Lajme

Vendet e ​Kuintit: Do të punojmë me çdo qeveri të formuar ligjërisht

07/14/2017 15:42
nga:M H

Ambasadat e vendeve të Kuintit në Kosovë përmes një deklarate për media kanë bërë të ditur se do të punojnë me çdo qeveri të formuar ligjërisht, ndërsa u kanë bërë thirrje partive politike, të cilat do të formojnë qeverinë e ardhshme që të kenë si prioritete sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në deklaratën e përbashkët të ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-ve në Kosovë thuhet se Qeveria dhe Kuvendi duhet të procedojnë sa më shpejt që është e mundshme ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, dhe që të angazhohen seriozisht në dialogun me Serbinë për të normalizuar marrëdhëniet mes dy shteteve.

Deklarata e plotë:

Kemi parë rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ne po ashtu rikujtojmë të gjeturat fillestare të Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve dhe presim që Kuvendi i ri të vë si prioritet përgjigjen e vet ndaj rekomandimeve të këtij Misioni.

Ne po ashtu dëshirojmë të japim qëndrimin e shteteve tona lidhur me formimin e Qeverisë. Ashtu siç e kemi bërë të qartë vazhdimisht – qytetarët e Kosovës janë ata që zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Vetëm këta përfaqësues janë përgjegjës për krijimin e një Qeverie të re në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Ne do të punojmë me çdo Qeveri të formuar ligjërisht dhe që respekton përkushtimet e Kosovës, Agjendën Evropiane për Reformë, dhe perspektivën më të gjerë Evropiane të Kosovës. Ne nxisim partitë që e formojnë qeverinë e ardhshme që të kenë si prioritete sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në gjitha pjesët e Kosovës, në mënyrë që të tërhiqen investimet aq shumë të nevojshme për krijimin e vendeve të punës dhe për rritje të qëndrueshme ekonomike.

Ne po ashtu nxisim Qeverinë dhe Kuvendin që të procedojnë, sa më shpejtë që është e mundshme, ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, dhe që të angazhohen seriozisht në dialogun me Serbinë për të normalizuar marrëdhëniet mes dy shteteve.

09/23/2017 22:25

Behgjet Pacolli, super optimist për anëtarësimin e Kosovës në OKB!