Fit&Sexy

Rregullat e ruajtjes së ushqimeve në frigorifer

05/19/2017 23:05
nga:M H

Konservimi në frigorifer është i rëndësishëm për ruajtjen e sigurtë të ushqimeve.

Temperatura e ulët ndihmon në mbajtjen të freskëta të ushqimeve dhe zvogëlon mundësinë e rritjes së mikroorganizmave të dëmshëm. Në të njëjtën kohë, nuk modifikon karakteristikat e ushqimeve.

Temperatura e duhur për një frigorifer është 5 gradë Celsius, në pjesën qëndrore. Por duhet ditur se temperatura nuk është konstante në të gjithë frigoriferin. Duke shfrytëzuar temperaturat e ndryshme, mund të ruani në mënyrë optimale të gjitha llojet e ushqimeve.

–Pika më e ftohtë e frigoriferit është ndarja më e ulët (2 gradë Celsius). Ky është gjithashtu vendi më i përshtatshëm për të konservuar mishin dhe peshkun e freskët. Duke i vendosur në pikën më të ulët evitohet edhe mundësia e kullimit të lëngjeve mbi ushqimet e tjera.

-Vezët dhe nënproduktet e qumështit, mishi, gjellët e mbetura, ëmbëlsirat dhe produktet që në etiketë mbajnë shënimin, “pas hapjes të ruhen në frigorifer”, duhet të ruhen në ndarjen qëndrore (4-5 gradë Celsius) dhe në atë më të lartën (8 gradë Celsius).

-Sirtarët në fund (deri në 10 gradë), janë të përshtatshëm për ruajtjen e frutave dhe perimeve, që mund të dëmtohen nga temperaturat më të ulëta.

-Ndarjet në derën e frigoriferit janë vendet më të ngrohta të tij (10-15°C) dhe janë të përshtatshme për produkte që kanë nevojë të rrinë në fresk si, pijet e ndryshme, mustarda dhe gjalpi.

Mos mbani shumë ushqime në frigorifer. Nëse e mbushni aq sa nuk ka më asnjë vend të lirë, ajri nuk do të arrijë të qarkullojë dhe përhapja e temperaturës pengohet. Nëse do të lejoni që i ftohti të akumulohet, frigoriferi nuk do të funksionojë siç duhet. Përveç kësaj, me rritjen e të ftohtës, hapsira do të zvogëlohet. Për këtë arsye, pastrojeni rregullisht frigoriferin dhe përdorni ujë të nxehtë me pak uthull për të larguar aromën e padëshiruar. Mos harroni, se disa ushqime nuk kanë nevojë të futen në frigorifer, madje nëse i lëmë aty mund të dëmtohen, si, fjala vjen, frutat ekzotikë, domatet, bishtajoret, kastravecët dhe kungujt. Buka bëhet bajat më shpejt nëse e ruani në frigorifer. Frutat dhe perimet që duan edhe pak kohë të piqen, duhet të ruhen në temperaturë ambienti.
Gjithashtu, gjatë verës, termostati duhet të gradohet në një temperaturë më të ulët, krahasuar me dimrin. Sigurohuni që dera e frigoriferit të jetë gjithnjë e mbyllur mirë, hapeni vetëm kur të jetë e nevojshme dhe mbylleni sa më shpejt. Mbyllini ose mbulojini ushqimet, në mënyrë që të mos marrin lagështirë dhe aroma të padëshiruara. Mos vini sasi të mëdha ushqimesh të nxehta në frigorifer sepse duke bërë kështu, temperatura ngrihet: lërini ushqimet të ftohen më parë, deri sa të arrijnë temperaturën e ambientit (mos harroni se të gjitha ushqimet e mbetura, duhet të vihen në frigorifer brenda dy orësh, që nga momenti i servirjes).
Praktikoni FIFO (first-in-first-out), pra (të parët brenda, të parët jashtë), nxirrni dhe konsumoni në fillim ushqimet që janë vënë të parat në frigorifer. Vini në frigorifer ushqimet e blera më vonë dhe konsumoni ato që kanë kohë brenda. Kjo mënyrë do t’ju ndihmojë të konsumoni produktet para datës së skadencës dhe të ruani cilësinë e ushqimeve, që më vonë do të jeni të detyruar t’i hidhni.
Mos harroni gjithashtu, se ushqimet janë të sigurta në frigorifer vetëm për aq kohë sa thuhet në etiketë. Nëse keni dyshime mbi një ushqim të ruajtur për një kohë të gjatë, më mirë hidheni poshtë. Qoftë edhe kur termometri i frigoriferit ju thotë se temperatura e ruajtjes ka qenë ajo ideale.

12/11/2017 22:43

Përpiquni të maskoni rrathët e zinj