Lajme

SHBA dyshon se Serbia po ndërton qendër ruse të spiunazhit në kufi me Kosovën

06/15/2017 17:32
nga:M H

Uashingtonin është duke e shqetësuar ndërtimi i qendrës humanitare ruse në Serbi dhe veçanërisht për statusin e kësaj qendre.

Edhe ambasadori i SHBA-së në Serbi, Kyle Scott ka thënë se ka arsye për shqetësim për shkak të kësaj qendre ruse në Nish.

Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Hoyt Brian Yee gjatë një seance për rajonin në Senat ku senatorë dhe ekspertë bëjnë thirrje për vazhdimin e angazhimit amerikan në Ballkan për të zmbrapsur ndikimin rus, ka thënë se kjo është jetike për SHBA-në pasi po i ndihmojnë Serbisë të hyj në BE edhe pse kjo e fundit ka lidhje historike me Rusinë, transmeton lajmi.net.

“Unë jam i shqetësuar për të ashtuquajturën qendër humanitare, jo për shkak të asaj që është tani por për shkak të asaj që mund të bëhet në veçanti nëse Serbia i plotëson ato që kërkon Rusia. Unë nuk besoj se Rusia ka qëllime të mira për të ndihmuar Ballkanin të hyj në BE”, ka thënë Yee.

Sipas tij, qendra në Nish në afërsi të kufirit me Kosovën ku nuk ka trupa amerikane e as anëtarë të forcës paqeruajtëse të NATO-s, nuk është zhvillim pozitiv.

“Serbia ka në kontroll të plotë territorin e saj dhe gjithçka në të. Nëse e lejojnë Rusinë të formojë një qendër për spiunazh do të humbin kontrollin mbi një pjesë të territorit të saj”, ka theksuar Hoyt Yee.

Ai ka shtuar se Rusia po e përdor varësin e Ballkanit Perëndimor si dhe dobësinë e tij: korrupsionin, mediat pa liri të shprehjes, tensionet mes fqinjëve.

“Prirja është shqetësuese por unë nuk mendoj se ne kemi humbur betejën. Mali i Zi ka qenë në gjendje t’i rezistojë ndikimit rus ndërsa situata në Maqedoni është stabilizuar me ndihmën tonë dhe BE-së”, ka thënë Yee.

Ndërsa ambasadori i SHBA-së në Serbi, Kyle Scott ka thënë se nuk është në dijeni se çfarë është duke ndodhur saktësisht në Nish.

“Unë nuk e di saktësisht se çfarë janë duke bërë, unë kurrë nuk e kam vizituar këtë qendër por mendoj se ka arsye të mira për shqetësim”, ka thënë Scott.

Në një vizitë në Nish ku u hap simpoziumi ‘Roli i NATO-s në Evropën Juglindore’ ku theksoi se bashkëpunimi me aleancën ushtarake është në interes të Serbisë./

07/25/2017 23:05

SHBA-të “i çojnë selam” Iranit