Sporti

Ndeshja Maqedoni Veriore – Kosovë mund të luhet pa shikues

03/05/2020 22:06
nga:M K

Në Federatën e Futbollit të Maqedonisë Veriore nuk e kanë përjashtuar mundësinë që ndeshja me Kosovën të luhet pa praninë e shikuesve.

Ndeshja Maqedoni Veriore – Kosovë luhet më 26 mars në Shkup, ndërsa është gjysmëfinale e plejofit për kualifikim në “Euro 2020”.

Në Maqedoninë Veriore janë marrë masa për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Aktualisht në fuqi është vendimi që ndeshjet e futbollit të luhen pa shikues, deri më 6 mars. Por kjo masë mund të vazhdohet deri më 13 mars, kanë raportuar të enjten media në Shkup.

Aktualisht ndeshja me Kosovën nuk është e rrezikuar, por në Federatën e Futbollit të Maqedonisë Veriore nuk e kanë përjashtuar mundësinë që ajo të luhet pa shikues. Një zëdhënës i Federatës ka thënë për sajtin “ekipa.mk” që situata po monitorohet në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë. Federata do të respektojë të gjitha vendimet e Qeverisë lidhur me masat për koronavirusin.

“Kemi pasur konsultime në Amsterdam gjatë Kongresit të UEFA-s për këtë çështje. Mund të them se si federatë duhet të respektojmë rekomandimet e Qeverisë dhe me siguri ndeshjet kampionale deri më 13 mars do të luhen pa shikues. Deri më tani ndeshja në mes të Maqedonisë dhe Kosovës nuk është në rrezik. Por mundësia që të luhet pa shikues, nuk përjashtohet. Çdo gjë varet nga vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë. Nëse ka një vendim të tillë, ne do të njoftojmë UEFA-n. UEFA po e monitoron situatën në të gjitha vendet”, ka thënë zëdhënësi i Federatës së Maqedonisë, Zlatko Andonovski për “ekipa.mk”.

06/21/2020 15:16

​Mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë bie ndesh me Kushtetutën e vendit