Lajme

Si ia mori 51 vota Muharrem Nitajt të AAK-së, Mërgim Lushtaku i PDK-së

07/06/2017 19:20
nga:D.I

Muharrem Nitaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kishte qenë i bindur se në qendrën e vendvotimit 0103C/03R që ishte një klasë në një shkollë diku në Deçan, nuk ka mundësi që të mos ketë asnjë votë.

Në numërimin e parë të votave, Nitaj, në atë qendër të vendvotimit në Deçan që njihet si bastioni i AAK-së së Ramush Haradinajt, nuk e kishte marrë asnjë votë.

E Mërgim Lushtaku, kandidat i PDK-së në listën e përbashkët me Nitajn e AAK-së, kishte marrë 51 vota.

Nitaj kishte vendosur që të ankohet në KQZ dhe ankesa e tij ishte marrë parasysh. Ishte vendosur që të rinumëroheshin votat në atë qendër vendvotimi.

E kur rinumërimi ishte bërë, është gjetur se Nitaj ka pasur të drejtë. Pas rinumërimit, siç ka gjetur Insajderi, ka dalë se Nitaj ka marrë 51 vota.

E Mërgim Lushtaku, djali i Sami Lushtakut, kryetar i Skenderajt që u lirua nga Gjykata Supreme të hënën, kishte rënë në 0 vota.

Lidhur me këtë çështje, Lushtaku nuk ka dhënë asnjë përgjigje.

Lushtaku fillimisht është përgjigjur në telefon dhe ka kërkuar t’i shkruhet një mesazh, të cilit nuk i është përgjigjur.

Por këtë gjë e ka komentuar Muharrem Nitaj. Ai ka thënë se ka pasur një arsye të fortë kur ka vendosur të ankohet.

“Arsyeja pse unë e kam ankimuar atë kuti, ka qenë se në raportet e vëzhguesve të AAK-së kam pasur 51 vota”, ka thënë Nitaj.

Ai nuk ka dashur të komentojë faktin sesi ato vota i janë numëruar Lushtakut dhe jo atij.

“Mund të jetë gabim teknik dhe i paqëllimshëm, por mund të jetë edhe ndryshe”, ka thënë Nitaj, për Insajderin, por pa sqaruar sesi mund të ketë qenë “ndryshe” gabimi i bërë.

“Nuk dua të paragjykoj, por gabimi ka qenë serioz, si i qëllimshëm si i paqëllimshëm”, ka thënë ai.

E Nitaj ka thënë se kjo gjë që ka ndodhur me këtë kuti ka mundur të ndodhë edhe me kutitë e tjera.

“A mund ta merrni me mend sa kuti janë dhe për një gabim sa ky i imi, njeriu zgjidhet ose jo deputet. Në fakt kjo tregon sa i brishtë është sistemi ynë zgjedhor dhe sa lehtë i manipulueshëm mund të jetë ai”, ka thënë Nitaj.

11/23/2017 18:58

Numërohen votat me kusht në Gjakovë, a ka shpresë për Mimoza Kusarin