Opinion

Qeveria e 25 qershorit

08/29/2017 07:28
nga:Skënder Minxhozi

Nuk mund të pritej diçka tjetër. Do të vinte në pushtet një qeveri që do të pasqyronte atë që ndodhi në zgjedhjet e fundit dhe kjo ndodhi. Në parim kemi sot një kabinet qeverisës që pasqyron vullnetin dhe projektin që shqiptarët votuan dhe kjo rrëzon pjesën dërrmuese të ngritjes së supeve dhe rrudhjes së buzëve, me emrat e ministrave të rinj. Me fjalë të tjera, sot Edi Rama ka bërë qeverinë që zbërthen në thelb filozofinë e tij elektorale: të gjithë pushtetin në duart e tij, si të vetmen mënyrë për të jetësuar idetë që ai ka në mend për rrugën ku do shkelë ky vend në katër vitet e ardhshme. Kush priste që Rama të bënte një qeveri të ndryshme nga kredot e tij të njohura, ka ushqyer iluzione të kota. Ose nuk ka dëgjuar asgjë nga fushata e fundit elektorale!

Shumëkush është marrë me emrat e ministrave të rinj këto dy muaj të pauzës absurde postzgjedhore. Hartoheshin lista të cilat rrëzoheshin brenda orës, me emra, grupe e klane që thuhej se vinin nga kulla verore e kryeministrit në Dhërmi. Një sport kombëtar pak a shumë qesharak dhe sigurisht aspak i saktë në parashikimet që sillte përditë në vathën e “kazanit mediatik”, siç ja ka për zemër Ramës ta quajë median. Të gjithë patën rastin të provojnë të dielën se ja futën kot, në një pjesë të mirë të kabinetit qeveritar. Të asaj pjese që përbën prurjet e reja në qeveri. Emra grash të panjohura, të cilave vështirë t’u gjesh (për momentin) edhe fotot ilustruese në internet, kur është fjala për të bërë lajmet që flasin për to. Ishte kjo pjesa më intriguese e kabinetit, të cilën Rama e ruajti me fanatizmin e atij që ja arrin ende të kënaqet me kureshtjen e pakompensuar dhe pse jo morboze të të tjerëve, për një gjë që ai ka në xhep.

Gjithçka sot është davaritur dhe emrat janë në gojët e të gjithëve. Rama ka bërë, ashtu si katër vjet më parë, shoun e rradhës me emrat e ministrave të rinj, duke u përkujdesur që të krijojë një efekt sa më të fortë surprize tek shqiptarët. E teksa jemi të sigurt për surprizën, shpresojmë që personat në fjalë të kenë diçka më shumë për të treguar, sesa të qenit “befasues” për veshët e miletit. Por kjo do të dojë kohë të dëshmohet.

Sa për pjesën “e vjetër” të qeverisë, ajo është sërish e gjitha aty, me avantazhet dhe minuset e saj. Xhafaj kthehet në një dikaster delikat si ministria e brendshme, pas një starti pozitiv që pastroi thuajse të gjitha qilaret e hashashit në Jug dhe Veri të vendit, Nikolla e Kumbaro marrin një “zgjatje” të kontratës së punës edhe për katër vjet, Gjiknuri mori nota promovuese publike nga Rama që në anunçimin si ministër, tashmë me kompentenca më të gjera se më parë, Ahmetajt i falet aventura e palumtur elektorale e Kavajës, kurse Klosit i ofrohet një ministri për fushatën zgjedhore në qarkun e Beratit. Ditmir Bushati mund të kalojë një natë të qetë, pas orëve të fundit të trazuara që kaloi, kur lexoi në gazeta dhe portale se nuk do të ishte më ministër i jashtëm. Ardhja e Majkos ndërkaq në kabinet i jep qeverisë një peshë dhe shije të së shkuarës socialiste. Një element gjithnjë e më defiçitar, e për pasojë i mirëpritur në qeverinë Rama 2.

Në këtë listë ministrash nuk bëjnë pjesë disa nga ata që katër vjet më parë mbanin poste kyçe në ekzekutiv. Mungesat e Tahirit dhe Beqes ishin të parashikueshme, pas peripecive të dy ish-ministrave gjatë muajve të fundit para 25 qershorit. As Kodheli nuk e sheh veten të përfshirë në formatin e ri qeveritar, bashkë me Taulant Ballën, i cili u përfol gjatë për një post në kabinet.

Siç shihet Edi Rama është përpjekur të shkartisë letrat në tryezën e kabinetit të ri, duke ruajtur të paprekur elementin bazë të fushatës së fundit zgjedhore: fituesi është ai dhe fituesi nuk kritikohet. Shoferit s’do ketë kush t’i flasë nga shtatori e tutje. Është pak por e sigurt!

06/27/2017 07:56

Gjendja e re politike pas 25 qershorit