Lajme

VMRO njeh legjitimitetin e Talat Xhaferit

07/06/2017 19:20
nga:R A

Deputetët e VMRO-DPMNE-së kanë njoftuar kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi për formimin e grupeve parlamentare.

Në njoftimin me shkresë në të cilin potencohet se opozitarja VMRO-DPMNE ka formuar 10 grupe parlamentare, partia e ish-kryeministrit Nikolla Gruevskit shkresën e ka drejtuar deri te kryetari i Kuvendit, duke e njohur kështu Xhaferin si kryetar ligjvënësi të cilin deri më tani e akuzonin për kryerje funksioni pa legjitimitet.

Formimi i 10 grupeve parlamentare ndodh për herë të parë në historikun e ligjvënësit të Maqedonisë. VMRO-ja ka përcaktuar edhe emrat e koordinatorëve dhe zëvendës-koordinatorëve, ndërsa përbërjet e grupeve parlamentare Xhaferi i lexoi në vazhdimin e seancës së sotme plenare duke e uruar njëkohësisht VMRO-DPMNE-në për njoftimin e dërguar në adresë të kryeparlamentarit.

VMRO-DPMNE-ja formimin e 10 grupeve e bazon në nenin 33 të Rregullores së punës së Kuvendit. Sipas nenit në fjalë, një grup parlamentar duhet të përbëhet nga të paktën 5 deputetë përfshi këtu edhe koordinatorin e grupit dhe dy zëvendësit e tij.

Veprimi i tillë i VMRO-DPMNE-së sipas deputetit të kësaj partie Ilija Dimovski ka për qëllim shfrytëzimin e sa më shumë fjalimeve procedurale, replikave dhe kërkesave për pauza gjatë seancave apo në punën e Komisioneve parlamentare.

Mekanizmat e 10 grupeve parlamentare i mundësojnë 10 koordinatorëve të marrin të drejtë fjale në procedurale nga 15 minuta, më pas të shfrytëzojnë replikat 3 minutëshe, kundër-replikat 1 minutëshe si dhe të kërkojnë pauza 1 orëshe. Përveç koordinatorëve të drejtën e fjalës së tyre mund ta shfrytëzojnë zëvendës-koordinatori.

11/18/2017 16:00

Xhaferi: Për rastin “Lagja e Trimave” në Kuvend mund të kërkojmë vetëm përgjegjësi politike