Sporti

​UEFA nuk i jep klubit shqiptar shpërblimin prej 215 mijë eurosh

04/17/2018 11:10
nga:Y.K

Pesë anëtarët e Dhomës Rregullatore të Konflikteve të UEFA-s, kanë vendosur t’i mohojnë skuadrës së Tiranës çekun financiar 215 mijë eurosh, të cilin bardheblutë duhej ta përfitonin sipas programit nga pjesëmarrja në Europa League.

Në njoftimin zyrtar të UEFA-s thuhet se, komisionerët kërkuan dokumente shtesë nga FSHF-ja për mënyrën sesi është licencuar Tirana, në mënyrë që të merrte pjesë në garat kontinentale.

Ndërkohë, në hetimet e zhvilluara nga organet e UEFA-s mësohet se, skuadra kryeqytetase nuk kishte përmbushur kriteret e licencimit, e se kishte pagesa të prapambetura në sigurime sociale dhe në institucionet tatimore deri në mars të vitit 2017. Bazuar në gjetjet e hetuesve, Bordi Kontrollues Financiar i Klubeve (Club Financial Control Body) vendosi të mos i japë akses Tiranës në fondin prej 215 mijë eurosh për pjesëmarrjen në Europa League, vitin e kaluar.

Tirana do të paguajë gjithashtu 3 mijë euro për shpenzimet proceduriale. Ky vendim mund të apelohet në CAS brenda 10 ditëve nga marrja në dorëzim e raportit. Por, mbetet mister fakti nëse Tirana e ka marrë në kohë, raportin që daton më 6 mars në zyrat e Nionit, e nëse e ka marrë, a e ka apeluar vendimin brenda 10 ditëve të limitit kohor. Lajmi i keq vjen vetëm dy ditë pasi Tirana siguroi edhe matematikisht ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar, pasi mposhti Pogradecin në një ndeshje të vlefshme për Kategorinë e Parë, të shtunën.

09/13/2018 12:40

Kryetari i UEFA-së flet për zhvillimin e finales së Ligës së Kampionëve në New York