Opinion

A do ta përmirësojë dot Rama 2, lidhjen Shqipëri-Kosovë?!

08/29/2017 07:32
nga:Ben Andoni

Për ta kuptuar sesi po ecin marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë mund t’i referohesh takimit të përgatitur të dy qeverive Rama-Mustafa, programuar të mbahej pak javë më parë në Vlorë. Ajo ishte e katërta mes dy qeverive, por se dështoi për një element të thjeshtë, që e evidentuan kolegët kosovarë prej burimeve të tyre zyrtare: Të dy qeveritë nuk kishin çfarë të raportonin, sepse në fakt nuk kishte lëvizur asgjë nga takimi i fundit.

Veç butaforisë së madhe së organizimit dhe gjetjeve skenografike takimet mes qeverive kosovaro-shqiptare nuk mbahen mënd se kanë ndryshuar ndonjë gjë të madhe. Për fat të keq, ato nuk kanë kuptuar ose më thjeshtë nuk kanë arritur t’i lëvizin shtetet shqiptare kah trendit ndërkombëtar, për mënyrën sesi i shikon dhe kërkon të ardhmen nga të dy vendet.

Ndërsa dy vendet tona shqiptare, sepse jemi të tilla, paçka pretendimeve dhe thirrjeve patetike, janë të mbarsur me probleme, që më së pari ia shkaktojnë njëra-tjetrës. Ato fillojnë nga bllokimet e ndryshme që bëhen reciprokisht dhe barrierave ekonomike, por edhe në paragjykimet e dyanshme. Gjuha, ekonomia, identiteti etj., janë mes tyre, por shqetësimet janë edhe të natyrave social-kulturore-politike. Për të mos rreshtuar problemet ekonomike. Janë të shumta rastet e krizave doganore, ku është dashur ndërhyrje nga lart, ashtu si është shqetësues mentaliteti sesi shqiptarët dhe kosovarët e shikojnë njëri –tjetrin. Megjithë mbledhjet ballkanike në sistem që rrjedhin nga angazhimet e BE-së për një treg rajonal, Shqipëria dhe Kosova nuk arritën të bëjnë dot një treg të përbashkët mesveti, që pas vitit 2000, kur Kosova frymoi e lirë larg zotërimit sllav.

Shqipëria dhe Kosova nuk respektuan dokumentet institucionale shkollore për shumë kohë, mosmarrëveshjet për mallrat janë të shpeshta, ndërkohë që sot e kësaj dite nuk merren vesh sesi të rregullojnë “Rrugën e Kombit”, ende e pambaruar dhe që ha shpesh koka shqiptarësh. Turizmi patriotik po bjerret teksa një statistikë e “Monitor” jepte shifra aspak miqësore të frekuentimit të bregdetit shqiptar nga kosovarët.

Krijimi i dikasterit të Diasporës në qeverinë Rama-2 normal që nuk do ketë lidhje me Kosovën, sepse diaspora e Shqipërisë janë qytetarët e saj të shpërndarë në të gjithë botën dhe që ia parashtruan hapur Tiranës zyrtare të gjithë problematikën e tyre në takimin e pak muajve më parë, organizuar nga qeveria Rama-1. Ish-kryeministri Majko, që tashmë do drejtoj këtë dikaster, me patriotizmin e tij të zakonshëm folklorik veç vullnetit të tij të mirë (mban edhe pasaportën e Kosovës) edhe sikur të kishte atribute për Kosovën nuk mund t’i luante, pasi mes dy vendeve tona paragjykimet jo vetëm nuk janë pakësuar por paradoksalisht janë shtuar.

Fqinji “i çuditshëm” është etnikisht i njëjtë, por gjithnjë i konsideruar larg nga Tirana, që e ka parë disi me indiferencë zhvillimin e qarqeve të ndryshme kosovare në kulturë-politikë-art, ashtu si Kosova e shikon gjithmonë me indiferencë dhe diçka si shemri hijen e Tiranës zyrtare. Në histori Shqipëria ishte “vendi amë” idilik për kosovarët që u bjerr shpejt kur ranë kufijtë, kurse kosovarët u identifikuan për shumë kohë me ata mashtruesit ambulantë, që zbritën të fitonin diçka në vendin tonë djerrë. Në dekada kosovarët që konsideroheshin irredentistë nga serbët e pësuan nga Ahmet Zogu, por jo më pak nga Enver Hoxha, që gjithsesi e mban një meritë se përcolli propagandë dhe idil për të ardhmen e Kosovës, mes atyre që do formonin formacionet luftarake më vonë.

E sa për atë që ka ndodhur në 27 vitet e fundit është më mirë të mos e kujtojmë. Të mjafton të kujtosh paradoksin e falangave të Berishës, që mbanin kinse flamurin e patriotizmit e që përcillnin Shqipërinë në kaosin e 1998, kur Kosova ishte në prag lufte të kuptosh vëmendjen tonë ndaj saj. Për të mos përmendur paradoksin tjetër të Berishës kur në të njëjtin vit bënte propagandë për protesta të kosovarëve kundër vjedhjes së zgjedhjeve nga Sllobos, ndërkohë që Shqipëria duhej të punonte për të atë furtunë me të cilën po përballej Kosova. Atëkohë Majko si kryeministër do i duhej ta trandte ish-presidentin e shqiptarëve që kinse nuk shikonte se ç’ndodhte në Kosovë. Rugova nuk do begeniste të zbriste fare nga aeroplani në Rinas dhe lista nuk mbaron këtu.

Liderët shqiptarë e kanë shfrytëzuar çështjen e Kosovës për pikët e tyre të karrierës, paçka se kryeministri Rama e ka artikuluar qartë, ndryshe nga paraardhësit e tij, që përdornin eufemizma, çështjen e Kosovës. Ndërsa paradoksi mbetet edhe në anën tjetër sepse edhe Kosova është gjithnjë konfuze për zhvillimet shqiptare dhe këtë e ka reflektuar me personazhet pa identitet dhe individët që ka ndihur apo reagimet pa stil disa herë. Me pak fjalë, mbi Ramën 2 rëndon një detyrë të madhe, që duhet të kthejë në përmbajtje atë formë të bukur me të cilën janë paraqitur deri tani marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë dhe jo në ato takimet patetike, që mbahen mënd vetëm për rekuizitat dhe garat e imazhit se cili do i organizonte më mirë. (Javanews)

11/15/2017 12:06

Sqarohet përfundimisht pse Kastro Zizo nuk është më pjesë e Festivalit të RTSH-së