Lajme

Shpërthen Halil Matoshi: I bën për “pesë pare” Bajram Gecajn e Faton Avdullahun

10/12/2017 23:30
nga:Gazeta Blic

Këshilltari për medie i kryeministrit, Halil Matoshi ka reaguar ndaj deklaratave të ish- zyrtarëve të qeverisë së kaluar, Bajram Gecaj e Faton Avdullahu.

Ai në një shënim të gjatë në Facebook, i quan edhe servilë, dy ish- këshilltarët e Isa Mustafës, raporton Gazeta Blic.

Shënimi i plotë:

Puna e madhe e Ramush Haradinajt një dore njerëzish u jep lumturi kurse pertacet i bë ziliqarë!

(Persiatje per turret dhe huqet deri në përmasat e gjuhës së urrejtjes të dy egocentrikëve të LDK-së, Faton Abdullahut dhe Bajram Gecajt)

Kryeministri i Republikës, Ramush Haradinaj e ka tempon lart mbi mesataren kosovare dhe poashtu e ka të theksuar thymosin (krenarinë e luftëtarit), prandaj është e natyrshme që të mbetunit dhe qyqanat nuk e duan (e urrejnë), sepse prinë me tempo dhe kur i sheh në sy ua rrëxon përdhe shikimin e rremë, që e mbajnë për krena!
Njerëzit e mëdhenj shpërndajnë buzëqeshje, sepse i bëjnë mirë punët e tyre – pra janë të zotët – dhe janë të realizuar në jetë, prandaj janë të lumtur , derisa pertacët dhe qyqanat e pashpresë shpërndajnë depression duke mohuar edhe ma të mirën që tjtra/tjetri e jep…
Dy opozitarë nga LDK-ja, që nuk dijnë për të shkruar as edhe një fjali të vetme pa gabime fillestarësh (Faton Abdullahu dhe Bajram Gecaj) pasi fabrikojnë armiq të paqenë, i shpallin ata edhe ‘hiç-a” për ta nxjerrë në pah hiçësinë e tyre politike dhe zbrastësinë brenda vetës së tyre.
Ata, për sa kohë që ishin ‘aparatçikë’ në pushtet, u patën kapardisur duke u sha me gjysmën e botës tonë (opozitën) e tash u ka mbetur për ta njollosur edhe gjysmën tjetër, (pushtetin) vetëm se tashmë po shfaqen nga gremina e mendimit – atje poshtë – ku kanë qenë përherë…

1. Faton Abdullahu dhe fjalitë e tij lapidare për nga mjerimi intelektual

Fjalia epike për nga budallallëku padyshim se është ajo ku shfaqet klithma e Abdullahut deri në formën e saj kërcitëse, duke harruar se ish shefi i tij, kryeministri i mërparshëm kishte premtuar liberalizimin e vizave por ai nuk qe në gjendje që ta procedonte në Kuvend temën e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, sepse më shumë se dhjetë deputetë të zgjedhur të LDK-së, kurrë nuk do ta votonin versionin e “Komisionit Meha.”
Ai kinsekomision ka hartuar një raport të lodhtë (rreth 15 faqësh) dhe të shkruar me përtesë (në të cilin më shumë flitet për darka e dreka, se sa për argumente) dhe tash, Abdullahu duke marrë rolin e mashtruesit të publikut që I rri për mrekulli, fajëson të tjerët përse deputetetët e parties së tij paralajmëruan “Jo-në” e tyre për atë version të demarkacionit.
“Nuk po na izolon Evropa, por mungesa e kurajos për t’u ballafaquar guximshëm me problemet e mëdha. Thaçi tash po i ndihmoni z. Haradinaj, pra Qeverisë aktuale dhe vetes së vet në rend të parë, duke u munduar ta kaloj problemin e vizave atje ku nuk e ka vendin, në Shqipëri. Këtë nuk na e ka borxh Shqipëria. Pse i bëni ata të ndjehen me faj që s’mund të na ndihmojnë. Jo, është presidenti dhe kryeministri që duhet të mirren me këtë problem, tash, menjëherë. Çfarë po ndodh me presidentin” – shkruan zyrtari (që tashti pas një lidhjeje familjare me Gecajn, është shndërruar në zyrtar të LDK-së) e që gati një jetë njeriu ka qëndruar në Prishtinë, i fshehur prapa perdeve, si ‘person jopolitik’?
Realisht, Abdullahu nuk di më shumë, sepse po të dinte pakëz mbi nivelin e testit PISA në Kosovë, nuk do të thoshte se Presidentit Thaçi e kryeministrit Haradinaj nuk paskëshin kurajë dhe guxim për t’u marrë me tema të mëdha!?
Këtë fjali të shkretë, po ta thoshte politikani i veshur me të zeza Vulin, i cili u thurr oda kriminelëve të dënuar për krime kundër njerëzimit, do të ishte hata, e lërë më një pinjoll i prishtinalive, denbabaden, dhe me një pedigre, mbase atdhetare familjare.
Në këtë rrafsh, Abdullahu duhet të dijë se Sllovenia dhe Kroacia janë tashmë anëtare të NATO-s dhe BE-së por kanë kontest të hapur kufitar për çka nuk u ndihmoi as arbitrazhi ndërkombëtar!?
Por këto dy shtete nuk e patën kusht për “Schengenin e bardhë” demarkacionin e kufirit me njëra tjetren dhe ky kusht nuk u është vënë as Malit të Zi dhe Kroacisë që kanë kontest kufitar për Prevllakën dhe shih ti, nuk iu vu kusht as Serbisë që nuk e ka të përfunduar demarkacionin me Kosovën!?
Pra ka përplot byrokratë në Bruksel, që bëjnë raporte dembele për Kosovën dhe jetojnë nga to, sepse po të përmbyllej çështja, ata mbesin të papunë, si Abdullahu dhe miku i tij Gecaj!
Ndërsa, tek kërkesa e Presidentit Thaçi që kosovarët të kenë dyshtetësi (passaporta shqiptare) nuk ka asgjë joligjore dhe kundërkushtetuese.
Abdullahu duhej ta dinte si patriot i madh shtihan (dhe për këtë më ka fort inat, që unë jam patriot kushtetues i Kosovës!) se në Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, shkruan me germa të zeza në të bardhë se Republika e Shqipërisë e ka për obligim të kujdeset për shqiptarët jashtë kufijve të shtetit shqiptar.
Pra në këto kondita dhe teknikisht Presidenti Thaçi nuk e ka bërë asnjë gabim në adresim.
Dihet se Karta europiane e njeh të drejtën e dyshtetësisë, madje edhe Republika e Kosovës ua ka njohur serbëve kosovarë këtë të drejtë!
Ta kërkosh një të drejtë, po është edhe guxim.
Kam qenë kritik i madh i Presidentit Thaiçi, megjithatë kur ai e riktheu temën e ushtrisë së Kosovës në debat unë i pata dalë në mbrojtje, edhe pse atëbotë isha analist i pavarur (RTV 21 , emisioni debatues Click).
Ai guxoi ta rihapte debatin për një temë “të fjetur” nepër dosjet e byrokratëve në Prishtinë e Bruksel. Pra ai çeli udhë për argumente dhe kundërargumente nëse Kosova e ka fituar të drejtën të ketë ushtrinë e saj.
Ishte një debat i madh ky, ndërmjet vendorëve por edhe ndërmjet qarçeve ndërkombëtare sepse sot, Perëndimi, (Amerika, Gjermania dhe Britania e Madhe) është më afër Kosovës se kurrë, që nga bombardimi i Serbisë dhe njohja e pavarësisë së Kosovës të shpallur me 17 shkurt 2008, pra shumë afër edhe në tematikën e krijimit të ushtrisë së Kosovës.
Dhe bash për këtë Faton, Hashim Tahçi u takua me nënkryetarin amerikan Mike Pence, pak ditë më përpara!
Dhe ai, sëkëndejmi është shumë i motivuar të flaës.
Kosova ka heshtë mjaftë gajtë për punët që përkasin në domenin e sovraniteteit të saj shtetëror!

2. Bajram Gecaj, në vijë me Memorandumin 2 të Akademisë serbe të Arteve dhe Shkencave (SANU)

Bajrami si sharës me profesion, që një jetë njeriu i shkoi duke mashtruar publikun se na paskësh qenë analist politikash, aq fodull që është, sa që bie në gropën humnerore që e ka hapur Serbia, përkatësisht SANU duke fabrikuar prova kundër pjesëtarëve të UÇK-së, me qëllim të barazimit ët krimeve dhe për ta shmangur ndëshkimin e Serbisë së erës së Millosheviqit – si shtet gjenocidal – në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë …
Gecaj, jam i bindur se e di që secila qytetare dhe qytetar i Kosovës e ka hisen e vet në udhën e rëndë të lirisë së atdheut, në udhën e gjatë e përplot flijime deri tek krijimi i shtetit të pavarm e sovran të kosovarëve, por ai, nga turri që e shquan shpall ‘hiç-a’ e tradhtarë që po e cenuakan lirinë e Kosovës dhe lidhjet e përjetshme të saj me aleatët strategjikë, njerëzit që sot janë në shërbim të shtetit dhe qytetarëve.
Secila shqiptare dhe shqiptar Kosove e meriton një permendore, se si ia dolen përgjatë një shekulli egërsie e barbarie, të mbijetonin, të ngriheshin si Feniksi në luftën atdhetare, ta fitonin lirinë kombëtare dh eta ndërtonin një shtet modest por modern, me sistem poroz e me plot djem të kqij që përpiqen ta prishin plangun dhe sh’pinë, porse vetëm para 20 vjetësh shteti sovran ka qenë një iluzion.
Pra duhet të bëhej më racional dhe më i ftohtë Bajrami, nëse vërtet përket në mendësinë institucionaliste të LDK-së dhe rugovizmit!
Porse, në këtë fli sublime, të përmasave mitike, natyrisht që shquhen disa familje (Jasharët e Haradinajt po se po) por edhe individ si Bekim Berisha-Abeja e Agim Ramadani me shokët si ata.
Bajrami ndoshta as që ka dëgjuar për familjen Dvorani të Drenicës, që ka humbur pesë djem në luftë, mirëpo, besoj ta ketë parë filmin “Të shpëtohet ushtari Rajan” dhe kjo do t’i ndihmonte që disa gra e burra të Kosovës të mos i shpallte për ‘hiça’, sëkëndejmi njeriun racional dhe të urtë duhet ta shquajnë idetë e mëdha që i shquajnë njerëzit e mëdhenj, kurse njerëzit e vegjël merren me njerëzit tjerë, me “hiç-at” sipas Gecajt!
Për Ramush Haradinajn dhe Qeverinë e tij, tre javë pune peshojnë sa tre vjet të qeverisjeve komode që janë marrë em tema të lehta – të thuash argëtuese – e profitabile por që i kanë shty e neglizhue punët e vërteta të shtetit, që nuk janë tema popullore, sepse kanë risk e kërkojnë sakrificë.
Vërtet Kryeministri Haradinaj vështirë të gjëjë kohë për dialogje e monologje me Serbinë që ngsdalë dhe vështirë po ndryshon, për bisedime pa platformë politike, pa qëllime të qarta dhe të pakufizuara në kohë!?
“Zotërinj pushtetarë, është mirë të kuptoni se krahasuar me marrëdhëniet e republikës sonë me miqtë ndërkombëtarë, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ju jeni bash një hiq i madh, dhe populli shpresoj dhe besoj se shumë shpejt do tua tregoj vendin e merituar”, kjo është fjalia poaq legjendare për nga budallallëku e Bajram Gecajt, i cili mendon se sovrani është më pak i rëndësishëm se shtetet ose kombet mike, që kanë luajtur rolin e mamive dhe kumbarave të lindjes së pavarësisë së Kosovës.
Se ShBA, Gjarmania dhe Britanias e Madhe janë më fuqishëm se kurrë në mbështetje të Kosovës dhe popullit të saj, por edhe në mbështetje të kryeministrit Haradinaj dhe Qeverisë së tij, dëshmojnë edhe telegarmet e urimit të Sekretarit të shtetit Tyllerson, Kancelares Merkel dhe kryeministres May, me dëshirat më të mira për ta mbështetur agjendën euroatlantike të Kosovës.
Në këtë kontekst, duhet theksuar faktin se Sekretari Tyllerson nuk kërkon nga kryeministri Haradinaj “Ratifikim të versionit Meha të demarkacionit” që t’ia plotësojë dëshirat Gecajt & Co – por që të gjëjë një zgjidhje – sepse të gjithë e dijnë se Kuvendi i Kosovës nuk i ka dy të tretat e votave për atë version dhe se, nëse dyja shtetet nuk e kanë ratifukuar një marrëveshje ndërkombëtare në Kuvendet reciproke ajo kthehet në pikën zero dhe ose rinegociohet e korigjohet, mbi bazë të marrëveshjes së nënshkruar ose dërgohet në arbitrazh ndërkombëtar…

3. Boll ma me këtë gjuhë urrejtëse për tjetrin që jo domsodoshmënisht është armniku juaj!

Opozita (dhe opozitarizmi) në demokracitë e zhvilluara konsiderohet si pjesë e sovranitetit të popullit, madje gjithnjë i bëhet thirrje pushtetit që të qeverisë sëbashku me opozitën, dmth. duke e konsultuar atë për çështjet më të ndieshme të një kombi, shoqërie dhe shteti.
Por me kë me qeverisë pashë Zotin?
Me karakteret si Fatoni e Bajrami?
Jo, faleminderit!
Ata e urrejnë tjetren/tjetrin, jo vetëm si trup por edhe si mendje, si ide…
Aristoteli, porse e kishte vëzhguar urrejtjen si dëshirë për shkatërrim të diçkahit që është e pashëreueshme në kohë.
Baruch De Spinoza e ka definuar urrejtjen si tip të dhembjes, shkaku i të cilës gjendet në burime të jashtme. Në anën tjetër David Hume e kuptonte urrejtjen si ndjesi që nuk mund të pakësohet dhe e cila nuk mund të definohet.
Në psikologji Zigmund Freud e ka definuar megjithatë urrejtjen si gjendje të ego-s që synon të shkatërrojë burimet e fatkeqësisë së saj.
Padija është fatkeqësi, prandaj dy ego-centrikët inferiorë të LDK-së, që megjithatë janë mendësi antike krahasuar me mendësinë e Lumir Abdixhikut, Vjosa Osmanit, Driton Selmanajt, Naser Rugovës, Arben Gashiit…
Sëkëndejmi definicioni i Freud-it i shpreh më së miri Abdullahun & Bajramin.
Ndonëse unë nuk pajtohem me Freud-in dhe teorinë e tij psikanalitike.
Derisa urrejtja mendohet të jetë ndjenjë e përhershme, më tepër ky është qëndrim i përjetshëm i individëve të caktuar, si Freud, p.sh. , sepse mendoj, urrejtja është patologji shoqërore (që prek, kontaminon gjuhën dhe mendjen) pra është një gjendje e përkohëshme emocionale, si pasojë e mbylljes, izolimit dhe mosarsimimit përkatësisht injorancës.
Një qëndrim më modernist merret ai nga libri ”Penguin Dictionary of Psychology “, sipas të cilit urrejtja përshkruhet si „ndjesi e thellë, e fortë dhe e përhershme që shfaq animozitetin, zemërimin dhe armiqësinë kundrejt tjetrit/tjtres (individit, grupit apo sendit.)
Shkurt e shqip, dy egocentrikët e LDK-së, janë servil, siç shprehet Danilo Kish-i, pa e ditur se princat (liderët e tyre) do t’i marrin për portierë.