Opinion

Ta ruajmë Demokracinë, ta mbështesim Republikën

08/09/2017 13:10
nga:Mirsad Voca

 

  1. Për një demokraci mbi frymën e popullit

 

Nuk kalon asnjë ditë pa e vajtuar mungesën e interesit të qytetarëve në politikë, abstenimi i të cilëve, në çdo zgjedhje, konsiderohet si barometër i demokracisë.

 

Në të njëjtën kohë, sot ekzistojnë në pothuaj tërë Evropën formacione politike që janë duke sfiduar themelet e sistemit aktual politik, me një anëtarësim në rritje. Të ballafaquar me këtë, partit aktuale konkuruese gjithnjë shfaqin idetë e tyre duke menduar, siç pretendojnë ato, për të rinovuar institucionet.

 

Aktualisht brenda masave shoqërore po zhvillohen debate lidhur me politikën në kuptimin antik, në kuptimin e një organizimi shtetëror të përbashkët e jo në atë të Shtetit modern.

 

Rishkrimi i Kushtetutës, rishikimi i Bujqësisë dhe çështjes së punës, punë e parreshtur kundër varëfërisë dhe mënyrës së shpërndarjes së pasurisë po shfaqen si tema të domosdoshme në shoqëritë evropiane.

Thënë thjeshtë sot demokracia ka nevojë të tejkalojë institucionet qeverisëse të cilat dita ditës po e ngulfasin frymën e vërtetë demokratike. Komuniteti politik ka nevojë që të gëdhendet në mënyrë që të jetë sa më i pranueshëm. E gjithë kjo do të bënte që parimet demokratike të mishërohen në mënyrë që të mund të jetohen. Dhe mendoj se nuk është e mjaftueshme që vetëm të reflektojmë lidhur me këto parime, mirëpo të veprojmë për zbatimin e tyre. Pra parimi mbi barazinë e gjinive, i menduar dhe i kuptuar përmes menaxhimit të kohës së marrjes së fjalës, parimi për inkurajimin e gruas për të marrë fjalën, ai i qasjes të të gjithëve në dije dhe mësim dhe ai i solidaritetit, duhet të kuptohen si investim indivudual në projekte nga të cilët do mund të përfitojnë të gjithë. Përmes marrjes së fjalës publike, secili do të mund të afirmojë legjitimitetin e vet për tu shprehur, për të formuar një opinion politik. Duhet të krijohet një hapsirë demokratike ku zëri i individit, grupit, shoqërisë të ndëgjohet më shpesh dhe jo vetëm në rrethana të kërkesës së votës por përtej përkufizimit me votim, me zgjedhje.

Aktualisht mund të them se, duke vëzhguar rrjedhën e të bërit politikë në vend, shfaqet një ndjenjë pesimiste, megjithatë që të mos jetë pothuaj e paarritshme, do të duhet që t’i lëmë fillimisht hapësirë individit, qytetarëve, shoqërisë që vetvetiu ta ripërtrijnë frymën demokratike. Dhe në mënyrë të parreshtur të vazhdohet me këtë qasje  sepse konsideroj  se është e vetmja rrugë që të ndiqet një frymë e lirisë demokrake, një frymë nga populli dhe për popullin.

 

  1. Për një barazi demokratike pa dallime

 

Aktualisht Demokracia po vazhdon të shkëputet nga “fryma demokratike” duke u shëndrruar në një regjim politik të cekët dhe të dobët meqenëse mbështetet mbi një aderim të pranuar nga popullata të caktuara, për dallim nga regjimet autoritare, që kanë për bazë frikën, cenzurën dhe represionin.

 

Shoqëritë moderne janë heterogjene, mbi të cilat ka interese të ndryshme dhe divergjenca ekonomike, potenciali konflikuoz i të cilave shfaqet sipas rrethanave (konjukturës). Megjithatë, të mendohet se një ditë këto shoqëri do të mund të zhduken është vetëm një iluzion.

 

Populli, ashtu siç e konsiderojnë regjimet demokratike moderne dhe koncepti unifikues i tij, sot mund të konsiderohen vetëm si një unitet fiktiv në tekstet kushtetuese. Në të vërtetë, ai mbetet i ndarë në mënyrë të shumëfisht, dhe politikat e udhëhequra në emër të popullit nuk mund asnjëherë të kënaqin të gjithë. Një regjim demokratik, duhet të përfshijë jo vetëm një pluralizëm politik, i cili konsiderohet i pranueshëm në përgjithësi, por dhe një pranim të diversitetit shoqëror, ideologjik dhe kulturor. Tensionet që rrjedhin nga ky diversitet duhet të trajtohen, aq sa të jetë e mundur për të siguruar një maksimum të barazisë së të drejtave, në mënyrë që të qëndrojmë larg represionit si formë autoritare qeverisëse. Rregulla e mazhorancës (shumicës), aktualisht e nevojshme për të krijuar një qeveri, nuk duhet të shpie tek një represion ndaj minoriteteve, çfarëdo qofshin ato.

 

Demokracia mbetet gjithnjë në rrezik nëse konsiderojmë se nuk e ka siguruar stabilitetin e saj, jo vetëm në aspektin afatgjatë sepse asnjë regjim politik nuk është i përhershëm por dhe nga pikpamja afatmesme dhe afatshkurtë.

 

Format institucionale të ndërlidhura me regjimet politike demokratike, zgjedhja e autoriteteve politike me votim të përgjithshëm, liritë publike, pavarësia e gjyqësorit, janë të nevojshme, megjithatë, institucionet e tilla nuk mjaftojnë për të garantuar qëndrushmërinë dhe vazhdimësinë e demokracisë, duke patur parasysh se të gjitha këto insitucione mund të keqpërdoren, përmes korrupcionit, përmes lobingut mbi vendimet politike, monopolizimit politik dhe ekonomik të mediave kryesore, përmes kufizimit të lirive të imponuara në emër të sigurisë në përgjithësi.

Garancia e vetme dhe e fundit për demokracinë qëndron në frymën e qytetarëve, e shoqërisë, e cila do t’i jap kuptim institucioneve demokratike. Më një praktikë të tillë demokratike do të mund të krijonim një mburojë kundër keqpërdorimeve në pushtet. Demokracia jo vetëm që mund të rrezikohet mirëpo edhe të zhbëhet atëherë kur kjo frymë të dobësohet apo të zhduket.

 

Është legjitim shqetësimi që sot të mendohet se fryma demokratike në Evropë është duke u zbehur për shkak të thyerjeve të mëdha brenda vet popujve evropian. Një shqetësim i tillë mund të konsiderohet si i vërtetë duke u nisur nga këndvështrimi i suksesit të partive dhe lëvizjeve ksenofobe dhe rilidnjës së nacionalizmave identitarë.

Nuk mund të themi se përgjegjësia për këto zhvillime mund tu vihet popujve evropian dhe nuk është zgjedhje t’i qasemi një procesi gjykues ndaj shtresave të popullatave në mesin e të cilave ndodhin këto fenomene.

Do të ishte shumë më e favorshme dhe më e përshtatshme të krijojmë kushte për një krijim të qytetarisë demokratike. Edukimi i duhur do të duhej të ishte qelësi përmes të cilit do të krijohej kultura e barazisë dhe respekti i institucuoneve të Shtetit të së drejtës. Ky edukim nuk mund të përkufizohet vetëm me një mësim shkollor të edukimit civil të cilin e këshillojnë rregullisht autoritetet publike për të luftuar kundër jo civilizimit. Edukimi qytetar demokratik bëhet para së gjithash, në përditshmëri, përmes jetës së përditshme të një shoqërie që kërkon pandërprerë barazinë dhe refuzimin e përjashtimeve. Jo vetëm vendi ynë por e tërë Evropa sot është larg këtij ideali, dhe politikat ekonomike si dhe diskursi i përgjegjsëve politik janë duke krijuar një hendek edhe më të madhë në këtë drejtim.

 

  1. Për një frymë demokratike individ-shoqëri

 

Mund të themi se ekziston një kontradiktë sa i përket kapitalizmit bashkëkohorë, një kontradiktë ndërmjet kapitalit dhe demokracisë, në mes kërkesave për përfitim të kapitalit të globaliuzuar dhe të drejtave demokratike.

Në vendet perëndimore, zhvillimi i kapitalizmit është shoqëruar historikisht me rritjen e lirive të nxitura nga luftat progresiste. Sot gjërat kanë ndryshuar, dhe është duke ndodhur e kundërta.

 

Nëse sot përqendrohemi vetëm përball regresionit demokratik, rrezikojmë që të lëjmë anash një fenomen edhe më kompleks, i cili quhet “demokraci reprezentative” që përbën një lloj prototipi midis mendjes oligarkike dhe resurseve demokratike. Meqë jetojmë në regjime reprezentative të profesionalizuara me ideale demokratike, mekanizmat e përfaqësimit përmes ekspertëve të politikës përjashtojnë njërin nga dy shtyllat demokratike : vetëqeverisjen e popullit. Shpesh

Partitë në Evropë e kanë harruar këtë shtyllë me rendësi vitale për frymën demokratike.

 

Ndërlidhja në mes vetëqeverisjes individuale me vetëqeverisjen e popullit, si një bashkëdyzim për demokracinë, do të mundësonte një eksplorim të një fryme demokratike, dhe këtu është fjala për një frymë në kuptimin jo religjioz mirëpo në suazën e një kërkimi individual dhe bashkpunues të kuptimit dhe të vlerave të ekzistencës.

 

  1. Çfarë rrugëdalje?

 

Aktualisht në Evropë ekziston ndjenja se demokracia është e rrezikuar, e refuzuar dhe e lënë anash nga qytetarët, të dobësuar nga teknokracia dhe të eklipsuar nga lobingje të shumta financiare dhe ekonomike.

 

Qytetarët kanë fituar epitetin e një roli thjeshtë si votues. Dhe zgjedhjet që organizohen çdo katër apo pesë vite në vende të ndryshme nuk mjaftojnë që demokracia të mbijetojë. Dhe këtu shfaqet një urgjencë për të ndryshuar kursin e tendencës së mënjanimit të qytetarëve në mënyrë që qasja e tyre në vendimmarrje të vihet në rendin e parë.

 

Eksperimentimi demokratik dhe kreativiteti i Shoqërisë civile mund të jenë si një formë veprimi kundër dekurajimit, popullizmit dhe kundër tendencës së qasjeve ekstreme. Iniciativa të tilla konkrete dhe të besueshme mundësojnë shpikjen e mënyrave të organizimit dhe të vendimeve për të zgjedhur së bashku sfidat e mëdha të epokës sonë. Fuqia e këtij tranzicioni do të fillonte me angazhimin e secilit.

 

Demokracia është një formë e organizimit politik tradicionalisht e përcaktuar si “qeveri e popullit, nga populli dhe për popullin” (Abraham Lincoln). Veçantia qëndron në atë se populli apo shoqëria nën udhëheqje, të konsiderohet në të njëjtën kohë edhe si udhëheqje, si qeveri nga po e njëjta shoqëri apo si vetëqeverisje, lidhur me vendimet e mëdha që ndikojnë në jetën e qytetit. Pra Populli mbetet në të njëjtën kohë si subjekt dhe si sovran, dhe sistemet demokratike nga ky kendëvështrim do të vepronin në interes të popullit.