Opinion

Zgjedhje historike, përgjegjësi historike

06/16/2017 23:56
nga:Dush Gashi

Zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë tashmë janë quajtur historike. Që edhe rezultatet e tyre të jenë të tilla, me efekte afatgjata, nevojitet edhe përgjegjësi historike – të bëhen veprime të matura, kompromiset e duhura dhe, sidomos, të mos shkelen disa vija të kuqe. Do të jetë zhgënjyese në qoftë se era e mbarë e ndryshimit nuk kapet këtë herë, pasi që asaj i është bashkuar edhe një rrymë e fuqishme – ajo e faktorit ndërkombëtar. Reagimet e ShBA-ve dhe të BE-së tashmë nuk lënë asnjë pikë dyshimi se më në fund përfundimisht kanë hequr dorë nga formula e deritashme “stabiliteti para demokracisë”, e pafrytshme për zhvillimet në Kosovë.

Topi, pra, tash është në pronësi të plotë të lojtarëve vendës dhe para tyre tashmë është e ravijëzuar me precizitet fusha e lojës dhe janë zbuluar rregullat e saj.

Së pari, për dallim nga deklaratat kokëforta të ndonjë zyrtari të partisë bosht të koalicionit PAN, se “pa PDK-në s’ka qeveri”, Ramush Haradinaj, si kandidat për kryeministër i këtij koalicioni, la të kuptohet se megjithatë nuk do të bëhet pengesë e rrjedhës së natyrshme të gjërave. Ç’ është më e rëndësishme, ai nuk la asnjë pikë dyshimi se formimi i institucioneve dhe agjenda e Kosovës do të mund të mbeten peng i Listës serbe. Të merremi vesh, jo pse është serbe, po për shkak se drejtues të saj janë deklaruar haptas se do të mbrojnë interesat e Serbisë në Kosovë dhe do të jenë frenues në gjithçka që shtetësinë e Kosovës e çon përpara, marrëveshja me Listën serbe ka dalë të jetë vijë e kuqe në këto zgjedhje, të cilën me asnjë çmim nuk duhet ta kalojë asnjë subjekt politik shqiptar. Le ta nënvizojnë dy herë dhe mos t’u shkojë mendja ta shkelin, jo vetëm për të arritur numrin prej 61 deputetësh për formimin e qeverisë, por në të nuk duhet llogaritur as në 81-shin e nevojshëm për votimin e çështjeve të mëdha.

Lideri i AAK-së, ndërkaq, siç e tha edhe vetë, nuk do të mund t’i rezistojë ta përdorë mjetin e fundit që mund t’i mbetet në dorë për ta formuar qeverinë Haradinaj, të cilën ka vite që po e pret – të ashtuquajturin “peshkim” të deputetëve nga partitë e tjera. Se në ç’ ujëra do të hyjë dhe nga mjetet që do të përdorë në këtë gjueti, do të varet shumë reputacioni i mëtejmë i tij, tash për tash i rënë përtokë, pas rreshtimit edhe kësaj here katastrofalisht të gabuar.

Në pozitën më paradoksale ndodhet presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Për te do të jetë sikur ta presë degën mu nën këmbën e tij po të detyrohet t’ia jep kujt do tjetër jashtë partisë së tij mandatin për kryeministër, edhe pa kërcënimet e Vetëvendosjes se do t’ia kontestojnë postin sapo ta marrin pushtetin. Por, qëndrimi i faktorit ndërkombëtar dhe, sidomos, shembulli i Maqedonisë ende tepër i freskët në perceptimin e të gjithëve, do të duhet të jenë shtysë e mjaftueshme që ai ta bëjë këtë akt të pa vullnetshëm.

Në qoftë se gjërat deri këtu ecin si duhet, të gjithë reflektorët e publikut kosovar do të fokusohen në një pikë – në vendtakimin e  Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës me aleatët e saj. Dritat do të jenë të forta, të pamëshirshme, s’do të lënë në asnjë skutë as një hije të zbehtë për t’i fshehur lëvizjet e gabuara.

Së pari, Vetëvendosja duhet ta zbresë pak hovin e saj triumfal saj dhe ta respektojë si partner koalicionin LAA, të bëjë marrëveshje me të për formimin e qeverisë, e jo të kërkojë ‘peshkimin’ e deputetëve të tij. Me një fjalë, poshtërimin e tij.

E dyta, e dimë nga përvoja se shumë gjëra të para nga jashtë na duken të thjeshta e të lehta, por na dalin labirint me brirë kur i shohim nga brenda. LDK-ja megjithatë ka njerëz të cilët i kanë hapur dyert e ministrive.

Dhe, së fundi, në qoftë se kjo parti mendon që Kosova që nesër duhet të ketë një pamje krejtësisht tjetër, gabojnë dhe gabojnë keq, për shkak se kështu as që do të arrijnë gjë, ndërsa pakënaqësia do të jetë e përgjithshme. Folur me fjalorin mjekësor, Kosova është në situatën e pacientin në gjendje serioze, e cila së pari duhet të stabilizohet, ndërsa për rehabilitim do të nevojitet kohë e përkushtim i përditshëm, afatgjatë. LDK-ja do të shërbejë si e gjetur për të bërë balancën e nevojshme.

Sigurisht, edhe në Lidhjen Demokratike duhet të jenë të matur, që për gjëra të vogla të mos ta prishin mundësinë për këtë marrëveshje kaq të rëndësishme.

Të dy palët, ndërkaq, duhet ta dinë se janë para një provimi të vërtetë: a janë të zotët dhe a duan vërtet ta bëjnë kthesën e madhe, për të cilën është deklaruar ky popull. Një provim, në të cilin nuk hyhet dy herë.