Lajme

​Dialogu në udhëkryq, kërkohet përfshirje më e madhe e Kuvendit

12/11/2021 14:13
nga:M K

Dialogu Kosovë-Serbi ka hyrë në udhëkryq. Një takim i nivelit të lartë brenda këtij viti po shihet i pamundur. Dallimet e mëdha mes palëve për arritjen rezultateve konkrete e kanë zmbrapsur edhe vet BE-në nga insistimi për progres, sidomos edhe pas përplasjeve për themelimin e Asociacionit.

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare vitin e ardhshëm në Serbi pritet ta shtyjnë dialogun edhe për një periudhë më afatgjate. Kësisoj nga opozita dhe njohësit e procesit të dialogut kërkohet përfshirja më e madhe të Kuvendit në këtë proces dhe arritja e një konsensusi ndërmjet partive parlamentare për dialogun.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, thotë se Qeveria Kurti nuk është aspak transparente rreth procesit të dialogut.

Ajo thotë se Kuvendi duhet të jetë më i përfshirë në këtë proces, përmes raportimeve para dhe pas çdo takimi në Bruksel.

“Ne si deputetë asnjëherë nuk jemi njoftuar përmes Kuvendit në lidhje me agjendën e takimeve (të dialogut) ata e kemi marrë vetëm përmes mediave. Me sa di, kryeministri Kurti në fund të muajit do të ketë takim me presidentin Vuçiq. Besoj se para dhe pas takimit do të raportojë në Kuvend…Që nga fillimi ne si opozitë e kemi kërkuar (raportimin), por deri tash nuk ka vendosur të raportojë”, thotë deputetja opozitare.

Koordinim më të madh ndërinstitucional për temën e dialogut kërkon Emir Abrashi nga Demokracia Plus. Ai thotë për kp se dialogu ka hyrë në një fazë bllokuese dhe nuk sheh lëvizje konkrete deri pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi.

“Për çfarëdo zhvillimi të ri në dialog duhet të presim në përfundimin e ciklit zgjedhor në Serbi. Pasi në periudhën në të cilën ndodhemi, pala serbe do të jetë jokonstruktive, jo që ka qenë ndonjë herë konstruktive, por marrë parasysh se janë në fushatë parazgjedhore dhe në rajonin tonë ballkanik ngrihen tonet nacionaliste dhe populliste, nuk pres zhvillime konkrete në dialog[…]Deri tani nuk është bërë një koordinim i mirëfilltë mes Qeverisë dhe opozitës. Nuk kemi pas një përfshirje të shoqërisë civile në procesin e dialogut dhe pa një strategji kombëtare në procesin e dialogut edhe qëndrimi i Kosovës do të jetë mangët në tryezën e diskutimit… deri më tani kryeministër Kurti i ka bërë krye më veti këto takime, nuk ka raportuar në Kuvend për zhvillimet në Bruksel”, thotë ai.

Në bazë të zhvillimeve të fundit në Bruksel, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi nuk pret takim fare gjatë këtij muaji për dialogun, ani pse ishte paralajmëruar një i tillë.

“Dialogu ka kohë që është në një udhëkryq. Jam i bindur që edhe takimi i fundit i kryeministrit me zotëri Borrell në Bruksel, në kuadër të Samtit për Stabilziim-Asocimit ka dëshmuar se palët nuk janë as afër. Pasi, nuk ka klimë të përafrimit të qëndrimit për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese që do t’i normalizonte raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Në qoftë se kemi parasysh zhvillimet e fundit nuk mund të pritet një takim i shpejtë i nivelit të lartë. Aq më tepër nëse i referohemi qëndrimeve të vazhdueshme të presidentit të Serbisë, lidhur me dialogun, pasi ka ndjekur një qasje destruktive dhe kushtetuese. Në anën tjetër, ata veçse hynë në procesin e zgjedhjeve në Serbi së shpejti. Unë besoj që dialogu do të vazhdojë të ngelet në këtë nivel”, thotë ai.

Takimi i fundit i nivelit të lartë në kuadër të dialogut ka qenë në muajin korrik në Bruksel. Prej atëherë edhe dy herë janë takuar delegacionet e dy palëve në nivel teknik, por pa arritjen e rezultateve konkrete. /kp/