Lajme

​Cakaj prezanton prioritetet e Kryesisë shqiptare të OSBE-së

07/11/2019 20:18
nga:Gazeta Blic

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj prezantoi në një fjalim në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, kuadrin paraprak të prioriteteve të Kryesisë shqiptare për vitin 2020.

Cakaj shpalosi se Kryesia shqiptare e OSBE-së do të përqendrohej në prioritete përgjatë të tre dimensioneve të përcaktuara nga OSBE.

“Së pari, në dimensionin politiko-ushtarak, prioritet do të jetë parandalimi dhe zgjidhja e konflikteve, ku vëmendje të veçantë do të kenë kriza në Ukrainë dhe përreth saj, trajtimi i mëtejmë i konfliktit në Nagorno-Karabakh, adresimi i pasojave të konfliktit në Gjeorgji dhe vazhdimi i Procesit të Negocimit për Transdniestrian,” theksoi Cakaj.

Ministri në Detyrë u shpreh se në këtë dimension do të jenë prioritare fuqizimi i rolit të gruas në proceset e paqes; adresimi i rreziqeve transnacionale dhe lufta kundër të gjitha formave të trafikimit, veçanërisht trafikimit të qenieve njerëzore.

“Së dyti, në dimensionin ekonomiko-mjedisor, do të ketë vëmendje të veçantë lufta kundër korrupsionit dhe promovimi i mirëqeverisjes në shërbim të zhvillimit të përgjithshëm; ruajtja e mjedisit prej krimeve transnacionale dhe stimulimi i balancës midis pastërtisë mjedisore dhe politikave zhvillimore”, u shpreh Cakaj.

Dimensioni i tretë i prioriteteve të Kryesisë Shqiptare të OSBE-së të vitit të ardhshëm është ai njerëzor.

“Së treti, në dimensionin njerëzor dhe të lirive themelore do të jenë prioritare promovimi i tolerancës dhe mosdiskriminimit në të gjithë hapësirën e OSBE-së dhe afirmimi i universalitetit të drejtave të njeriut dhe lirive themelore”, tha Cakaj.

Cakaj theksoi se rinia do të jetë prioritet ndër-dimensional i Kryesisë Shqiptare dhe do të ketë rol qëndror në angazhimet e saj. Ai tha se Shqipëria do të ofrojë një kryesi aktive, efektive dhe të fuqishme në OSBE në vitin 2020./TCH/