Sporti

1200 Plisa e 100 Intelektualë në Pejë!

05/17/2018 16:11
nga:Lorik J

Ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Dritës është tema më aktuale në Kosovë për momentin.

Prishtina dhe Drita do të takohen të dielën në stadiumin e Besës (Shahin Haxhiislami) me fillim nga ora 16:00, për të zbuluar kampionin e Vala Superligës dhe ekipin që do të na përfaqësojë në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve, shkruan GazetaBlic

Kjo ndeshje ka ngjallur interesim të jashtëzakonshëm nga futbolldashësit – pasi asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që ndeshja e fundit të përcaktojë fituesin e kampionatit në futbollin kosovar.

Skuadra e Prishtinës së bashku me tifozët ‘Plisat’ dhe me kryetarin e Komunës, Shpend Ahmeti ditë më parë kërkuan që kjo ndeshje të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Prishtinë – por MRKS dhe FFK nuk ia aprovuan kërkesën me arsyetimin se kjo stadiumi nuk i ka përfunduar punimet dhe nuk i plotëson kushtet për këtë sfidë.

Çështja e stadiumit tashmë është mbyllur, mirëpo jo edhe çështja e tifozëve.

Stadiumi ‘Shahin Haxhiislami’ ku edhe do të luhet ndeshja nuk dihet se sa tifozë i zë – mirëpo supozohet se ka një kapacitet prej 2,000 tifozëve.

Kapaciteti i stadiumit është pengesa kyçe për këtë duel, pasi si në Prishtinë (Plisat) ashtu edhe në Gjilan (Intelektualët) tifozët janë mobilizuar jashtëzakonisht shumë dhe kërkesa për bileta është shumë herë më e madhe se 2,000.

Në stadium ende nuk dihet saktësisht se sa tifozë mund të hyjnë, mirëpo një gjë është e sigurt, se ‘Intelektualët’ do të jenë pakicë, ndërsa ‘Plisat’ shumicë, e gjithë kjo për shkak të rregullores që mysafirët të marrin 5% të biletave, ndërsa pjesa tjetër t’u takojë vendasve që në këtë rast janë Plisat e Prishtinës.

GazetaBlic ka kontaktuar me drejtorin sportiv të Dritës, z.Fisnik Kërçelin, i cili ka thënë se me shumë mundësi vetëm 100 tifozë të Dritës do të futen në stadiumin ‘Shahin Haxhiislami’ në Pejë.

“Sipas të gjitha gjasave lajmi për (100 tifozë të Dritës) është i vërtetë, pasi personi për siguri ka pasur takim me Policinë në Pejë dhe kjo është konfirmuar. Në stadium do të jenë prezent vetëm 1300 persona. 1200 do të jenë tifozë të Prishtinës (Plisa) dhe 100 tifozë të Dritës”, tha fillimisht z.Fisnik Kërçeli për ‘GazetaBlic’.

“Duke e marrë parasysh rëndësinë e ndeshjes – ky stadium nuk ka qenë ideal për këtë lojë, por tashmë nuk kemi se çfarë të bëjmë, kjo nuk varet nga ne. Kërkesa jonë do të ishte për një përqindje më të madhe, por kjo ka shkuar në bazë të rregullores dhe normalisht se ne nuk mund të ndikojmë në këtë çështje – pasi kjo rregullore është jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë Evropën. Duke i marrë parasysh edhe kushtet që i kemi, ndoshta kanë shkuar në minimun sesa në maksimum të përqindjes”, përfundoi Kërçeli.

Vlen të theksohet edhe njëherë se ndeshja mes Prishtinës dhe Dritës do të zhvillohet të dielën me fillim nga ora 16:00.

/GazetaBlic/

10/20/2018 16:29

Shënohen dy gola të shpejtë në kryeqytet