Opinion

Votuesi i ‘njëmbëdhjetë’

06/17/2017 14:14
nga:Donat Syla

Pas një dekade të bërjes se shtetit, vendi ynë gjendet në linjën fillestare të një horizonti të ri politik, nga i cili vendimet që do të mirren për politikën e brendshme dhe të jashtme do të jenë determinuese për të ardhmen premtuese të vendit.

Provokimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, përkatësisht përkrahja e mocionit të opozitës nga PDK’ja për ta rrëzuar qeverinë i hapi një përspektivë të re Kosovës. Megjithëse, sllogani i PDK’se #fillimiri nuk rezultoi me pritjet e kësaj partie, si për koincidencë një fillim i ri është duke ndodhur për vendin tonë.

Rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit të këtij viti, që nxorën me një rezultat spektakular Vetëvendosjen, ishin përgjigjja më e mirë për partitë tradicionale (PDK & LDK) që të reformohen përbrenda tyre duke ndikuar kështu në  politikbërjen në vend. Zgjedhjet e 11 qershorit, ishin mesazhi më i mirë se qytetari i Kosovës në masë të madhe “ka braktisur” “vlerat e luftës” dhe “frymën rugoviane” duke i zhvleresuar deri në masën kritike. Në fakt këto vlera, të cilat padrejtësisht kanë denjuar në këtë nivel si pasojë e abuzimit me to, mund të marrin kuptimin e munguar deri më tani pikërisht në Kosovën e pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

LDK edhepse performoi dobtë në këto zgjedhje, ndërmori disa hapa në hapjen e partisë për potencial të ri e që u përkthye si vendim i drejtë i strukturave të partisë për t’i dhënë mundësi kuadrove që mund ta atraktojnë elektoratin e LDK’së. Por, kjo nuk është e mjaftueshme, përderisa fuqia elektorale e të rinjëve të partisë është e papërfillshme nga strukturat vendimmarrëse të partisë. Rasti i deputetës Vjosa Osmani, me gjithë vërejtjet e mia që kam për ndërtimin e karrieres se saj politike, dëshmoi një diskordancë ndëmjet vullnetit të të parit të parties Isa Mustafa dhe elektoratit të LDK’së. Sidoqoftë, sinjalet janë premtuese se LDK do të reformohet edhe më tej, duke i garantuar kështu vetes qëndrueshmëri politike dhe premisa serioze për qeverisje të vendit.

Në anën tjetër, PDK e cila rezulton të jetë partia më e dëmtuar nga rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit, është disa hapa prapa LDK’së, por ka një rast ideal që të reflektojë dhe të marrë vendime të ndjeshme brenda strukturave partiake. Do të ishte befasi, sikur zgjedhjet e 11 qershorit të fitoheshin nga PDK, e cila ka 10 vjet në pushtet, e që është shoqëruar me afera korruptive që kanë lënduar egon e shoqërisë kosovare. Kreu i kësaj partie, Kadri Veseli ka rastin ideal që të bëjë shkëputjen nga e kaluara duke i dhënë hapësirë ndërtimit të kapaciteteve të reja partiake, të cilat do të kishin impakt në vendimmarrje, e jo të jenë aty për përmirësim imazhi me ngjyra kozmetike. Pra i duhet ndryshim substancial kësaj partie, sepse ata që thirrën më së shumti në vlerat e PDK’së e që për mburojë e përparësi në përfitime të padrejta e korruptive përdorin “vlerat e luftës”, janë pikërisht ata njerëz që këtë parti e konsiderojnë si një kal beteje të plagosur e të lënduar që duhet tu shërbeje derisa të ndërrojë jetë. Se si do të reflektojë dhe veprojë për këtë rezultat faktik të PDK’së në teren, mbetet të shihen veprimet e kreut të PDK’së Kadri Veseli dhe kryesisë së kësaj partie. Por, në kontekst të kësaj situate, gjithcka që nuk do të jetë e menjëhershme, do të jetë shumë e vonshme.

Në anën tjetër, lëvizja Vetëvendosje, e cila u pozicionua në mesin e tri partive kryesore shqiptare, pavarësisht bindjeve të njerëzve brendapërbrenda saj, arriti që në këto zgjedhje të dal më rezultat senzacional si partia e parë më e votuar shqiptare. Vetëvendosjen e votuan edhe “krahu i luftës” edhe “rugovistët”. Pikërisht për këtë fakt, e me siguri se VV shifrat i ka më të sakta për profilin e votuesit të saj, VV duhet që të distancohet nga interpretimi i historisë për efekte të politikës ditore. Kjo ngaqë ky inercion i rritjes së VV’së nuk erdhi për shkak të bindjeve të ALbin Kurtin për Ibrahim Rugovën e Hashim Thacin (e luftes, Rambujes e 17 Shkrutit), ta  themi kështu, por për shkak të një perverziteti politik të të gjitha partive tjera që elektoratin e irituar e dërguan në derë të Vetëvendosjes.  Padyshim që edhe një performansë në masë të madhe pozitive me kryeqytetin ka ndikuar në rritjen e këtij subjekti politik.

 

Pra, ngadhnjimi më i madh në këtë betejë politike të Vetëvendosjes, nuk është rezultati si i tillë, por tendenca për të afruar rreth vetës elektoratin, i cili në masë të madhe ka pasur bindjet e tij politike të formësuara që nga vitet e ’90-ta. E ky elektorat i cili ka marrë vendim për t’I dhënë votën e ndëshkimit të tjerave parti, duke e votuar Vetëvendosjen, nuk do të thotë që domosdoshmërisht tash e tutje do ta votojë këtë subject. Përkundrazi, ky elektorat i vetëdijësuar, do të vëzhgojë me llupë veprimet e Vetëvendosjes dhe do të jetë i gatshëm që pa asnjë mundësi shtesë ta ndëshkojë këtë parti në rast të keqperformimit, sikurse edhe partitë e tjera.