Lajme

​Alabbar flet në CCN për investimin 2 miliardësh në Portin e Durrësit, Rama e shpërndan lajmin

05/01/2021 11:47
nga:M K

Për investimin 2 miliardë dollarë të Portit të Durrësit nga Mohamed Alabbar themelues dhe pronar i kompanisë EMAAR, është folur në median prestigjioze CNN.

Mohamed Alabbar në intervistën për CNN teksa e quan Shqipërinë “Europa e re” thotë se të gjithë indikatorët që të investojë janë pozitivë. Ai thotë se ka parë në Shqipëri qeverinë e cila punon ditë e natë që të jetë pjesë e BE.

“Europa e re më tërheq shumë mua. Kur shikoj Shqipërinë dhe shoh çfarë po ndodh me qeverinë dhe sa e vështirë është që të lëvizë përpara, doja që të isha atje. Sepse të gjithë indikatorët janë pozitivë. Të gjithë këto qytete kanë një rritje ekonomike fantastike, qeveria punon ditë e natë që të jetë pjesë e Evropës së vërtetë”, shprehet ai.

Në lidhje me investimin madhor në Portin e Durrësit ai tha se do të përfshihen hotele, dyqane, port turistik dhe shumë aktivitete të tjera.

“Besoj se këto investime madhore mund të jenë të suksesshme kudo në botë, nëse i bën me dëshirë me partnerët e duhur. Mendoj që këtë e kam realizuar në shumë vende, por i fundit ishte në Serbi, ku morëm përsipër stacionin e trenit, dhe bëra të njëjtën gjë dhe funksionoi jashtëzakonisht shumë mirë. Vërtet besoj që kjo gjë funksionon kudo në botë, nëse e bën mirë, me partnerët e duhur, për të ndërtuar portin më të madh në detin Adriatik në Durrës me mbi 12 mijë apartamente, hotele, restorante e dyqane, mendoj se për mua është si të kem një ëndërr që shkoj dhe e kthej në realitet”, u shpreh Alabbar për CNN.

I pyetur lidhur me reputacioni negativ që ka Shqipëria për trafik droge, korrupsion, ai tha se këto i përkasin të shkuarës dhe se Shqipëria ka bërë hapa para për forcimin e demokracisë dhe përthithjen e investimeve të huaja. Këtu, shtoi se ai nuk do që thjesht të ndihmojë në rindërtimin por edhe ta fusë vendin tonë në hartën e përthithjes së investimeve të tjera të huaja.

“Fatkeqësisht Shqipëria ka një të shkuar për shkak të qeverive në të shkuarën. Ata duhet të rriten jashtë kësaj. Të gjithë indikatorët janë shumë pozitivë për mua prandaj jam duke bërë këtë projekt dhe jam shumë krenar që jam i pari”, tha ai.

Këtë intervistë e ka shpërndarë në rrjete sociale Kryeministri Rama, i cili bashkangjitur videos shkruan: Durrësi, Dubai i Vogël i Mesdheut, në CNN.

LEXO EDHE:

Rrugë e gjatë deri te një vend pune