Opinion

Rasti Haradinaj, ose rrënimi i diplomacisë

01/11/2017 18:07
nga:Islam Lauka

Arrestimi i Ramush Haradinajt, më 4 janar 2017, nga autoritetet franceze, mbi bazën e një kërkese të Serbisë të vitit 2004, të shpërndarë nga Interpoli, u bë shkas i një aktivizimi të paparë të qeveritarëve tanë, për lirimin e tij. Nëpërmjet statuseve në Facebook, konferencave të shtypit, intervistave, deklaratave publike, apo edhe shkrimeve të posaçme në media, ata u vunë në garë me njëri-tjetrin se kush gjen “argumente” shtesë për t’i bërë publike, në favor të lirimit të Ramush Haradinajt.

Ndër më aktivët, për hir të së vërtetës, duhet thënë se vetëm në rrjetet sociale, ishin Kryeministri Rama dhe ministri i Jashtëm Bushati, të cilët, me të drejtë, e dënuan arrestimin e tij dhe bënë thirrje për ta liruar. Pati edhe nga ata qeveritarë që ndërmorën hapa më konkretë. Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i drejtoi një letër homologut të tij francez, ndërsa ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i shkroi Sekretarit të Përgjithshëm të Interpolit, Jurgen Stock, duke u përpjekur, që të dy, në thelb, të argumentojnë pavlefshmërinë e urdhërarrestit serb për Haradinajn.

Duke qenë se kërkesa serbe për arrestimin dhe ekstradimin e Ramush Haradinajt është e paligjshme dhe, si e tillë, ka prapavijë të qartë politike, rasti i tij ka nevojë për mbështetje të gjerë dhe reagim të fortë politik. Është e qartë se mbështetja dhe reagimi politik nuk munguan. Megjithatë, Haradinaj po mbush një javë në paraburgim, në Francë. Në gjykimin tim, një zhvillim i tillë negativ është pasojë, veç të tjerash, edhe e zgjedhjes së gabuar të instrumenteve që ne kemi në dispozicion për arritjen e qëllimit. Diplomacia publike, natyrisht, ka rolin e vet, por në raste si ky i Haradinajt, sidomos për vendet e vogla, si Shqipëria, më e dobishme do të ishte që t’i jepej përparësi asaj që njihet si diplomacia klasike.

Në rast se do të përdorej ky instrument, Rama dhe Bushati, para publikimit të qëndrimit të tyre në Facebook, do të duhej që, menjëherë, pas marrjes së njoftimit, për arrestimin e Haradinajt, të kontaktonin me homologët e tyre francezë dhe të udhëzonin që të njëjtën gjë të bënin edhe vartësit e tyre në Tiranë, Bruksel, Paris dhe Washington. Po kështu, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, para se t’i drejtohej publikisht me letër Sekretarit të Përgjithshëm të Interpolit, Jurgen Stock, më 9 janar, pra, 6 ditë pas arrestimit të Haradinajt, do të duhej që të kontaktonte me të, ose stafin e tij, që më 4 janar, në rrugë diplomatike dhe ta trajtonte këtë çështje, konfidencialisht.

Diplomacia klasike kërkon që mesazhet, bisedat telefonike, apo ato sy ndër sy, të mos bëhen publike deri në momentin e zgjidhjes së problemit. Ruajtja e konfidencialitetit është ndër kërkesat themelore të saj. Në rast se do të përdorej diplomacia klasike, Rama dhe Bushati do t’ua linin institucioneve të tyre që të dilnin me njoftime shtypi a deklarata të përgatitura me kujdes nga ekspertët e fushës, të cilat nuk do t’u jepnin shkas të tjerëve të kapeshin pas “kleçkave” të tyre, ndërsa vetë do të angazhoheshin, pas dyerve të mbyllura, deri në lirimin e Haradinajt.

Angazhimi i tyre në publicistikë politike “me predha fjalësh që shpërthejnë me zhurmë” dhe që nuk dallojnë shumë nga gjuha e protestuesve në rrugë, bën që edhe bashkëbiseduesit e tyre, partnerë apo kundërshtarë, për reciprocitet, të dalin me qëndrimet e tyre publike, të cilat, mund të ishin shmangur, nëse nuk do të nxiteshin nga metodat e gabuara të përdorura nga qeveritarët tanë. Këto janë pasojat e një diplomacie diletante, joprofesioniste, virtuale, e cila, shpesh, për të fshehur thelbin e saj të vërtetë, të bjerrë, paraqitet me eufemizmin “diplomaci publike”. Në të vërtetë ajo përbën rrënimin e diplomacisë si art.

Si do t’i përgjigjen tani Rama e Bushati deklaratës publike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës se çështja Haradinaj është në dorë të autoriteteve të drejtësisë, të cilat po veprojnë në pavarësi të plotë? Do të përshkallëzojnë retorikën e tyre kundër Francës? Apo do t’i kërkojnë asaj që, mbështetur në përvojën e tyre në Shqipëri, të ndë- rhyjë në drejtësi? Natyrisht, deklaratat e tyre publike, në qoftë se do të ndërmerrej një proces negocimi diplomatik, që do të kurorëzohej me lirimin e Haradinajt, do të fitonin peshë tjetër politike dhe morale.

Por, në mënyrën se si janë bërë deri tani, ndikimi i tyre politik është shumë i diskutueshëm, ndërsa në aspektin moral, ka rrezik të kenë çuar në efekte të kundërta. Sepse gjithë ky vërshim deklaratash, gjoja në mbrojtje të Haradinajt, krijon përshtypjen se qeveritarët tanë po luftojnë për protagonizëm politik brenda vendit, se halli nuk është te lirimi i Haradinajt, por, me emrin e tij, kush të fitojë më shumë kapital politik si “patriot”, në dëm të kundërshtarit. Në këtë kuptim, edhe e ashtuquajtura diplomaci publike e pushtetarëve tanë, rezulton të jetë e drejtuar jo jashtë, aty ku duhet, në Paris, Bruksel, e Washington, por në Tiranë, a Prishtinë, për qëllime të politikës ditore.

Zhvendosjet e fundit gjeopolitike kërkojnë që Tirana dhe Prishtina të vetëdijësohen për kërcënimet ekzistenciale që i kanosen çështjes sonë kombëtare, të bashkojnë forcat dhe, në përshtatje me mundësitë tona reale, të zgjedhin instrumentet e duhura për mbrojtjen e interesave tona kombëtare e shtetërore. Ato duhet të vetëdijësohen që është në dëm të interesave tona jetike që, si asnjë popull tjetër në botë, shqiptarët të gjykohen nga katër gjykata ndërkombëtare dhe, sikur të mos mjaftonin këto, t’u dorëzohen edhe prokurorëve e gjykatësve të vendit që ka ushtruar dhunë të strukturuar shtetërore mbi ta, deri në spastrim etnik.

Është në dëm të interesave tona jetike, por edhe të paqes e stabilitetit rajonal, mbetja në fuqi e urdhërarresteve të lëshuara nga Beogradi, para dymbëdhjetë vjetësh, për luftëtarët e UÇK-së. Është në dëm të interesave tona jetike, por edhe të sigurisë në Ballkan e më gjerë, mosanëtarë- simi i Kosovës në Interpol dhe Europol. Është në dëm të interesave tona jetike, por edhe të strukturave rajonale të mbrojtjes, si NATO-ja, zvarritja e problemit të krijimit të ushtrisë së Kosovës.

Këto dhe sfida të tjera, në qoftë se nuk përballen e zgjidhen sot, nesër do të jetë tepër vonë. Zgjidhja e tyre nuk bëhet me publicistikë politike, as me diplomaci virtuale, por me vizion të qartë politiko-strategjik, me diplomaci të mençur, të guximshme e të përkushtuar ndaj interesave tona kombëtare dhe shtetërore.

06/27/2017 23:02

Lauka: PS nuk ka pritur të marrë kaq shumë vota!