Lajme

​Rimëkëmbja ekonomike, çfarë masa morën Maqedonia e Veriut, Shqipëria e Kosova

10/25/2020 11:10
nga:Besa Toverlani

Pas shëndetësisë, bizneset janë ato që janë dëmtuar më së shumti nga pandemia COVID-19. Një numër i madh i bizneseve kanë falimentuar, e dhjetëra mijëra punëtorë kanë humbur vendet e tyre të punës për shkak të vështirësive që ka shkaktuar koronavirusi te bizneset.

Të gjitha shtetet kanë ndërmarrë veprime konkrete me pako ekonomike për të ndihmuar bizneset që të shpëtojnë nga falimentimi e të ruajnë numrin e të punësuarve.

Në Maqedoninë e Veriut janë miratuar gjithsej 4 pako për rimëkëmbje të ekonomisë nga pandemia COVID-19, që përfshijë masa të shumta që për qëllim kanë ndihmën e sektorit privat e qytetarët e këtij shteti. Po kështu duarkryq nuk kanë qëndruar as autoritet e Shqipërisë për ta shpëtuar ekonominë e saj, e cila deri më tash ka miratuar dy pako ekonomike. E nga ana tjetër, Kosova ka mbetur vetëm më pakon emergjente, derisa pako e dytë ekonomike ende nuk është votuar në leximin e dytë.

Pakoja e katër e Maqedonisë së Veriut kap vlerën e 470 milionë euro, e cila ka 31 masa. Ndër masat kryesore që janë përfshirë në këtë pako është vazhdimi i mbështetjes për pagesën e pagave deri në fund të vitit, e cila do të shkojë nga 14,500 deri në 21,776 denarë. 250,000 vende pune do të mbështeten me 70 milionë euro, kartela pagesore prej 6,000 denarë për kategoritë e prekshme të qytetarëve me vlerë 27,6 milionë euro.

Masa tjera të përfshira në këtë pako janë edhe pjesa shtesë mujore prej 3 muajsh për kredi pa interes nga Covid-19 përmes Bankës për Zhvillim të Maqedonisë së Veriut, 100 milionë euro shtesë për kredi të lira përmes Bankës për Zhvillim të Maqedonisë̈ së Veriut.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Nebi Hoxha, thotë për KosovaPress, se masat nga tri pakot e parë kanë qenë të vonuara dhe jo të mjaftueshme për t’i ndihmuar bizneset.

Për pakon e katërt, ai thotë se janë një numër i madh i masave që janë propozuar nga ata dhe janë përfshirë në këtë pako.

Hoxha: Në pakon e 4 kemi një subvencion pagash të përshkallëzuar varësisht nga humbjet

“Në pakon e 4 kemi një subvencion pagash të përshkallëzuar varësisht nga humbjet që kanë pësuar kompanitë, do të thotë prej 30 përqind deri në 100 përqind, varësisht edhe nga humbjet subvencionet e pagave janë nga vlera 250 euro deri në 350 euro për çdo të punësuar. Pastaj, kemi kërkuar gjithashtu shlyerjen apo shtyrjen e pagës së akontacionit në tatim në fitim, kemi kërkuar uljen e normës së interesit nga bankat komerciale, që në një formë ende nuk është në fuqi dhe ne po bëjmë çmos që kompanitë që mund të krijojnë rritje ekonomike dhe janë likuide të mbështeten gjithashtu, sepse ato do të jenë kompani të cilat do të mbajnë bilancin ekonomik në vendin tonë. Pra, janë një mori masash që janë të inkorporuar, pra edhe një herë shtrohet pyetja sa do të jenë efikase, ne do të jemi ata që do t’i vëzhgojmë dhe do të kemi rezultatet nga terreni. Është edhe një gjë për ta theksuar, sepse në këtë situatë në pakon e 4 ekonomike do të thotë janë zvogëluar të hyrat në buxhetin shtetëror dhe është krijuar një deficit buxhetor diku 8,5 përqind apo 900 milionë euro, që do të thotë është një ndikim jashtëzakonisht i madh edhe në borxhin publik, i cili ka arritur vlerën diku mbi 60 përqind të bruto produktit vendor, që është një rekord në historinë e vendit tonë”, thotë ai.

Hoxha potencon se subvencionet në paga ishin ndihma kryesore që është dhënë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut për bizneset, derisa thekson se masat e kësaj pako janë të mira por që varet se sa do të implementohen.

Hoxha: Subvencionet në paga ishin ndihma kryesore që u dha

“Subvencionet në paga ishin ndihma kryesore që u dha, pastaj për t’u rritur edhe qarkullimin në ekonominë e vendit janë ndihmuar edhe amvisëritë, studentët, pensionistët, që të kemi konsum më të gjerë dhe të krijohet një qarkullim në vendin tonë. Gjithashtu, është për t’u theksuar edhe mjetet të cilat janë ndarë nga Banka për Zhvillim me një normë të ulët të interesit dhe gjithashtu është edhe një ndihmë tjetër që janë ndarë nga Bankat për Zhvillim pa normë interesi fare për kompanitë të cilat kanë projekte zhvillimore dhe të cilat mund të ndikojnë në ekonominë e vendit. Pra, kemi masa mjaftë mund ta quaj të mira, por si do implementohen dhe a do të implementohen në vendet ku është më emergjente ajo është pikëpyetja, pra duhet të jemi me sens që të shohim saktësisht ku këto mjete dhe si do të shpërndahen në mënyrë që të jemi sa më efikas dhe të kthehemi në atë gjendje që të gjithë synojmë”, thotë ai.

Kreu iOdës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore thotë se afër 20 mijë të punësuar kanë humbur vendet e tyre të punës për shkak të pandemisë, e rritja apo jo e këtij numri, Hoxha thotë se varet nga mjetet që do t’i ndajë Qeveria.

Ai tregon edhe kërkesat kryesore që i ka komuniteti i bizneseve në Maqedoni të Veriut.

Hoxha: Kërkesat kryesore për të qenë likuid është numër një

“Kërkesat kryesore siç e theksova për të qenë likuid është numër një, për të mbajtur numrin e punëtorëve është numër dy, për të krijuar mundësi të qarkullimit të mjeteve për të rritur konsumin në treg. Gjithashtu është më rëndësi dhe aspekti tjetër është ndarja e mjeteve për kompanitë që mund të ndikojnë në zhvillimin ekonomik, pra me interes zero dhe me interes të ulët dhe investimet kapitale të cilat do të krijojnë vende të reja të punës dhe mbarëvajtje ekonomike në vendin tonë dhe më gjerë. Gjithashtu, është më rëndësi edhe kërkesa tjetër që të mbështeten kompanitë të cilat kanë potencial ekonomik për eksport dhe thithje të mjeteve nga eksporti”, thotë Hoxha.

Në anën tjetër, Qeveria e Shqipërisë ka miratuar dy pako ekonomike për të ndihmuar bizneset dhe qytetarët e prekura nga COVID-19.

Pako e parë përfshinë masa si ndihmë financiare për të punësuarit në sektorin e biznesit me të ardhurat vjetore deri 14.000.000 lekë, për periudhën pas ndërprerjes së aktivitetit ekonomik për shkak të gjendjes së pandemisë së shkaktuar nga COVID19. Masë tjetër është dyfishimi i pagesës për individët që përfitojnë pagesë të ndihmës ekonomike, dyfishim të pagesës për individët që përfitojnë pagesë të ndihmës ekonomike, dyfishim të pagesës për individët që përfitojnë pagesën e të ardhurës nga papunësia.

Ndërsa, pako e dytë përfshinë masa si subvencionim për punonjësit e larguar dhe aktualë në bizneset me të ardhura 14+ milionë lekë të mbyllur nga urdhrat e MSHMS-së, mbështetje për të larguarit nga puna në periudhën 1 mars – 17 maj, subvencionim për të gjithë punonjësit e bizneseve me të ardhura nën 14 milionë lekë, subvencionimi i pagës së luftës për punonjësit e strukturave akomoduese në sektorin e turizmit.

Qeveria Shqiptare në mbështetje të sektorit privat përmes instrumentit të Garancisë Sovrane në përballimin e situatës, ka miratuar dy instrumente të Garancisë Sovrane për një shumë totale prej 26 miliardë lekësh.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri, Nikolin Jaka, thotë se ajo çka ishte më e rëndësishmja për bizneset ishte marrja përsipër e pagave të punonjësve nga Qeveria.

Jaka: Ajo çfarë ishte më e rëndësishmja ishte marrja përsipër e pagave të punonjësve

“Ajo çfarë ishte më e rëndësishmja ishte marrja përsipër e pagave të punonjësve të cilët për arsye të mbylljes së aktiviteteve u kompensuan me të ashtuquajtur pagën e luftës. Ndërkohë që brenda kësaj pakete ishte edhe një garanci sovrane që ishte që merrej në sipërmarrje e cila duhet të likuidonte pagat e punonjësve të tyre. Ndërkohë që pas paketës së parë kishim paketën e dytë, paketa e dytë ishte e fokusuar më shumë tek garancia sovrane e cila mund të merrnin garanci sovrane, pra mund të përfshiheshin në projektet e kredisë të gjitha ato sipërmarrje të cilët e ndjenë të nevojshëm për të marrë garanci sovrane dhe shteti hynte garant 50 përqind dhe 50 përqind e mbyllnin vet sipërmarrësit”, thotë ai.

Jaka thotë se në bazë të statistikave, në Shqipëri mbi 30 përqind e bizneseve të vogla janë mbyllur dhe kjo tregon se masat e ndërmarra nuk kanë qenë në nivelin e duhur.

Sa i përket numrit të punëtorëve që kanë humbur vendet e tyre të punës, Jaka thotë se nga institucionet shtetërore parashikohet se mbi 40 mijë punëtorë kanë humbur punën si pasojë e pandemisë. Ndërsa, thotë se biznesi i vogël deklaron një shifër tre fish më të lartë se kjo e institucioneve shtetërore.

Jaka: Të kompensohen në radhë të parë të gjitha bizneset e vogla të cilat ishin të mbyllura

“Ne kemi kërkuar që të kompensohen në radhë të parë të gjitha bizneset e vogla të cilat ishin të mbyllura për shkak të pandemisë, të kompensohen pagat për të gjithë punonjësit të cilët largohen, të ketë një diferencim për sipërmarrjet të cilët realisht të shtyhet afati i dorëzimit të bilanceve dhe deklaratave mbi të ardhurat, kemi kërkuar që garancia financiare sovrane të implementohet pa pengesa të tjera burokratike. Kemi kërkuar që sektori i transportit dhe i turizmit të rimbulësohen për humbjet e tyre, ndërkohë që nga ana tjetër kemi kërkuar që të ketë edhe një proces të ri ngritjes së ekonomisë, e cila konsiston në disa reforma strategjike që kanë të bëjnë me rolin e prodhuesit për t’i dhënë gjithmonë fuqi prodhuesit shqiptar i cili është edhe konsumatori më i madh i të punësuarve, pra që punëson më shumë kapital human. Janë edhe kërkesa të tjera dhe kanë të bëjnë gjithmonë me qoftë në trajtimin fiskal qoftë edhe në trajtimin të platformave strategjike për të operuar në sektor të ndryshëm te ekonomisë”, thotë ai.

Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri, Nikolin Jaka, thotë se duke qenë që qeveria është në vitin e fundit të mandatit në fokus e kanë ngritjen e institucioneve të akuzave ndaj njëri-tjetrit sesa te shpëtimi i ekonomisë.

Ai thotë se nuk kërkojnë asgjë më shumë sesa masat që ka ndërmarrë Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina dhe disa vende të tjera të rajonit.

Ndërkaq, Kosova deri më tani ka miratuar pakon emergjente e cila ishte në kohën kur me vendin qeveriste kryeministri Albin Kurti. Kjo pako emergjente përfshinte masa si pagesë të dyfishtë e vlerës së skemës sociale për të gjithë përfituesit të skemave sociale për muajin prill dhe maj, masë kjo në vlerë deri në 7 milionë e 650 euro, pagesë shtesë në vlerë prej 30 euro në muaj për të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që marrin pagesë mujore në vlerë më të ultë se 100 euro, për muajin prill, maj dhe qershor, në vlerë deri në 13 milionë euro.

Masë e kësaj pako ekonomike emergjente, ishte edhe mbështetja financiare për shoqëritë tregtare në vështirësi financiare si pasojë e rënies së veprimtarisë së tyre për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik, që kishte përfshirë mbulimin e shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve në vlerë prej 170 euro, për muajin prill dhe maj, masë kjo deri në 41 milionë euro.

Kurse, projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, qeveria aktuale e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, ka arritur ta miratoi vetëm në lexim të parë pas gjashtë tentimeve që kishte dështuar në Kuvendin e Kosovës.

Ky projektligj përfshin shumën prej 385 milionë euro, si dhe mundëson tërheqjen e 10 përqind të kursimeve pensionale. Nga kjo, Qeveria ka bërë shpërndarjen e 60 milionë eurove për bizneset.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se qeveritë e të dy vendeve, Maqedonisë së Veriut edhe Shqipërisë, kanë qenë më efikase në marrjen e masave për t’i ndihmuar bizneset krahasuar me Kosovën.

Rukiqi: Këto vende kanë qenë shumë më efikase në ndërmarrjen e masave

“Këto vende kanë qenë shumë më efikase në ndërmarrjen e masave, kanë marrë veprime në kohën e duhur. Tash këtu tek ne tek tani kjo masa e fundit që ishte përkrahje e drejtpërdrejtë në biznese është një masë e cila është realizuar shpejt dhe e cila e ka efektin e drejtpërdrejtë tek biznesi. Masat tjera nuk është që kanë dhënë ndonjë efekt shumë pozitiv. Pritjet janë shumë të mëdha nga ligji për rimëkëmbjen ekonomike, por nuk është problemi i natyrës së masave apo i llojit, apo shumës për implementimin e atyre masave po është problemi i kohës së zbatimit të tyre. Ne si në fazën emergjente si tash në fazën e rimëkëmbjes që po e diskutojmë jemi duke folur për një periudhë shtatë, tetë javë e më gjatë për implemtnimin e një mase, që është shumë kohë e gjatë për bizneset që kanë shumë nevoja tani dhe në një situatë të jashtëzakonshme të funksionimit të tyre”, thotë ai.

Rukiqi thotë se institucionet e vendit nuk kanë qenë shumë efikase në përkrahje të sektorit privat.

Rukiqi: Institucionet e vendit nuk kanë qenë efikse në përkrahjen e sektorit privat

“Nuk jemi duke e mat dështimin, po jemi duke e mat efikasitetin. Unë nuk kisha thënë që këtu tash mund të flasim vetëm për një institucion, se kjo nuk është e lidhur vetëm me një institucion. Ne po e shohim që shumëçka është e lidhur drejtpërdrejtë me vendimmarrjen në Parlament. Unë mund të them që institucionet e vendit nuk kanë qenë efikse në përkrahjen e sektorit privat…Për emergjenten është vonuar dhe kjo ja ka humbur kuptimin, normal që janë ndihmuar bizneset po bizneset kanë qen të pakënaqura me krejt procesin. Tani për rimëkëmbjen janë masat e para, kjo masa e fundit 60 milionë është mirëpritur, po normal që pritjet janë shumë më të mëdha tash edhe nga ligji i rimëkëmbjes që mundëson sidomos ideja që të rritet kërkesa agregate duke rritur fuqinë blerëse dhe normalisht duke krijuar një gjendje më të mirë për likuiditetin e kompanive që lidhet me qasjen e tyre në financa”, thotë Rukiqi.

Në Kosovë deri më tani nuk ka të dhëna zyrtare se sa është numri i bizneseve që kanë falimentuar apo punëtorë që kanë humbur vendin e punës si pasojë e COVID-19