Mediat në Kosovë kanë raportuar se një grup prej 150 alpinistësh serbë janë bllokuar në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, por Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka treguar për Albanina Post se urdhër-ndalimi nuk ka të bëjë me nacionalitetin e alpinistëve, por është ndalim për të gjithë që duan të bëjnë alpinizëm në atë pjesë.
“Janë anuluar të gjitha kërkesat, e të gjitha shoqatave alpiniste, jo vetëm nga Serbia, por edhe nga Kosova”, tha Veseli.
Ai thotë se “ky vendim është marrë kështu nga policia”.
Ndërkohë mediat serbe raportojnë se alpinistët nga Serbia dhe veriu i Mitrovicës kanë arritur mëngjesin e sotëm në Kosovë, por janë ndaluar në Shtërpcë nga Policia e Kosovës.
Kryetari i Shoqatës së Alpinizmit në Serbi, Rade Knezevic për RadioKim ka thënë se ata mbrëmë e kanë kuptuar për këtë ndalesë.
“Kjo është një ngjitje tradicionale, por mbrëmë rreth orës 1 të natës komandanti i stacionit policor Dragan Ivanovic, na tha se ka marrë urdhër që ne nuk duhet të lëvizim nga objekti I hotelit. Nuk kemi kurrfarë shpjegimi tjetër. Asnjëherë nuk kemi pas probleme, ne më parë kemi takuar alpinistë shqiptarë nga Ferzaji” ka thënë ai.
Siç raporton RadioKim mëngjesin e sotëm dy autobusë me serbë nga rajone të ndryshme të Kosovës janë ndaluar në Shtërpcë dhe nuk u është lejuar të shkojnë deri tek qendra e skijimit.