Lajme

Shpërthimi i Fatmir Limajt në gjykatë (Video)

05/16/2017 20:31
nga:Gazeta Blic

Seanca e sotme e gjykimit të Fatmir Limajt dhe të tjerëve, të akuzuar për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre, ishte e tensionuar. Kjo pasi që pala mbrojtëse, e sidomos i akuzuari Limaj, kërkonin vazhdimisht që të respektohej ligji.

Limaj po kërkonte përgjigje nga prokurori rreth raportit të ekspertëve për analizimin e SMS-ve dhe komunikimeve, të cilin raport ai e quajti “zemra e lëndës”.

“Kjo është zemra e lëndës dhe të gjithë e dijmë këtë”, tha Limaj.

Prokurori Charles Hardaway bëri të ditur se ka kërkuar sqarime nga ish-prokurori i rastit por se nuk ka marrë përgjigje.

Si rezultat, Fatmir Limaj dhe të tjerët kërkuan që seanca të shtyhet me arsyetimin se nuk po u respektohen të drejtat e tyre në procedurë.

“Ne kërkojmë përgjigjen e pyetjeve të prokurorit. Ju zonja kryetare keni marrë vendim në seancën e kaluar. Pse herën e kalume e keni shty seancën e sot nuk po e shtyni? Për të njëjtën arsye e keni shty herën e kalume. Çfarë rrethana të reja ka me vazhdu sot?”, pyeti i akuzuari Limaj.

Limaj e quajti skandal rastin e tij. “Një ish-prokuror që më ka persekutu qe nëntë vjet nuk po e respekton Gjykatën. Më ka persekutu që 9 vjet, e ju po thuni ishalla mos po na përgjigjet”, theksoi ai.

Kërkesa e mbrojtjes dhe e të akuzuarve për shtyrje të seancës u refuzua nga gjyqtarja Maria Tuma.

Ajo mori vendim që të vazhdojë marrja në pyetje e dëshmitarit Ali Aliu, me arsyetimin se prokurori nuk do të bazohet në dokumentacionin në fjalë.

Por, seanca u ndërpre pasi që dëshmitari Aliu kishte shkuar në Emergjencë për një rast familjar.

Në këtë proces, Fatmir Limaj akuzohet për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre.

Në procesin e njëjtë me Limajn dhe për akuza të njëjta me të nga Prokuroria Speciale e Kosovës ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka.

Akuza ndaj Limajt lidhet me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në komunën e Gjilanit.

Limaj këtë aktakuzë, që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2, më 30 tetor të vitit 2015 e cilësoi të ngritur me urdhër politik. /KALLXO.com/

12/09/2017 21:30

Moderatori tejkalon kufinjtë, ia fut duart te ‘zogu’ valltares në emision