Lajme

Zyrtari i lartë i PDK-së: I kemi numrat për krijimin e qeverisë!

07/08/2017 12:57
nga:Gazeta Blic

Koalicioni PDK-AAK-NISMA ka arritur që t’i sigurojë votat e nevojshme për krijimin e qeverisë së re.

Kështu i ka thënë “Gazeta Blic” një zyrtar i lartë i PDK-së në kushte anonimiteti, i cili nuk pranoi të deklarohet zyrtarisht me arsyetimin se ekziston një marrëveshje brenda koalicionit PAN, që rreth kësaj çështje mund të deklarohen vetëm liderët e subjekteve politike.

“Gazeta Blic” ka provuar të flasë edhe me zyrtarë të AAK-së rreth çështjes së formimit të qeverisë, por as ata nuk kanë pranuar të flasin me arsyetime të ndryshme.

As nga NISMA nuk kanë folur rreth çështjes në fjalë, “Gazeta Blic” ka kontaktuar liderin e partisë Fatmir Limaj, por ai nuk është përgjigjur në dhjetëra thirrje të redaksisë dhe sms-ve të dërguar.

Ndryshe, certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve pritet të ndodh sot në orën 13:00 ashtu siç ka njoftuar KQZ përmes një komunikate për media.

Formimi i institucioneve

Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Pas konstituimit të Kuvendit, fillon procedura e zgjedhjes së Qeverisë. Në bazë të marrëveshjes politike është e pritshme që partia apo koalicioni fitues të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Më pas, Presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.

Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës (61 vota).

Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre./Gazeta Blic/

09/23/2017 22:25

Behgjet Pacolli, super optimist për anëtarësimin e Kosovës në OKB!