Opinion

Votim shkatërrues për kryeministren Theresa May

06/10/2017 10:48
nga:Barbara Wesel

Theresa May ishte tepër e sigurt. Ajo e donte mandatin për të formuar një qeveri të fortë dhe për të zhvilluar më forcë bisedimet për Brexitin. “Fort dhe qëndrueshëm” ishte mantra e fushatës së saj zgjedhore. Por doli se në vend të kësaj ajo provokoi rënien e vet. Votuesit britanikë i treguan asaj gishtin e mesit dhe e zhytën vendin në një krizë të thellë politike.

Konservatorët arrogantë ëndërronin një fitore të madhe para këtyre zgjedhjeve. Një shumicë prej 150 apo 200 votash më tepër se laburistët dhe parashikonin shkatërrimin total të Partisë Laburiste në opozitë. Edhe një herë u bë e qartë se të gjitha sondazhet ishin për t’u hedhur në koshin e plehrave dhe se votuesit kishin ide të tjera. Ata nuk mund t’i fusësh më në modelet e njohura dhe ata i ndryshojnë pa probleme kampet.

Një fushatë elektorale shkatërrimtare

Kjo duhet të ketë qenë fushata më e keqe zgjedhore që kaërë një politikan britanik për dekada. Theresa May, i trajtoi britanikët si fëmijë të papjekur të cilëve mund t’u diktojë të ardhmen e tyre. Ajo refuzoi të hyte në debate të hapura, iu shmang bisedave me votuesit dhe për çdo pyetje përsëriste të njëjtat fraza të vjetra. Përsëritja e saj si prej roboti e sloganeve boshe bëri që ta thërrisnin “Maybot”.

Britanikët e panë papritmas javët e fundit kryeministren e tyre jashtë rolit të saj të mbrojtur. Ajo u shfaq e mbyllur në grupin e saj të vogël të të besuarve, aji nuk i beson askujt dhe nuk është në gjendje të dëgjojë kur i flet dikush. May dukej e mpirë, mendjemadhe dhe si një njeri që nuk i kupton shqetësimet e vërteta të njerëzve, për tema të tilla si për arsimin, sistemin shëndetësor dhe financimin e përkujdesjes për të moshuarit. Ajo u shpreh gjatë fushatës elektorale për “një taksë për demencën” me të cilën e kishte fjalën për idenë për t’i shpronësuar të moshuarit që kanë nevojë për përkujdesje. Se si mund të bëjë njeriu një propozim të tillë absurd gjatë fushatës elektorale është e pakuptueshme. Theresa May duhet të ketë një prirje për vetëshkatërrim.

Shefi i laburistëve mjeshtër i fushatës elektorale

Ndryshe nga Theresa May, Jeremy Corbyn bëri një fushatë shumë më të mirë se sa pritej. Kur flet në parlament ai të krijon shpesh një përshtypje të ngurtë, në bisedë me votuesit, në grupet e diskutimit dhe në tribunat elektorale, ai fitoi ishte emocionues. Corbyn u shfaq si një politikan që mund t’i afrohesh, i bindur për programin e tij, i pasionuar. Nga një politikan për të cilin edhe vetë partia e tij thoshte, se ai nuk vlen si kryeministër, u bë papritmas një fitues.

Partinë Laburiste e ndihmuan votat e të rinjve. Ata bënë një fushatë të zgjuar në internet dhe arritën efektin e Bernie Sanders: sikurse në SHBA shumë të rinj votojnë për të majtët, sepse kanë shpresa tek premtimet e tyre sociale.

Katastrofa më e madhe poltike

Britania e Madhe është mjaft e përçarë. Këtë e dëshmuan edhe këto zgjedhje: veriu me jugun, qyteti me fshatin, të rinjtë me të vjetrit, përkrahësit e Brexit-it dhe të Evropës. Ata vendosin se për kë do të votojnë sipas kritereve të tyre dhe besnikëritë e vjetra, traditat rajonale dhe lidhjet sociale në politikën britanike kanë marrë fund.

Problemi është se sistemi britanik nuk është i krijuar për këtë gjendje politike. Në vende të tjera në raste të tilla mund të krijohen koalicione – kurse në Britaninë e Madhe një parlament pa shumicë absolute është një qorrsokak. Konservatorët mund të krijojnë fillimisht një qeveri pakice, meqë janë partia me më e fortë në parlament. Po sa e forcë në marrjen e vendimeve mund të jetë ajo në bisedimet për Brexit-in? Fillimi i bisedimeve do të shtyhet deri sa të jetë krijuar një qeveri e re.

Kjo duket se është katastrofa më e madhe politike për konservatorët. Theresa May donte vetë që të zhvilloheshin zgjedhje. Përfundimi është e kundërta e asaj që përfytoronte ajo – një situatë “të fortë dhe të qëndrueshme”. Situata është kaotike dhe e ardhmja e pasigurt. Ky është vlerësimi i dytë katastrofal i gabuar një kryeministrit britanik, pas vlerësimit të David Cameronit për të organizuar referendumin për Brexitin. Si do të vazhdojnë punët në Britaninë e Madhe? Evropa vetëm mund të vërë duart në kokë.

06/22/2017 15:22

Deputeti gjerman: I vështirë formimi i Qeverisë në Kosovë, mund të ketë zgjedhje të reja