Opinion

Tirana krejt indiferente me zgjedhjet në Kosovë!

06/13/2017 17:47
nga:Ben Andoni

Zgjedhjet e Kosovës nuk i kanë zhgënjyer pritshmëritë e njerëzve që analizojnë proceset zgjedhore. Brenda parashikimeve ato kanë nxjerrë fituese koalicionin e ashtuquajtur të Luftës, që do të thotë se PDK, AAK, Nisma, që tërheqin pas dhe një sërë partish të vogla do të përgatiten të parat të marrin mandatin e drejtimit të vendit. Po brenda parashikimit ishte edhe rezultati i tyre. Befasia, në fakt, edhe pse nuk ka qenë fare befasi, është dyfishimi i votave të Lëvizjes Vetëvendosja nga viti 2014 dhe kalimi në vendin e tretë të partisë trashëgimtare të Rugovës, LDK. Kjo e fundit përgjegjës për performancën e saj të dobët ka gjetur vetëm PDK-në, me të cilën ka drejtuar në vitet e fundit përmes një krize parlamentare dhe politike gati skajore.

Ndërkohë, pak qindra kilometra më tutje, e habitshme ka qenë indiferenca e Tiranës zyrtare për këto zgjedhje. Arsyeja më e kuptueshmja lidhet me vetë energjinë që po merr procesi zgjedhor në Shqipëri, i cili gjendet në një udhëkryq të madh, por që gjithsesi, ashtu si në Kosovë, është i parashikueshëm, sa i përket rezultateve të pritshme të formacioneve. Ashtu si është po kaq konfuz edhe interesi i faktorëve të ndryshëm në Shqipëri sa i përket Kosovës. Duhet thënë se në atë nivel që janë marrëdhëniet e dy shteteve shqiptare, kjo indiferencë tregon pak a shumë edhe sesa interesa të përbashkëta kanë. Këto të fundit janë zbehur aq shumë saqë edhe mbledhja e fundit e dy qeverive në Vlorë nuk u realizua. Nga ajo që u zbulua, të dy qeveritë nuk kishin më se çfarë të raportonin sa i përket projekteve të përbashkëta, që kishin mbetur në letër dhe që tirreshin nga takimi në takimin e radhës patetik.

Për fat të keq, rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit në Kosovë, po na tregon se jo vetëm që mungon zgjidhja e duhur, porse vendi do të përballet sërish me temat e mëdha, për të cilat ka qëndrime shumë të paqarta. Tashmë rëndësinë më të madhe do ta marrë krijimi i Bashkësisë (Asosacioni) së Komunave serbe, nuk mbetet më pas Demarkacioni dhe kuptohet formimi i ushtrisë. Ndërkohë që autoritetet kosovare i janë shmangur me shumë kujdes dhe pasojave që do sjellë në zhvillimin e vendit, fletë-arrestet e Gjykatës së Luftës. Këtu shtohet dhe një temë tjetër, që pothuaj nuk u cek fare dhe që lidhet me Shqipërinë. Nuk mjaftojnë më thëniet patetike të politikanëve të dy shteteve sesa përkitjes në terren të atyre që është premtuar: Treg i përbashkët, përpjekja për funksionalizimin e lidhjes energjetike dhe sisteme të përbashkëta në arsim e me radhë.

Nga ana tjetër, edhe Tirana zyrtare nuk është se e ka shumë në axhendat e saj Kosovën. Kuptohet se në materialet dikasteriale gjenden projekte dhe plane bashkëpunimi, por krijimi i një baze dhe sidomos fryma për një zhvillim të përbashkët dhe ndihmë reciproke mungon krejtësisht. Prodhimet bujqësore të Shqipërisë ende kalben fushave sepse qeveritarët e Tiranës merren me retorikë, që fsheh stimulimin e importeve nga vendet fqinje. Ashtu si importet nga Kosova jo rrallë vështirësohen dhe u krijohen barriera me lloj-lloj paragjykimesh.

Gjithsesi, në formën pa ndonjë zgjidhje të qartë ku është Kosova në këto momente pas zgjedhjeve, përshtypja më e madhe që të lë trajtimi i këtyre zgjedhjeve nga Tirana është fakti se ajo pothuaj e trajton Kosovën, sikur flet për një shtet krejtësisht të huaj. Kosova dhe Shqipëria duket sikur mbartin interesa krejt të ndryshme dhe fare larg paradokseve patetike, që na kumtojnë politikanët e dy anëve për vëllazëri dhe bashkëpunim frytdhënës. (Javanews)

09/13/2017 07:54

Shqipëria është pas Kosovës!