BLIC.TV

Rexhep Selimi: Gjykata Speciale nuk zhbëhet tani, e keqja ka ndodhur në 2015

10/02/2020 20:38
nga:Y I

Ish-Gjenerali, Rexhep Selimi, në një rrëfim për dokumentarin “Expose” prodhim i “Gazeta Blic”, ka folur rreth votimit të Gjykatës Speciale me 3 gusht 2015.

Selimi ka thënë se tashmë fatet e individëve nuk janë të rëndësishme.

“E keqja ka ndodhur me 3 gusht 2015. Çka ndodhë tash me individët është e parëndësishme. Fatet personale janë shumë të parëndësishme, jo pse ne nuk e dëshirojmë rehatinë dhe harmoninë në familje. Por emri qoftë i imi ose i dikujt është shumë i parëndësishëm me faktet se cka i ka ndodhur UÇK-së me 3 gusht. UÇK është futur aty ku nuk e ka vendin. Ku është futur UCK problem të nxjerret më”.

Tutje Selimi ka folur edhe për arrestimet e fundit të Gjykatës Speciale.

“Siç ka qenë lajm i keq formimi i gjykatës speciale për UÇK-në, është lajm i keq edhe këto dhe zhvillimet e ardhshme për Gjykatën Speciale.Askush këtu nuk mund të jetë më i mbrojtur apo më i pambrojtur. Fatet personale dhe ato të përgjithshme nuk duhet të përzihen”

Selimi ka theksuar se tashmë Gjykata Speciale nuk mund të zhbëhet pasi një gjë e tillë bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese.

“Gjykata Speciale nuk zhbëhet duke ndryshuar ligjin për shkak se duhet të ndryshohet jo vetëm ligji, por edhe Kushtetuta. E kushtetuta dihet si mund të ndryshohet, me shumicën e votave të Listës Serbe.Kuptohet se a duan deputetët e Listës serbe që ta zhbënin gjykatën speciale. A thua që Vuciqi do iu thotë zhbëne këtë gjykatë. A iu thotë Drecun që ta bëjnë zhbërjen e saj. Eshtë dashur që këtë ta dinë ata që e votuan. Ne e kemi shterrur zërin në atë kohë.Kështu tash ne nuk bëhemi pjesë e aventurave të tilla. Tash duhet të jemi shumë më përgjegjshëm. Një fakt që tashmë është krijuar, nuk mund ta zhbëjnë jo vetëm ata që e kanë krijuar, por edhe ne që e kemi kundërshtuar nuk mund ta zhbëjmë”.

Selimi theksoi se krerët e OVL-UÇK-së me dashje u bënë pjesë e një skenari të tillë që nuk e kanë shkruajtur vetë.

“Ajo ditë nuk është një moment i vetëm që ndodhi ato ditë. Ne e pamë që është një dicka koxha e përgatitur të ndodhte si e tillë. Krerët e OVL-së me dashje u bënë pjesë të një skenari që nuk e kanë shkruajtur vetë. Ata u bënë palë e mesit, në mes dy palëve tjera. Ata u bënë palë në mes palës që i dërgonte dosjet dhe palës tjetër që i merrte ato dosje. Mes një pale që hidhte rrufe dhe mes palës tjetër që hidhte pranga” tha Selimi për “Expose” raporton “Gazeta Blic”.