Ish-kryeministri Sali Berisha, nga ‘Foltorja’ në Burrel tha se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të merr më 11 dhjetor përgjigjen më të hidhur që mund të ketë marrë ndokush në 30 vjetët e fundit.
Berisha tha se pengu i Ramës, Lulzim Basha, do të arkivohet në arkivat e turpit të historisë së këtij vendi.
“Mbështetja juaj do të rithemelojë më 11 dhjetor PD dhe pluralizmin politik. 11 dhjetori vjen në Shqipëri si data e kurorëzimit të mrekullisë së dytë më të madhe shqiptare nga 1990. Ata që menduan se erdhi fundi i pluralizmit , ata që menduan se narko-shteti do jetë e sotmja dhe e ardhmja, ata që menduan shkatërrimin e sakrificave të shqiptarëve gabuan rëndë. Rama merr më 11 dhjetor përgjigjen më të hidhur që mund të ketë marrë dikush në këto 30 vjet”, tha Berisha.
Ai u ka bërë thirrje nënkryetarëve, sekretarit të Përgjithshëm dhe anëtarëve të Kryesisë të japin dorëheqjen duke u bashkuar me Kuvendin e 11 dhjetorit.
“Basha emëroi një kryesi e cila vendosë të thërrasë antikuvendin e pluralizmit politik. I bëj thirrje çdo anëtari kryesie, korrigjoni menjëherë qëndrimin tuaj, nuk jeni të zgjedhur konform statutit, jeni të zgjedhur nga Basha. Bashkohuni me ne, vota na bashkon ne. Jepni dorëheqjen menjëherë mos rrini si skllevër të peng Bashës”, tha Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka thirrur mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 18 dhjetor. Ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, kanë paraqitur ndërkohë kërkesën, mbështetur në firmat e 4200 anëtarëve të Kuvendit, për ta thirrur atë një javë më parë – 11 dhjetor.
Basha ka thënë se nuk do të ketë Kuvend Kombëtar më 11 dhjetor, pasi sipas tij, Berisha nuk mund të shndërrojë ditën e demokratëve në ditën e bunkerizimit dhe izolimit të PD-së.
Projektvendimi që shoqëron propozimin e Basha parashikon gjithashtu se “çdo veprim apo akt tjetër që bie ndesh me këtë vendim të Kryesisë së Partisë, do të përbënte dëmtim të interesave elektorale dhe politike të Partisë Demokratike”, duke paralajmëruar kështu masa disiplinore, ndaj kujtdo që do t’i kundërvihej.
Në rendin e ditës së Kuvendit të propozuar nga Basha, parashikohet “vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD, dhe agjendën e saj politike”.
Ndërkohë, Berisha dhe mbështetësit e tij kanë kërkuar që Kuvendi të mblidhet për të miratuar ndryshime në statut, me synim shkarkimin e Bashës.
Ish-kryeministri ka bërë të qartë se kërkon të rimarrë drejtimin e Partisë Demokratike, pasi dy muaj më parë Basha vendosi përjashtimin e tij nga grupi parlamentar, në vijim të shpalljes “non grata” nga Departamenti i Shtetit.


