Lajme

​Tensionohen marrëdhëniet Mali i Zi-Serbi: Ambasadori serb urgjent në bisedime

06/20/2019 18:10
nga:A. R.

Ambasadori i Serbisë në Podgoricë Zoran Bingulac u ftua sot në një takim urgjent në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, pas deklaratave negative të zyrtarëve serbë lidhur me çështjet e brendshme të Malit të Zi.

Ministria e Jashtme e Malit të Zi vlerësoi se këto deklarata “kulmuan me një deklaratë të bërë nga Nenad Popoviq, një anëtar i Qeverisë së Republikës së Serbisë, ministër i Inovacionit dhe Zhvillimit Teknologjik.

Gjithashtu thuhet se sekretari shtetëror i Malit të Zi Zoran Jankoviq shprehu shpresën se Beogradi zyrtar do të distancohet nga deklaratat e tilla.

“Kualifikimet e rënda në llogari të presidentit Millo Gjukanoviq janë të papranueshme dhe nuk janë në përputhje të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe nuk kontribuojnë në bashkëpunimin e përgjithshëm të të dy vendeve,” tha Jankoviq.

Ndryshe, ministri Popoviq tha dje për TV Pink se miratimi i shpallur i ligjit për lirinë fetare në Malin e Zi, i cili parasheh konfiskimin e pronës së Kishës Ortodokse Serbe, është një akt armiqësor mbi popullin serb dhe shtetin e Serbisë.

“Mali i Zi është një shtet i vjetër serb, i krijuar nga Nemanjiqët dhe Shën Sava,” tha Popoviq duke shtuar se ‘presidenti Milo Gjukanoviq dhe regjimi i tij kriminal po ia marrin Serbisë atë që është më e ndritshme – historia, emri dhe mbiemri i saj”.