Lajme

Veseli: Nuk shoh alternativa, Haradinaj do të jetë kryeministër! (VIDEO)

06/20/2017 16:51
nga:Gazeta Blic

Mandatari ynë Ramush Haradinaj do të jetë kryeministër i Kosovës, për arsye se është një çështje e interpretimit të vet vullnetit të qytetarëve tanë”, ka thënë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

“Të njëjtën kohë është një respektim i Kushtetutës së Republikës sonë. Do të thotë, alternativat janë pothuajse fare inekzistente që Ramush Haradinaj të mos jetë kryeministër i Qeverisë së Kosovës për katër vitet e ardhshme’, ka deklaruar Veseli.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Veseli, cila do të jetë formula e krijimit të koalicionit qeverisës, marrë parasysh se jeni pjesë e një koalicioni qeverisës që ka dalë fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit, por që nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për formimin e Qeverisë?

Kadri Veseli: Formula është vota e qytetarëve tanë. Në zgjedhjet e 11 qershorit, koalicioni i prirë nga Partia Demokratike e Kosovës ka fituar qartë, ka fituar bindshëm. Në të njëjtën kohë, demokracia është respektim i procedurave, ajo të cilën e kishim edhe në vitin 2014, do të thosha. Kjo është edhe një arsye më shumë se vendit nuk i nevojitet që të ketë bllokada, vendit nuk i nevojitet që të ketë mllef, vendit nuk i nevojitet që të ketë konflikte mes vete. Duhet të bashkëpunojmë për hir të interesave të qytetarëve.

Besoj shumë se me certifikimin e rezultateve, po presim kah data 25 qershor, që të kemi menjëherë implementimin e rezultatit zgjedhor, i cili është i 11 qershorit, ku koalicioni fitues është ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, partisë Nisma si dhe partnerët e tjerë të koalicionit.

Radio Evropa e Lirë: Tek cilat parti politike, tek cili bllok politik do t’i kërkoni aleatët e ardhshëm për koalicionin pas-zgjedhor që do të formojë Qeverinë e ardhshme. Keni në dispozicion LDK-në me partitë aleate dhe Vetëvendosjen.

Kadri Veseli: Ideale do të jetë, në rend të parë që të respektohen procedurat, të respektohet vullneti i qytetarëve. Të gjitha partitë, kur kemi dalë në zgjedhjet e 11 qershorit, kjo ka qenë arsyeja pse kemi shkuar në koalicione.

Kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli
Kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli

Arsyeja pse nuk kemi shkuar të vetme, ka qenë pikërisht situata e vitit 2014. Andaj, në mënyrë që të mos kemi një ripërsëritje të një bllokade, vet unë si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës e kam bërë hapin përmes futjes në këtë koalicion me partnerët e tjerë të koalicionit, në mënyrë që të mos kemi bllokada të cilat po krijojnë stres dhe më tepër ftohje te qytetarët tanë.

Ne duhet të orientohemi, në rend të parë nga interesat e qytetarëve. Institucionet duhet të krijohen sa më shpejt dhe në të njëjtë kohë të marrim përgjegjësitë për përmirësimin e jetës së njerëzve tanë.

Unë besoj shumë se do të ketë reflektim. Do të ketë reflektim pozitiv nga faktorët politikë aktual të cilët kanë garuar në zgjedhjet e 11 qershorit, në mënyrë që, pas datës 25 qershor, kur ne po presim, të paktën kështu thotë KQZ-ja, që të kemi implementimin e rezultatit zgjedhor pas certifikimit.

KOMPROMISI ME LISTËN SERBE

Radio Evropa e Lirë: A mund të vijë në shprehje mbështetja tek votat e minoriteteve për krijimin e 61 votave të domosdoshme në Kuvend për formimin e Qeverisë apo do t’i përfshini minoritetet pas një koalicioni me partitë e shumicës?

Kadri Veseli: Minoritetet janë faktor konstituiv i kësaj shoqërie dhe shtetit tonë. Do t’i respektojmë. Ideale do të ishte që të mos kishim varshmëri nga minoritetet, për hir edhe të vet interesave të komuniteteve. Por, do të jenë pjesë integruese e një procesi kushtetues, të respektimit të një rezultati zgjedhor. Në të njëjtën kohë, të kemi edhe një përfshirje sa më të gjerë të faktorëve politikë të cilët janë të Kosovës, në emër të interesave të qytetarëve.

Kjo shoqëri, jam shumë i sigurt se ka nevojë që ta zëvendësojë mllefin me arsyetimin dhe dëshirën për të ecur përpara. Jo revansh. Por, le të merremi me atë se çka është interes edhe i shtetit dhe në të njëjtën kohë edhe i qytetarëve tanë.

Sido që të jetë, komunitetet do të thosha janë pozitive, mirë që janë, por vendimmarrja do të duhet të jetë produkt i Kosovës, i qytetarëve tanë, duke përfshirë edhe minoritarët, duke mos i ndarë.

Kadri Veseli: Beogradi ka marrë fund përfundimisht në Kosovë. Logjika e atyre të cilët mendojnë ta sjellin Beogradin e dëmton brenda faktorin politik kosovar. Nuk do t’i nënshtrohemi asnjë dëshire, asnjë imponimi që vjen nga Beogradi.

Ka marrë fund epoka e Serbisë në Kosovë. Do të orientohemi nga pjesa e Kosovës shtet i pavarur sovran, orientimi nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian.

Kemi disa obligime që lidhen me të ardhmen e Kosovës; është përmirësimi i jetës ekonomike dhe sociale të qytetarëve, transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës dhe hapja e perspektivës së Kosovës drejt BE-së.

Duhet sa më shpejtë t’i mbyllim çështjet e hapura të cilat i kemi, demarkacionin me Malin e Zi dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe në mënyrë që të kemi liberalizimin e vizave dhe integrimin e Kosovës në BE, veçanërisht zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

Këto duhet të jenë prioritete tona. Sa i takon Beogradit dhe zyrtareve të Serbisë, atyre u ka kaluar boja. Thjesht sa më shumë ju krijojmë hapësirë përmes përçarjes sonë ata aq më tepër do të përfshihen. Përndryshe nuk kanë shansa.

Radio Evropa e Lirë: Pas datës 25 qershor, kur po pritet certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve, do t’i bëni edhe ofertë zyrtare LDK-së për koalicion?

Kadri Veseli: Oferta zyrtare është që nga momenti kur ne ekzistojmë si parti. Nuk është në interesin e qytetarëve që ne të përjashtojmë njëra tjetrën. Nuk është çështje e jetësisë sonë a jemi në pushtet apo nuk jemi në pushtet.

Legjitimiteti duhet të respektohet dhe në të njëjtën kohë edhe legaliteti, Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Proceduara demokratike të cilat i kemi, por nuk është çështje e dëshirës se a do dike apo nuk e do. Ajo çështje po thuajse[është] terciale e cila duhet ta mbisundojë skenën tonë politike.

Duhet respekti i asaj çka përfaqësojnë qytetaret tanë. Kjo është ajo çka na dallon ne si PDK shpesh nga disa parti të tjera. Ne nuk flasim më ta pse e duam një lider apo pse nuk e duam. Flasim me respektimin e vullnetit çka përfaqësojnë ata lider dhe ato parti politike.

Logjika përjashtues dhe logjika e mllefit nuk krijon perspektive. Mund të krijoj një moment të caktuar një dëshirë moment hakmarrje, revanshi, por perspektiven e Kosovës e ndalë e frenon dhe vetëm sa çon zëra më shumë nga ata të cilët i përmendim, zëra nga Beogradi dhe Serbia që nuk ja duan të mirën këtij vendi.

A DO TË SHKOJË PDK NË OPOZITË?

Radio Evropa e Lirë: A ka rrethana politike që do ta çonin Partinë Demokratike në opozitë, pavarësisht rezultatit në zgjedhjet e 11 qershorit?

Kadri Veseli: Për Partinë Demokratike të Kosovës këto janë zgjedhjet e katërta nga të cilat del fituese. Është e rrallë në Ballkan që ka ndodhur një situatë e tillë, këtë herë së bashku me partnerët e koalicionit. Por, po e them sërish, nuk është çështje jetësore për ne të jesh pozitë apo opozitë. Jetësore për ne është të qenit shtet i pavarur dhe sovran, fuqizimi i këtij shteti, orientimi i drejtë.

Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që të kemi orientim tjetër përveç atij perëndimor, pra partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Të njëjtën kohë kemi edhe fuqizimin ekonomik. Këto janë prioritete të cilat janë në interes të vendit dhe qytetarëve tanë. Do të punojmë fuqishëm me secilin partner, por të njëjtën kohë, Partia Demokratike e Kosovës është shumë e fuqishme që dikush të mendoj ta njëlloj, ta përjashtojë apo ta zhduk nga kjo që është vullneti i qytetarëve.

Jemi në rrugë të drejtë për qytetarët tanë, kurse gabimet të cilat i kemi politike do të jenë të përmirësueshme. Kemi marrë mesazh, nëse i referohemi PDK-së, kemi marrë mesazh shumë të qartë nga elektorati ynë. Ne kurrë nuk kemi hatrim, përkundrazi kemi reflektim. Do të punojmë fuqishëm. Por, nuk e lejojmë aski që ta cenoj shtetin tonë të pavarur e sovran.

Kjo është garanca të cilën e ka ky shtet me PDK-në, pastaj nga orientimi ynë perëndimor me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian dhe të njëjtën kohë nga zhvillimi ekonomik. Këto janë garancat nga të cilat PDK nuk heq dorë kurrë.

Radio Evropa e Lirë: Është shtruar shumë çështja, çka nëse mandatari i juaj, koalicionit PAN, nuk arrin ta formojë Qeverinë e ardhshme. Në këtë rast a shihni një alternativë të dytë për formimin e Qeverisë nga një subjekt tjetër?

Kadri Veseli: Mandatari ynë Ramush Haradinaj do të jetë kryeministër i Kosovës, për arsye se është një çështje e interpretimit të vet vullnetit të qytetarëve tanë. Është një respektim i rregullave të demokracisë mbi të cilat ne veprojmë. Të njëjtën kohë është një respektim i Kushtetutës së Republikës sonë. Do të thotë, alternativat janë pothuajse fare inekzistente që Ramush Haradinaj të mos jetë kryeministër i Qeverisë së Kosovës për katër vitet e ardhshme./REL

11/20/2017 23:33

Mirena: Rezultati zgjedhor në Prishtinë nuk përmbyset me një kombibus!