Lajme

Selimi: Qeveria mund ta kthejë Haradinajn sot në Kosovë

04/09/2017 19:00
nga:Gazeta Blic

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi konsideron se për ndalimin e Ramush Haradinajt në Francë përgjegjëse është edhe Qeveria e Kosovës.

Ai në një prononcim për Ekonomia Online, madje ka thënë se po deshi Qeveria mund ta kthejë Haradinajn që sot në Kosovë, duke e kushtëzuar Serbinë në tryezën e bisedimeve në Bruksel.

“Është shumë e padrejtë që Serbia të ketë mundësi që t’i ndalojë me anë të Interpolit qytetarët e një shteti tjetër siç është Kosova. Përveç Serbisë e bëjmë përgjegjës edhe Qeverinë për gjithë këtë gjendje të krijuar në disfavor të Kosovës, e cila ka mundur dhe sot mund ta kthejë Haradinaj në shtëpi, nëse do ta kushtëzonte Serbinë në tryezën e bisedimeve në Bruksel”, ka thënë ai.

Selimi ka thënë se mbajtja e Haradinajt në Francë është e padrejtë dhe e paarsyeshme, duke thënë se padrejtësia ndaj UÇK-së po vazhdon të peshon mbi barrën e ish-kryeministrit.

“Lëvizja Vetëvendosje e konsideron të padrejtë edhe mbajtjen e zotit Haradinaj atje nga ana e Francës, ashtu siç është e padrejtë edhe kërkesa për arrestim ndërkombëtar nga ana e Interpolit serb në këtë rast. Prandaj padrejtësia ndaj UÇK-së po peshon mbi barrën e z. Haradinaj siç kishte peshuar dikur edhe kur ka qenë në Hagë, siç kishte peshuar dhe vazhdon të peshojë në çdo akuzë të padrejtë që i bëhet luftëtarëve të UÇK-së”, ka thënë deputeti Selimi.

I pyetur për mundësinë e ekstradimit të Haradinajt në Serbi, Selimi ka thënë se i gjithë procesi i ndalimit të Haradinajt është një padrejtësi dhe si i tillë edhe mund të përfundojë.

Por ka thënë se nuk do të donte as të imagjinonte një gjë të tillë.

“Unë nuk kam frikë që do ta ekstradojnë, por asnjëherë nuk do të duhej ta përjashtonim qoftë edhe në aspektin hipotetik. Kështu që ajo çka po ndodh sot është e padrejtë e lëre më sikur kjo padrejtësi të përshkallëzohet deri në atë shkallë që për mua është e paimagjinueshme”, ka përfunduar ai.

Kujtojmë se Gjykata e Colmarit e ka shtyrë për 27 prill vendimin përfundimtar për ish-kryeministrin Haradinaj.

08/16/2017 19:09

Soni na përshëndetë më këtë video nga fitnesi (Video)