Cult

Ramë Lahaj mirëpritet me rolin e “Faust”-it në Operën Kombëtare të Izraelit

03/15/2017 16:36
nga:Gazeta Blic

Roli kryesor i operës “Fausti”, në skenën e Operës Kombëtare të Izraelit, ka qenë sfida e radhës, me të cilën është përballur tenori nga Kosova, Ramë Lahaj. Deri më tani ai tri herë ka dalë para audiencës izraelite, për ta interpretuar protagonistin e operës madhështore.

Opera me të cilën Ramaj debutoi në Tel Aviv, do të ketë edhe tri shfaqje të tjera, më 17, 22 dhe 25 të këtij muaji. “Faust” është operë madhështore në pesë akte, e shkruar nga Charles Gonoud, shkruan sot “Koha Ditore”. Ka pasur debutimin në “Theatre Lyrique” në “Boulevard du Temple” në Paris, më 19 mars të vitit 1859. Në produksionin izraelit, regjisor është Stefano Poda e dirigjent Dan Ettinger.

Tenori kosovar tashmë me nam botëror, Ramë Lahaj, ka thënë për “Kohën Ditore” se reagimi i audiencës në shfaqjet e para të kësaj opere ka qenë i mirë.

“Reagimi i audiencës dhe kritikës mund të them se ka qenë i mirë dhe shumë pozitiv”, ka thënë Lahaj, i cili mbrëmjen e së hënës interpretoi për të tretën herë rolin kryesor të operës së njohur.

E tek në moshën 21 vjeçe do të niste trajnimet profesionale muzikore dhe një vit më vonë nisi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë të Shqipërisë, ku diplomoi më 2008. Mes sukseseve të para qe debutimi në “Hungarian State Opera” në Budapest më 2011, me rolin e Macduffit në “Macbeth”.

Më vonë interpretoi rolin e Alfredos, në “Theater Lübeck” në Gjermani, performancë për të cilën mori kritika të shkëlqyera nga shtypi gjerman, duke u cilësuar si “zbulimi më i mirë në skenën operistike gjermane”. Më 2012 debutoi në rolin e Rodolfos të “La Boheme” në “Theater Dortmund” në Gjermani. Atë vit performoi rolin e njëjtë në Francë, në “National Opéra de Montpellier”.

Në vitin 2016, karriera e tij mori një kthesë të rëndësishme kur mori çmimin e tretë në konkursin operistik të organizuar nga legjenda e muzikës lirike, Plácido Domingo. Në të njëjtin vit, ai debutoi edhe në skenën e “Opera National de Paris-Bastille” .