Opinion

Solidaritet i imponuar në BE

09/07/2017 10:02
nga:Barbara Wesel

Gjykata Evropiane e Drejtësisë e hodhi poshtë padinë e Hungarisë dhe të Sllovakisë kundër rishpërndarjes së refugjatëve në BE. Kjo pritej. Por me këtë problemet do të fillojnë tamam, mendon Barbara Wesel.

Qenë të ndryshme shkaqet juridike të sforcuara, me të cilat Hungaria dhe Sllovakia kundërshtuan vendimin për rishpërndarjen e refugjatëve të Këshillit Evropian. Gjykata Evropiane e Drejtësisë megjithatë tani i deklaroi vendimet e marra para dy vjetësh për kuotat e shpërndarjes si të ligjshme. Marrëveshja e Lisbonës, e cila rregullon veprimtarinë e BE lejon vendime të marra me shumicë. Pikë. Por me këtë problemet do të fillojnë tamam, se këtu bëhet fjalë për politikë dhe jo për terminologji juridike.

Reagim i zemëruar

Ministri i Jashtëm hungarez ishte i pari që bubulloi me të madhe dhe foli për një vendim të keq, të papërgjegjshëm. Sipas tij, tani “fillon lufta e vërtetë” kundër vendimit të refugjatëve. Sllovakia nga ana e saj do ta pranojë vendimin, ajo është tërhequr nga kursi i përplasjes me Brukselin. Grupi i Vishegradit nuk është më i bashkuar, përfaqësuesit e vijës së fortë ndërkohë ndodhen në Poloni dhe më tej në Hungari.

Para së gjithash Viktor Orbani e ka vënë propagandën kundër refugjatëve, të huajve dhe myslimanëve në qendër të politikës së tij. Ai thotë se lufton për një shtet homogjen. Në fakt lufta e tij drejtohet në radhë të parë kundër myslimanëve, të cilët ai i barazon në mënyrën më të keqe me terroristët. Në Poloni puna është edhe më keq. Shefi i PiS, Jaroslaw Kaczynski duket se lufton më me tërbim për të ashtuquajturën pastërti të popullit polak. Te Orbani nuk e di kurrë, se kur cinizmi dhe pozicionet radikale të djathta ia lënë vendin reflektimeve pragmatike. Kurse shefi i partisë polake është doras me bindje. Por të dyja qeveritë ndodhen gjithnjë e më shumë në konfrontim me parimet e BE.

Çfarë duhet bërë?

Komisioni i BE do të nisë luftën për zbatimin e vendimit. Ai mund të caktojë të paktën gjoba të mëdha, por të cilat duhet të konfirmohen sërish nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë. Krejt në fund të kësaj procedure, gjobat mund të mbahen nga ndihmat e BE për të dyja vendet. Por një procedurë e tillë shumicën e herëve zgjat me vite.

Ka megjithatë masa të menjëhershme kundër ngatërrestarëve. Komisioni Evropian në Bruksel sapo ia refuzoi Hungarisë pagesën e 400 milionë eurove për ndërtimin e gardhit me Serbinë. Solidariteti nuk është rrugë njëkalimshe, u tha për këtë.

Bëhet fjalë për parimet bazë evropiane

BE ka këtu një problem parimor: disa nga shtetet e tij evropianolindore po shkëputen nga linja. Ata ndodhen rrugës drejt sistemeve autokratike njëpartiake me gjurmë të ideologjisë fashistoide. Dhe në rastin e Varshavës dhe të Budapestit nuk bëhet më fjalë për ndryshime mendimesh të veçuara, por për parimet. Dy anëtarë ndërkohë i vënë pikëpyetje në mënyrë sistematike bazës së bashkësisë. Por njëkohësisht ata kërkojnë në mënyrë të paturpshme t’i marrin pagesat miliardëshe nga buxheti i BE si një të drejtë të tyre. Për ta Brukseli është vetëm arka qendrore, prej së cilës ata vazhdojnë zgjerimin e sundimit të tyre.

Parimet politike të BE janë të detyrueshme. Në BE nuk ka vend për diktatura. Qeveritë e shteteve të tjera nuk duhet të struken më tej, por duhet të nisin debatin e hapur me këto shtete, që ndodhen në rrugë të gabuara antidemokratike.

06/23/2017 08:55

Dashuria e re gjermano-franceze