Lajme

Refuzohet apeli i Bosnjës në çështjen e gjenocidit kundër Serbisë

03/09/2017 18:30
nga:M H

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë refuzoi kërkesën kundërthënëse nga Bosnja për apelim të vendimit që e liron Serbinë nga përgjegjësia në gjenocid.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë të enjten refuzoi kërkesën për rishikimin e vendimit të dhënë në vitin 2007 që e lironte Serbinë nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë për gjenocid, duke thënë se ajo nuk kishte ardhur nga Bosnja dhe Hercegovina si shtet, raportoi televizioni rajonal N1.

N1 citoi një letër zyrtare nga Gjykata duke thënë se ajo kishte marrë në konsideratë opinionet e tre anëtarëve të presidencës trepalëshe të Bosnjës, të cilët i shkruan secili Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të shprehur pikëpamjet e tyre mbi çështjen që ka ndarë vendin në vija etnike.

“Gjykata konsideron se përmbajtja e këtyre letrave tregon se vendimi nuk është marrë nga organi kompetent në emër të Bosnjës dhe Hercegovinës si shtet sa i takon kërkesave për rishikim të vendimit të marrë më 26 shkurt 2007”, thuhej në letrën e Gjykatës së Hagës, sipas N1.

Ajo shtoi se për këtë arsye Gjykata nuk mund të bëjë asgjë për të rishqyrtuar vendimin.

Këshilltari ligjor i Bosnjës, Sakib Softiq, dorëzoi një kërkesë në GJND në Hagë muajin e kaluar për një rishikim të vendimit të vitit 2007 në padinë në të cilën Bosnja u përpoq të padiste Serbinë për gjenocid në Bosnjë gjatë luftës së viteve 1992-1995.

Kërkesa për apel u mbështet nga anëtari boshnjak i presidencës trepalëshe, Bakir Izetbegoviq.

Por politikanët serbë të Bosnjës e kundërshtojnë me vendosmëri kërkesën për apel, duke argumentuar se kjo është antikushtetuese, sepse ajo nuk është miratuar nga presidenca trepalëshe në nivel shtetëror.

Vendimi fillestar u dha në shkurt 2007 dhe GJND-ja tha se ishte kryer gjenocid kur më shumë se 7,000 burra dhe djem boshnjakë nga Srebrenica u masakruan nga forcat serbe të Bosnjës.

Gjykata vendosi se Serbia nuk kishte kryer detyrën e saj për të parandaluar gjenocidin, por se nuk kishte prova të mjaftueshme për të thënë se Beogradi kishte përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këtë.

Kreu i Shoqatës së Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit, Murat Tahiroviq, shprehu zhgënjim ndaj vendimit të GJND-së për të mos dëgjuar apelin.

“Prisnim që Gjykata do të ishte e vëmendshme ndaj viktimave. Fatkeqësisht, Gjykata u udhëhoq vetëm nga çështjet ligjore”, tha Tahiroviq për BIRN.

“Ky është fatkeqësisht fundi i procesit kundër Serbisë”, shtoi ai.

Srdjan Puhalo, një analist politik nga Banja Lluka, tha se anëtari boshnjak i presidencës Bakir Izetbegoviq, i kishte bërë keq llogaritë dhe “është e qartë që e humbi këtë lojë”.

“Gjëja e parë që na ka treguar GJND-ja është se është e rëndësishme të respektohen institucionet shtetërore”, tha Puhalo për BIRN.

Ai u shpreh se viktimat e luftës ishin lënduar në mënyrë të panevojshme nga kjo situatë.

“Viktimat nuk e meritonin këtë lloj trajtimi”, tha ai.

Puhalo tha gjithashtu se polemikat në lidhje me apelin nuk e kishin ndihmuar Bosnjën të bënte më shumë për t’u ballafaquar me të kaluarën e saj traumatike të kohës së luftës.

“E treta është se ka shumë mundësi që ne të mos mësojmë asgjë nga kjo”, tha ai.

06/26/2017 12:07

Kurti prezanton platformën nëntë pikëshe për dialogun me Serbinë