Lajme

Rusia kërkon që ShBA t’i rikthejë pronat diplomatike të konfiskuara nga Obama

07/17/2017 23:39
nga:F.B

Moska ka rritur së fundmi presionin ndaj Uashingtonit duke kërkuar që Shtetet e Bashkuara t’i rikthejnë Rusisë dy seli diplomatike që ndodhen në territorin amerikan, por që u konfiskuan në fund të vitit të shkuar pas një urdhri të lëshuar nga Presidenti i atëhershëm Barak Obama.

Thirrja e parë ka ardhur nga Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili është shprehur se lëvizja e bërë nga administrata e shkuar është një dhunim i pastër i parimeve të së drejtës ndërkombëtare, ndërsa e quajti konfiskimin e pronave një “vjedhje në mes të ditës”.

Ai paralajmëroi gjithashtu se Rusia do të kundërpërgjigjet në të njëjtën mënyrë, në rast se ShBA nuk do t’i marrë parasysh kërkesat e saj.

Vitin e shkuar, administrata Obama vendosi gjithashtu edhe për dëbimin nga vendi të 35 diplomatëve rusë me arsyetimin se këta të fundit ishin angazhuar në misione spiunazhi si dhe kishin ndikuar në zgjedhjet presidenciale.

Ministri i Jashtëm rus ka propozuar më herët që Rusia të dëbojë 35 diplomatë amerikanë si kundërmasë, ndaj nuk dihet ende nëse ideja e tij do të marrë vulën përfundimtare të Presidentit, Vladimir Putin.

Për të diskutuar mbi mundësinë e rikthimit të pronave diplomatike ruse, zv/Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Riabkov, ka udhëtuar drejt Uashingtonit, ku do të pritet nga homologu i tij, Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Thomas Shanon.

07/24/2017 22:46

Kushner: Nuk kam bashkëpunuar me asnjë qeveri të huaj