku që 16 muaj po pret një vendim.
“ Disa herë kam kërkuar nga gjykata Kushtetuese të di se çfarë po ndodh, por më kanë thënë se janë brenda afatave për ta shqyrtuar ankesën time”, thotë ai.
Sipas tij, çfarëdo vendimi që nxjerr Kushtetuesja ai do ta respektojë , pavarësisht se thotë se komuniteti që përfaqëson u dëmtua rëndë nga zgjedhjet e fundit nacionale.
“Unë duke besuar fuqishëm në Gjykatën Kushtetuese, ajo do të sqarojë gjithçka se ka pasur orkestrim të votave në këto tri komuna”, vlerëosn ai.
Sipas tij institucionet e vendit është dashur të merren me Iniciativën Rome duke i pamundësuar edhe regjistrimin si subjekt politik, por që Berisha thotë se ajo u shpërblye edhe me një pozitë.
“ Ky subjekt politik është shpërblyer edhe me një zëvendës ministër në Qeverinë Kurti”, deklaroi Berisha.


