Lajme

Sprova e zgjedhjeve lokale në Maqedoni

08/07/2017 20:30
nga:M H

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni është duke punuar me intensitet për organizimin e zgjedhjeve lokale, të cilat u caktuan të mbahen më 15 tetor të këtij viti.

Por nga asociacioni CIVIL, i cili ka ndjekur shumë procese zgjedhore në Maqedoni, theksojnë si më problematike shfrytëzimin e resurseve shtetërore për fushatë dhe korrupsionin politik, si dhe presionet në forma të ndryshme ndaj trupit elektoral, transmeton Zhurnal.mk.

Xhabir Deralla,drejtues i këtij asociacioni thotë se sfida më e madhe për Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve mbetet pastrimi i listës së votuesve nga të ashtuquajturit votues fantom.

“Për fat të keq, lista e votuesve gjatë proceseve të kaluara zgjedhore nxiti mosbesimin e qytetarëve, sa i përket procesit zgjedhor dhe rezultatet që u prodhuan”.

“E dini se në listën e votuesve figuronin një numër i madh i votuesve të ashtuquajtur votues fantazmë dhe nga ana tjetër, një numër i madh i qytetarëve, të cilët dëshironin të votojnë nuk figuronin fare. Obligim i shtetit është t’i mundësojë çdo qytetari të drejtën për të votuar dhe gjithsesi shumë e rëndësishme është të dihet se sa është numri i qytetarëve me të drejtë vote, dhe të eliminohen të gjithë votuesit fiktivë”, thotë Deralla.

Partitë politike kanë thënë se janë të gatshme për tu futur në garë zgjedhore, duke theksuar se përgatitjet i kanë filluar që para shpalljes së zgjedhjeve, por ata nuk i kanë shpalosur emrat e kandidatëve me të cilat do të garojnë.

Njohësit e çështjeve politike thonë se zgjedhjet lokale të 15 tetorit shihen si test, në veçanti për partitë politike maqedonase, të cilat në zgjedhjet e fundit parlamentare dolën pothuajse me rezultat të barabartë.

Përderisa, tek partitë politike shqiptare, sfidë do të parqet ajo se partitë e reja, të cilat për herë të parë garuan në zgjedhjet parlamentare dhe siguruan mandate, do të arrijnë të sigurojnë drejtimin e komunave.

Arsim Sinani thotë se këto zgjedhje lokale janë më një rëndësi të veçantë, për shkak se rezultati i zgjedhjeve do të përcaktojë dhe të ardhme e kësaj përbërje qeveritare.

“Këto zgjedhje lokale do të jenë një fushëbetejë politike mes Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë dhe VMRO-DPMNE-së, për të parë se çfarë numrash kanë. Realisht pritet që LSDM-ja ta sfidojë VMRO-DPMNE-në”, thotë ai.

“Në anën tjetër, në korpusin politik shqiptar do të kemi një betejë të ashpër mes partive politike shqiptare, pasi zgjedhjet e kaluara nxorën me shumë relevancë tri subjekte politike, Bashkimin Demokratik për Integrim, Lëvizjen Besa dhe Lëvizjen për Reforma të Partisë Demokratike Shqiptare”, shton Sinani.

Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi të dielën bëri të ditur se zgjedhjet lokale do të mbahen më 15 tetor, në 82 komuna të vendit si dhe në qytetin e Shkupit, si njësi e veçantë e pushtetit lokal.

09/24/2017 12:22

Voton edhe presidenti gjerman