Lajme

​Me ngritjen e pragut të kredidhënies, qytetarët orientohen drejt IMF-ve

09/14/2018 14:17
nga:Gazeta Blic

Për shkak të disa përparësive që ofrojnë institucionet mikrofinanciare (IMF) krahasuar me bankat komerciale, numri i njerëzve dhe bizneseve që marrin kredi në këto institucione është në rritje.

Shuma e kredive të lëshuara nga IMF-të në Kosovë ka arritur mbi 150 milionë euro, ndërsa përqindje e konsiderueshme e këtyre kredive janë kredi për ndërmarrje.

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Asociacioni i Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës, janë mbi 77 mijë huamarrës të cilët u janë drejtuar këtyre institucioneve. https://bit.ly/2Oc2FVh

Zakonisht, kamatat e kredive që lëshohen nga IMF-të janë më të larta sesa ato të bankave komerciale.

Megjithatë, kreditë aprovohen pa hipoteka dhe kontrata shtesë, duke anashkaluar kështu procedura të vështira burokratike të cilat janë karakteristike për bankat komerciale.

 

Por, ndoshta përparësia më e madhe e këtyre institucioneve është se ato tërheqin klientë të cilët nuk mund të marrin kredi në bankat komerciale, për shkak se disa prej këtyre të fundit nuk ofrojnë fare kredi më të vogla se 5 mijë apo 10 mijë euro, duke përjashtuar kështu nga kjo mundësi një masë të madhe të klienteles. “Sektori bankar në mënyrë tipike i shmang kreditë mikro, sepse ata janë me risk dhe bankat preferojnë të shfrytëzojnë ekonomitë e shkallës që rezultojnë nga kreditë më të mëdha. Kartat e kreditit nuk janë një produkt tipik për të ndihmuar klientët mikro apo klientë afër nivelit të varfërisë.

Dhe kur përdoren janë shpesh herë më të shtrenjta se mikrokreditë”, thuhet në ueb faqen e Asociacionit të Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës. Një numër ndërmarrjesh të reja në vend janë krijuar viteve të fundit pikërisht me ndihmën e kredive të vogla të ofruara nga IMF-të.

Një shembull i tillë është dyqani i ëmbëlsirave Mia Sweets në Prishtinë. Fillimisht, pronarja e këtij biznesi kishte hapur një dyqan të vogël të ëmbëlsirave, ku bëhej vetëm shitja e tyre. Kurse vetëm pak kohë më parë, ajo ka hapur një dyqanin e dytë në njërën prej qendrave tregtare të Prishtinës, ku përveç shitjes së ëmbëlsirave, mysafirët mund të qëndrojnë më gjatë. https://bit.ly/2OfiAC3

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, udhëheqës të Shoqatës së Institucioneve Mirkofinanciare kanë thënë kohë më parë se normat e interesit në këto institucione janë më të vogla krahasuar me vendet e rajonit.

Kosova vazhdon të përballet me numër të lartë të varfërisë dhe të papunësisë. Pagat minimale në vend është 170 euro për personat mbi moshën 30 vjeçare, ndërsa 130 euro për persona nën moshën 30 vjeçare.

Ky nivel i pagës minimale ka mbetur i pandryshuar tash e disa vite. Për këtë arsye, qytetarë të ndryshëm mirëpresin mundësinë që t’i drejtohen këtyre institucioneve për kredi më të vogla, të cilat kapin vlerën e më pak se 5 mijë euro, mjete të cilat shfrytëzohen për të ndihmuar në rritjen e biznesit të tyre.

Vlerësohet se kredimarrës të shpeshtë janë bujqit, të cilët përmes këtyre kredive arrijnë të shtojnë numrin e krerëve të bagëtive të tyre, apo ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për biznesin.