Opinion

Qeveria e Isa Mustafës ka dështuar- prandaj duhet të dorëhiqet!

04/20/2017 15:48
nga:Diamant Bajra

Qeveria aktuale e cila drejtohet nga Kryeministri Isa Mustafa, duhet të jap dorëheqje. Janë këtu dhjetëra arsye pse kjo Qeveri, ky Koalicion nuk i përmbushi pritjet e qytetarëve të Kosovës në këto tre vite. Si pasojë mendoj që është koha e fundit që kjo qeveri duhet të ndërmarrë një hap të tillë. Shkuarja në shtëpi e kësaj Qeverie duhet t’i bëjë vend zgjedhjeve dhe pastaj të krijojë mundësi që në krye të shtetit të vijnë figura që s’kanë bërë vepra të dëmshme ndaj vendit.

Një qeverisje jo funksionale, më shumë papërgjegjësi dhe e dobët përnga programi qeverisës, siç është kjo, nuk i duhet më gjatë këtij vendi.

Në mungesë të liberalizimit të vizave që do t’u mundësonte qytetarëve një lëvizje të lirshme, këta të fundit detyrohen që brenda viti të shpenzojnë miliona euro në ambasada dhe agjencione turistike, si mundësi të vetme për të lëvizur nga shteti. Qytetari i Kosovës thjesht çdo ditë e më tepër po e humb shpresën për jetë më të mirë, shkaku i mos qeverisjes së vendit nga njerëz me përgjegjësi.

E doni një shembull nga kjo qeverisje katastrofale e këtyre viteve: bazuar në një hulutim të publikuar nga Instituti GAP lidhur me shpenzimet e qytetarëve të Kosovës në ambasada dhe agjencione turistike, për këto tri vitetet e fundit kanë aplikuar për vizë shengen mbi 217 mijë qytetarë të cilët kanë shpenzuar mbi 15 milionë euro, 9 milionë prej të cilave vetëm për pagesë direkte për vizat në ambasada duke u radhitur kështu si të parët në Evropë për nga shpenzimi për viza!

Por kjo nuk është arsyeja e vetme që kjo Qeveri duhet të dorëhiqet.

Premtuan punësim e jetë më të mirë për qytetarët, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencionit të Statistikave të Kosovës në këto tri vitet e fundit nuk është vërejtur përmirësimi i gjendjes në vend. Pjesa dërmuese e qytetarëve vazhdojnë të mbesin gjallë falë remitencave- pra të hyrave nga jashtë dhe përmes pensioneve të kategorive të ndryshme që marrin nga ky shtet, të cilat natyrisht që nuk ju mjaftojnë as për barna, as për shportën mujore as për gjëra tjera elementare.

Nëse në shikim të parë duket se kjo Qeveri bëri përpjekje të përmirësimit të kushteve të punës së një pjese të bujqëve dhe fermerëve, duke u dhënë atyre subvencione, edhe në këtë aspekt dështoi ta bëjë të duhurën, sepse një pjesë e madhe e të subevencionuarve nuk patën treg për produktet e tyre as brenda dhe as jashtë shtetit.

Po ashtu u tha që do të luftohet krimi dhe korrupsioni, gjë që me zhbërjen e tyre do të krijonin mundësi për investime të mëdha nga jashtë, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Këtë e dëshmon edhe raporti i fundit i progresit, ku për dallim prej vitit të kaluar ku fjala “korrupsioni” është përmendur 66 herë tani kjo fjalë është përdorur 83 herë. Pra, ky raport nuk ka vërejtur progres në këtë aspekt.

Si pasojë e këtyre dukurive, investitorët e huaj më as nuk vijnë për të ‘nuhatur’ tregun, pasi që korrupsioni dhe haraçi, fenomene këto që janë zakonshmëri, janë bërë shkakëtarë kryesor të përkeqësimit të gjendjes ekonomike të qytetarëve të vendit.Qeveria aktuale u tregua e pafuqishme për t’i luftuar dhe eliminuar edhe këto.

Ç’është më e keqja, kjo qeveri në krye të të cilës është Isa Mustafa, u hodhi hi syve të qytetarëve duke fshehur mosfunksionalitetin e saj dhe programin e dobët qeverisës me dy prioritetet e vetme të saja në përiudhen 3 vjeçare: Demarkacionin me Malin e Zi dhe Asociacionin, tema këto që janë fare pak në interes të qytetarëve, pasi që mënyra e jetesës së pjesës dërmuese të qytetarëve është brenga kryesore.

Në këto rrethana, kjo qeveri që nuk ju pa hajri aq sa ju pa sherri është më së miri të dorëhiqet, të shkojë në shtëpi, aty ku ndoshta do të dinë dhe do të kenë forcë të punojnë për  familjet e tyre, sepse për qytetarët nuk nuk arritën ta bëjnë këtë.

Dorëheqja e menjëhershme është vendimi më i duhur që mund ta merr kjo qeveri, pasi që për vendime tjera u tregua e paaftë!

 

 

06/24/2017 17:52

Kryeministri Mustafa uron festën e Fitër Bajramit