Astrit Gashi
Opinion

100 ditë zhgënjim, me Ramush Haradinajn!

12/30/2017 11:53
nga:Astrit Gashi

Në 100 ditshin e parë të qeverisjes, Ramush Haradinaj harroi atë që gjatë kohës sa ishte në opozitë e përmendte në vazhdimësi: kthimin e shpresës duke e bërë pikërisht të kundërtën.

Humbi diku fjala e dhënë për të kthyer shpresën në vend, prandaj edhe erdhi zhgënjimi i radhës dhe ky është mëkati më i madh i 100 ditshit të Ramush Haradinajt.

Tash po aq sa katër vite më parë, në mos më shumë, shoh qytetarë të pashpresë e pa motiv. Shoh e dëgjoj të rinj, që u është shtuar ‘gërrdia’ me vendin e tyre, e që një oreë e më parë do të iknin nga këtu.

Sepse, humbja e shpresës nuk prodhohet vetëm kur nuk ke aktivitet sikur i ndodhte Ises, e me driblime politike për të qëndruar në pushtet përgjithmonë, si në epokën e Thaçit, por para së gjithash nga mungesa e kujdesit, mos kokëçarja e injorimi i dhimbjeve të publikut.

Haradinaj gati se me çdo deklaratë e veprim të ditëve të fundit, e ka ushqyer këtë ndjenjë të poshtër.

Këtë e bëri edhe kur pa u lodhur të jap shpjegime racionale, rriti pagat e qeveritarëve. Me çfarë arsyetimi dhe çfarë të drejte mund ta kesh edhe Qeverinë më të madhe ndonjëhere edhe të rritësh pagat e zyrtarëve, ndërkohë që qytetari nuk e sheh askund dorën direkte të shtetit e të mirëqeverisjes.

Si mund të mos shuhet, e humbet shpresa kur dhëndrri i Kryeministrit merrë pozitë të re, kur djali i zv. Kryeministrit bëhet shef kabineti e ku bijë, bija e farefis shefash zënë një nga një pozitat e tyre. Të gjithë këta mund të jenë edhe të kualifikuar edhe adekuatit për pozita, por pikëpyetja nuk është kjo por ajo e vjetra: Çka ka ndryshu për të mirë që dhe unë të shpresoj për më të mirë. Përgjigja në këtë është asgjë- fare.

Pastaj, cili është mesazhi i fotografisë në avion me familje për në Zvicër, kur krejt Kosova ka ngelur e izoluar dhe nuk mund të lëvizë askund përtej katundëve të rajonit.

Për 100 ditë, Ramush Haradinaj nuk arriti që ta përmbyllë as demarkacionin e as ta fitoj liberalizimin e vizave, premtime këto që i kishte dhënë në vazhdimësi.

Haradinaj me gjasë këtë dhe shumë tjera nuk ka as vesh për t’i dëgjuar. Nuk ka as edhe dëshirë të kuptoj se qeverisjen e tij këto 100 ditë dhe as atë pas, nuk do ta definoj kurrë vetëm aktiviteti. Kurrë dhe asnjëherë nuk do të ketë asnjë efekt të zgjohesh në 6 të mëngjesit, të hash në veturë të flesh dikur krejt vonë. Nuk do të përcaktohet qeverisja e tij, vetëm nga ajo se sa herë shkon në Obiliq e sa here kthehesh nga atje për të realizuar takimin e radhës. Këto asnjëra nuk janë gabim, por janë pak gjë në krahasim me moskokëçarjen, dhe pandjeshmërinë ndaj qytetarit- sikur po shfaqet Kryeministri në këto 100 ditët e para.

Po, Kosovës i duhet një kryeminister i cili nuk lejon zyrtarët e shtetit e drejtorët e ndërmarrjeve publike, të fshehin mospunën e tyre nëpër vrima të ligjit.

I duhet një Kryeminsitër që i detyron në punë dembelët tanë- por asnjëherë nuk do t’i duhet një Kryeministër që me një telefonatë falë borxhe e as që per t’u bërë mburojë e tjetrit në publik i favorizion ligjet e mesjetës.

Vendit me shpresat e thyera, i shkon një Kryeministër që është i gatshëm të marrë vendime jo popullore, e nga të cilat sot ose më vonë fiton vet populli, pa u lodhur shumë se si do dalë me vota në zgjedhjet e radhës. Pagat e punësimet nuk hyjnë në këtë llogari.

Ramushi ka pasur shansin, dhe atë është duke e varrosur ditë pas dite, që të jetë kryeministri që do të del nga zyrja i pavlerësuar drejtë nga opinioni, por që disa gjenerata më vonë do kujtohej për të mirë dhe do të përmendej gjatë.

Në këtë tremujorin e parë ai nuk do të mbahet mend për asnjërën nga këto. Do të mbahet mend për dobësitë e tij, e jo per adutet. Do të mbahet në mend për punësime e paga, e jo për Kosovën e Re dhe as për përmbylljen e Shipitullës!

Këto 100 Ditët që kaluan, Ramushi me një shpejtesi marramendëse zhduki, adutin më të fortë të tij- ndoshta të vetmin dallues- fjalën e dhënë e ndjeshmërinë!

Prandaj, nëse në 100 ditët e ardhshme Kosova nuk do ta përjetoj një Ramush tjetër, atëherë edhe ajo e edhe Ramushi duhet të çlirohen nga ky i sotmi!

07/16/2018 22:46

​Hoti paralajmëron strategjinë e LDK-së për rrëzimin e qeverisë