Drejtori i Arsimit, Remzi Bejselmani deklaroi se merr përgjegjësi që nxënësit e shkollës “Skënder Luarasi” dinë shkrim e lexim .
Është testi që iu nënshtruan qindra nxënës të klasës së 10 në shkollën “Skënder Luarasi” në Suharekë.
Pyetjet e parashtruara në lëndën e Gjuhës Shqipe dhe atë të Matematikës janë bazike.
Mirëpo rezultati s’ishte fare i kënaqshëm, madje po konsiderohet i dobët nga Këshilli i Shkollës.
Nga 30 pikë, shumica e nxënësve kishin arritur rezultate minimale.
Prandaj një situatë e tillë ka shqetësuar drejtorin e shkollës, Hamdi Bytyqi i cili deklaroi se nga këta 250 nxënës në shkollën që ai drejton 100 prej tyre nuk dinë shkrim e lexim.
Mirëpo një ditë pas udhëheqësi i kësaj shkolle ka thënë se deklarata e tij është keqkuptuar, duke theksuar se kanë probleme te vazhdueshme me nxënësit që vinë nga shkollat fillore.
Bytyqi ka treguar se si kanë ardhur deri tek ky vetëvlerësim.
Mirëpo drejtori i Arsimit në këtë komunë, Remzi Bejselmani nuk po e sheh kaq problematike situatën.
Ai tutje ka treguar se nxënësit e kanë nënvlerësuar një test të tillë.
Shkolla “Skënder Luarasi” ka formuar edhe ekipe punuese për t’i mbështetur nxënësit që kanë nevojë për orë shtesë.