Lajme

​Interesim i ulët për vëzhgimin e zgjedhjeve në Podujevë, nesër tërhiqet shorti për renditje në fletëvotim

03/01/2020 10:32
nga:Norë Kelmendi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se nesër bëhet tërheqja e shortit për renditjen e kandidatëve dhe subjekteve politike në fletëvotim për zgjedhjen e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës, të cilat do të mbahen me 15 mars.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se tërheqja e shortit për renditjen e kandidatëve dhe subjekteve politike është paraparë të mbahet me 2 mars dhe se janë ftuar përfaqësuesit e subjekteve politike të cilët janë certifikuar, për të marrë pjesë në këto zgjedhje.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kryer përgatitjet ligjore dhe teknike për të organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e kandidatëve dhe subjekteve politike në fletëvotimin e këtyre zgjedhjeve të cilat do të mbahen me datën 15 mars. Ky aktivitet është parapa rë të mbahet gjatë ditës së hëne, me datë 2 mars dhe janë të ftuar përfaqësuesit e subjekteve politike të cilat janë certifikuar nga ana e KQZ-së për të marrë pjesë në këto zgjedhje”, tha Elezi.

Sa i përket fushatës zgjedhore, Elezi bëri të ditur se nga data 3 deri me 13 mars, kandidatët kanë mundësi të zhvillojnë fushatën e tyre zgjedhore .

“Nga data 3 deri më 13 mars subjektet politike dhe kandidatët mund të zhvillojmë fushatën e tyre zgjedhore me qëllim të fitimit të mbështetjes së votuesve të kësaj komune, pra gjithsej janë 11 ditë në dispozicion të subjekteve politike dhe kandidatëve për të zhvilluar aktivitete e tyre në kuadër të fushatës zgjedhore”, tha Elezi.

Elezi bëri të ditur se deri tani vetëm një medium ka shprehur interesim për të përcjellë votimet në ditën e zgjedhjeve.

“Deri më sot KQZ ka akredituar vetëm një grup të vëzhguesve, bëhet fjalë për vëzhgues apo përfaqësues të një mediumi të cilët kanë shprehur interesim për të përcjellë votimet në ditën e zgjedhjeve dhe pastaj aktivitetet tjera që zhvillohen në QNR, sigurisht që presim gjatë ditëve të ardhshme të pranojmë aplikacione të tjera nga subjektet të cilat mundë të kërkojnë aplikim për t’u akredituar si vëzhgues të këtyre zgjedhjeve. Afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve të subjekteve politike dhe të organizatave joqeveritare është deri më datën 10 mars, kurse për vëzhgues ndërkombëtar dhe përfaqësues të mediave deri me 12 mars…….duhet ta përmendim që vetëm vëzhguesit e akredituar mund të përcjellin procesin zgjedhor në ditën e votimit dhe pastaj procesin që zhvillohet në QNR pas ditës së zgjedhjeve”, u shpreh Elezi.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës do të mbahen, pasi kryetari i kësaj komune, Agim Veliu ka dhënë dorëheqje nga ajo pozitë për t’u bërë ministër i Punëve të Brendshme.

06/07/2020 12:11

Veliu e Rakiq lënë komunat e tyre pa kryetarë, presidenti ende nuk ka vendosur për datën zgjedhjeve!