Opinion

Shqipëria është pas Kosovës!

09/13/2017 07:54
nga:Ben Andoni

Në orët e fundit anëtarët e Ekzekutivi të ri kosovar kanë marrë postet respektive. Pa shumë zhurmë, ministrat e vjetër u kanë lënë vend të rinjve përmes ceremonive shumë modeste, por tejet mbresëlënëse. Pothuaj të gjithë anëtarët në detyrë, i kanë pritur dhe janë ndarë miqësisht me anëtarët e rinj të kabinetit Haradinaj. Pa humbur kohë, ky i fundit, si kryeministri i tetë i Kosovës prej nga viti 2002, e ka marrë me vrull me një mal me takime duke marrë dhe shumë anëtarë syresh të kabinetit të tij. Edhe ai vetë është treguar shumë kortezial në postin e tij.

Paçka pretendimeve dhe pritshmërive për këtë Ekzekutiv, Kosova i ka treguar një masë tejet qytetarie Shqipërisë, për mënyrën sesi ndërrohet pushteti. Kuptohet se ndërrimi s’ka qenë aq radikal. Anëtarë të PDK-së janë sërish në qeverinë Haradinaj, porse të gjithë anëtarët e qeverisë Mustafa, përfshirë dhe atë vetë, kanë treguar shumë qytetari dhe respekt të protokollit, duke i mirëpritur ministrat pasardhës, duke u uruar detyrën dhe duke marrë pas konsiderata.

Nuk është se nuk ka ndodhur në Shqipëri e njëjta situatë, por është fakt se me vetëm përjashtime të rralla, shumica e ministrave të PD-së, gjetën lloj-lloj arsyesh, veç pak syreshëve, që të mos ishin në ndërrimin e qeverisë dhe dorëzimin e stafetës tek ata socialistë. Përfshirë këtu edhe ish-kryeministrin Berisha tejet strikt në detajet e protokollit, që jo vetëm nuk e ka pritur kryeministrin e atëhershëm të ri Rama, porse i la një kryeministri që i ngjante një gërmadhe, sa i përket infrastrukturës së brendshme materiale dhe që u bë burimi nga ku filloi propagandën e lodhshme të imazhit Rama.

Kuptohet nëse do të flisnim për moral, të dy situatat në Kosovë e Shqipëri janë pothuaj të ngjashme sa i përket qasjes. Mënyra sesi janë bërë koalicionet e reja dhe të vjetra dhe akrobacitë e pushtetit për emrat e ekzekutivit lënë shumë për të dëshiruar në të dy vendet tona, por një gjë mbeti mësim në këto ditë, që të paktën respektin protokollar të tranzicionit Kosova e ka përmbushur më së miri, duke na dhënë një mësim për funksionalizmin e një shteti normal, anipse Kosova përbën një mal me probleme që vetëm shtohen, por nuk pakësohen. (Javanews)

11/15/2017 12:06

Sqarohet përfundimisht pse Kastro Zizo nuk është më pjesë e Festivalit të RTSH-së