Lajme

VV: Mustafa po bëhet ekzekutues i punëve të strukturave paralele që nuk e njohin dhe e luftojnë shtetin e Kosovës!

04/20/2017 20:57
nga:Gazeta Blic

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se kryeministri Isa Mustafa është duke e luftuar shtetin e Kosovës “duke emëruar struktura ilegale si ministra”.

“Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pa vullnet e pafuqi për t’i luftuar strukturat paralele, emëroi sot drejtuesin e strukturave paralele Ivan Todosijeviqin, për ministër të Administrimit të Pushtetit Lokal. Drejtimi i institucioneve nga strukturat ilegale është luftë ndaj shtetësisë dhe funksionimit të Republikës. Ndërkaq, emërimi i tyre prej vetë Kryeministrit është i pajustifikueshëm dhe i pafalshëm”, thuhet në një njoftim për media të partisë më të madhe opozitare në vend.

“Kjo Qeveri, sikur edhe të kaluarat, të vetmen gjë që ka bërë me strukturat paralele është amnistimi e tash edhe rehabilitimi i tyre. Kjo Qeveri e paralizuar nuk bën punë të tjera pos atyre që ia cakton Beogradi. Mustafa në vend se të jetë udhëheqës, po bëhet ekzekutues i punëve të strukturave paralele që nuk e njohin dhe e luftojnë shtetin e Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë.

Kryeministri Mustafa emëroi sot Ivan Todosijeviqin në krye të Ministrisë së Amdministrimit të Pushtetit Lokal, por mediat raportuan se ai është kryetar paralel i Komunës së Zvecanit.

“Strukturat paralele duhet të dënohen për krimet e kryera. Por, Mustafa nuk e ka as qëllim e as dëshirë dhe nuk e pranon që e ka për detyrë”, ka thënë VV.

05/27/2017 22:42

Ahmeti: Mos u sëmursh në Kosovë, duhet reformë rrënjësore!