Lajme

​Dëshmitarët e masakrës së Qyshkut e quajnë të montuar propozim-aktakuzën ndaj Thaçit e Veselit

07/03/2020 11:49
nga:Y I

Për dëshmitarët e masakrës së Qyshkut, propozim-aktakuza e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçi e kreut të PDK-së, Kadri Veseli, është e papranueshme dhe e montuar.

Masakra e Qyshkut është prej masakrave më të tmerrshme të kryer nga ana e serbëve. Derisa kujtojnë tmerrin që kishin parë 21 vjet më parë, thonë se popullit të Kosovës nuk do të duhej t’i mvishen akuza kaq të rënda, meqë dihet botërisht që regjimi serb kishte kryer gjenocid në Kosovë.

Mëngjesin e 14 majit të vitit ‘99, forcat policore serbe kishin vrarë 46 civilë, në tri shtëpi të fshatit të cilat më pastaj i dogjën. Fshati ishte rrafshuar me tokë, ndërsa nga aty u dëbuan më shumë se 400 civilë. Ka ende njerëz të cilët jetojnë me dhimbjen e kujtimet makabre të asaj kohe.

Erzen Lushi është dëshmitar i masakrës së fshatit Qyshk në afërsi të Pejës, ku në atë kohë ishte 16-vjeçar. Për të gjithë këto krime kishte dëshmuar në Beograd e Suedi, megjithatë mbetet i zhgënjyer me proceset gjyqësore.

“Në fshatin Qyshk ka kryer krime uniforma serbe, njerëzit zyrtarë, njerëz të armatës jugosllave. Ndërsa, sa i përket aktakuzës së fundit, kjo është e padrejtë, për arsye që po akuzohen çlirimtarët… Për vet faktin që ne kemi qenë dëshmitarë në Beograd atëherë kjo lidhet që ne nuk jemi të kënaqur aspak hiç me akuzat”, thotë ai.

Derisa shpreh zemërimin për padrejtësinë që po iu bëhet çlirimtarëve që po akuzohen për krime të supozuara lufte, ai thotë serbët që janë kriminelët e vërtetë vazhdojnë të qëndrojnë në liri. Lushi thekson se nuk ka asgjë që e krahason luftën e shenjtë të UÇK-së.

“Nuk ka asgjë që e mat luftën e shenjtë me krimet që kanë bërë serbët në Kosovë. Kanë vrarë fëmijët, kanë masakruar gra, burra, pleq, nuk kanë kursyer asgjë. Atëherë kam qenë në moshën 16-vjeçare bashkë me shokun tim, dhe shumë fëmijë e gra që kemi shpëtuar këtu. Ata nuk kanë kursyer asgjë. Ata po akuzohen për diçka që nuk ka ekzistuar kurrë, por që janë edhe akuza të montuara”, shton ai.

Në orët e hershme të mëngjesit të 14 majit ‘99, forcat policore serbe kishin bllokuar katër anët e fshatit Qyshk. Të njëjtit atë ditë kishin shpërndarë në tri shtëpi më shumë se 40 meshkuj, ku kobshëm i vranë e i masakruan atë mëngjes.

Derisa kujton atë ditë, dëshmitari i kësaj masakre, Erzen Lushi thotë për KosovaPress se kjo propozim-aktakuzë ndaj ish-komandantëve të UÇK-së, është e papranueshme për Kosovën.

Pak kush nuk e kujton atë ditë. Ardian Kelmendi, i cili po ashtu ishte 16-vjeçar atë kohë, thotë se regjimi serb kishte bërë “zullum” në Kosovë.

“Vet emblema UÇK simbolizon diçka tjetër. Ajo ka qenë Ushtri Çlirimtare e Kosovës për të mbrojtur, me heq një aparat, një regjim të kahershëm që bëri gjitha këto zullume në këtë vend. Si mund ta krahasojmë Ushtrinë Çlirimtare që është munduar t’i mbrojnë nënat e veta, fëmijët e vet, vatrat e veta prej një regjimi aq barbar që nuk i ka bërë vetëm në Kosovë, por edhe në vendet e tjera. Regjimi i Serbisë është i njohur ndërkombëtarisht për krimet e veta që i ka ushtruar si shtet”, deklaron ai.

Për Kelmendin propozim-aktakuza ndaj presidentit Thaçi e Veseli janë të rënda.

“Ne në këtë pjesën tonë me dhimbjen tonë, është edhe një dhimbje e madhe që po na i ngarkojnë mbi supet tona, edhe ata njerëz që kanë bërë diçka për këtë vend që janë munduar. Një aspekt nga kanë mundur, nga kanë pasur mundësi të çlirojnë, të mbrojnë nënat e veta, vatrat e veta, vëllezërit e vet. Edhe atë po duan të njollosin luftën e tyre të pastër”, shton ai për KosovaPress.

Kelmendi thotë se ashtu sikur ka dëshmuar për masakrën e Qyshkut, është i gatshëm të dëshmojë edhe në mbrojtje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas tij, kriminelët të cilët nuk u dënuan për krimet që kryen në Kosovë po barazojnë luftën me popullatën civile në Kosovë. Ardiani e Erzeni kanë të humbur nga nëntë anëtarë të familjes në masakrën e mëngjesit të 14 majit ‘99.