Debat

Tirana për Ramushin dhe peshqeshi i Hashimit për Kosovën!

01/07/2017 20:37
nga:Beqë Cufaj

I.

Lexoj poshtë e lartë për Ramushin.

Të gjithë pa dallim partie e Qeverie, edhe ata që e duan edhe ata që s’e durojnë vet Rambon- unisono- janë të mendimit që është gabim, lëshim, budallëllëk, marrëzi, poshtërsi, idioti e çka jo tjetër ajo që francezët kanë bërë.

Pastaj vijojnë kritikat: për Serbinë dhe serbët, ndërkombëtarët dhe Brukselin e dialogun, pak Qeverinë dhe fare në fund, mbyllin tekstet.  Vetëtimthi më shkrepin dy a tre gjëra në mendje: si u bë që pas arrestimit që ia bënë sllovenët- Hashimi, Isa, Edita & co. s’e denjuan ta hapin këtë temë me atë gruan e Italisë në Bruksel? S’e denjuan sepse s’i kanë hapur temat e varreve të më shumë se 1000 shqiptarëve të zhdukur e lëre më të fletarresteve të cilat, vazhdoj të mendoj, janë punë kompjuterësh… Vetëtimthi më shkon në mend pokështu: bile për një gjë bujtina që Colmar i Elsass-it të Francës iu bë Ramushit ia ndali Toma Nikoliqit të kalonte “Badnje veče” në Kosovë!   Se, poqese nuk do të ndalej i pari në Francë i dyti, si të gjithë të tjerët, jo vetëm që do të vinte në Kosovë për ta kaluar natën por të nesërmen me fytyrë të enjtur prej Šljivovice, do t’ua kishte çuar do selame edhe serbëve në Beograd dhe sidomos shqiptarëve në Kosovë.

Një risi në tërë këtë tam-tam publicistik është që duket një angazhim i pazakonshëm (lexo: jashtëzakonshëm) i Tiranës me arrestimin e Ramushit. Aq sa e tëra filloi të merr përmasa bizariteti partiak (Luli versus Edi).

Por ajo që trishton me Tiranën politike e publicstike është që ende s’po e gjejnë ta zërojnë atë që qoftë në zyra ashtu edhe kafene ia thonë njëri- tjetrit: si është e mundur që Kosovën e shkallmuar përtoke vazhdon që ta sjell në gisht Hashimi. Me paaftësinë dhe djallëzinë së cilës ditë e natë tash 17 vjet ia ndjejnë pasojat 2 milion të burgosurit e tij. Dihet se në Shqipëri e kanë zor, e kanë të pamundshme- ta deshifrojnë artin e tij të mbajtjes së pushtetit- sepse ia njohin “limitet” dhe limitet- kur u shkruan (mesazhe), kur lexon (fjalime), kur bashkëbisedon (privatisht).   Ndjenja e tyre për Hashimin është e dyzuar sepse e kalon dinakërinë e një Nano-je, pabesinë e një Mete, çmendurinë e një Doktori, delirin e një Edi apo edhe thellësinë e profeceinë e një Ibrahim Rugove.  Ajo që ndoshta s’e dijnë për Hashimin është që ky ka prej të gjitha këtyre ngapak por më vete e ka edhe dellin e politikbërjes bizante,  sllave.  Prandaj Hashimi e ka Serbinë në lojë. Pa  serbët në lojë, Hashimi do të kishte shkuar kaherë prej skenës së Prishtinës. Përmes kartës serbe ai ka siguruar krejt mbijetesën (me ndërkombëtarët) të cilët psh. Edi i shante aq keq në editorialin e tij. Por ajo që Edi s’e thoshte edhepse e din është se ndërkombëtarët, përfshirë edhe Gjykatën Speciale, janë Hashimi.

Dhe nuk janë Ramushi.

Këtij bile- pas shkëputjes prej 8 vitesh i janë dashur nja 3 vite të mira derisa ka “mbërritur” në Tiranën e re politike e publicistike. Prandaj Tirana e përjeton, ndjen, pranon Ramushin më ndryshe se Hashimin.

Dhe kjo këtë të fundit e çmend. Dhe gëzon që Ramushi këto netë po i kalon në Elass. Por më së shumti frikëson. Sepse këso radhe s’do ta ketë shansin e shtruarjes së tepihut të kuq…

II.

Kosova e lodhur dhe mbërthyer nga krimi e korrupsioni, dimri i egër dhe pashpresa për një vit më të mirë vazhdon ta ketë vetëm një parashije të asaj se çfarë në javët dhe muajt që vijnë do ta presë: pashpresa deri në pafundësi.

Kosova e izoluar duhet të pajtohet me faktin që me të këtë vit s’do të merret askush. As Amerika e cila ka tjera halle e aq më pak Europa e cila po provon ta gjejë veten. E shumta, me Prishtinën ndërkombëtarisht do të merren gjykatës, prokurorë, policë të cilët nga Shkurti i këtij viti do ta dridhin Prishtinën me Aktakuzat e para kundër (ish)Komandantëve të UÇK-së.

E rëndë?  Jo.

E tmerrshme. Sepse një populli do t’i shkruhet njollë në histori. Edhepse për më shumë se një shekull ky komb luftoi për Pavarësi, para një shekulli e ca vitesh padrejtësisht u nda nga “trungu” i tokave shqiptare dhe tashti njerëz të këtij nënqielli duhet të shfaqen para një Gjyqi ndërkombëtar për krime lufte… në një luftë lirie!

Këtë Gjykatë, të cilin Edi e mallkonte aq shumë, Kosova nuk ua ka patur e as s’ua ka borxh ndërkombëtarëve e as luftëtarëve.

Ky Gjyq që Kosovës i bëhet është peshqeshi që Hashimi i bëri vendit të tij.

Tekefundit për diçka duhet të mbahet mend edhe ky. Qoftë kjo edhe në formë të një fusnote! / Marrë nga Cufaj.com

10/20/2017 19:26

Thaçi merr mbështetjen e OSBE-së për organizimin e zgjedhjeve