Opinion

Pse SHBA e NATO kundërshtojnë projektligjin për Ushtrinë?!

03/10/2017 15:42
nga:Petrit Musolli

Pamvarësisht emocionit, dëshirës së madhe e tana argumentave që mundohemi me i krijue për nevojën ‘urgjente’ të formimit të Ushtrisë, prej rrezikut nga Serbia e deri të Rusia, pa e gjetë nji mënyrë me i bind serbët vendor me u pajtue, asnji  Ushtri e Kosovës s’ka me pa dritë dhe, edhe njiherë, ka me përfundue sikur muralet e Kuvendit!

Kur politikanët shqiptarë, të ekzaltuem deri në trans, e të bindun se kishin themelue nji Kuvend të dytë shqiptar, qenë këta miq (që i reaguen kaq ashpër projektligjit për FSK) që u dashtë me i’u ra turive për me i zgjue në realitet.

Për me u qartësue e dal nga ky konfuzitet, e shue tana dilemat – se s’ka me pas kurrfarë Ushtrie pa respektue procedurat kushtetuese për formimin e saj (pajtimin e serbëve vendor), mjafton me kujtue vetëm nji fakt; konceptin mbi të cilën asht projektue, argumentue e ndërtue shteti i Kosovës.

Nuk na kanë faj as SHBA’të, as NATO, as miqtë tjerë ndërkombëtarë që ne vazhdojmë me mbet peng i keqkuptimeve tona! Asht pikërisht fakti se ushtria simbolizon shtetin, pse SHBA e miqtë tjerë perëndimor s’kanë me lejue që ajo me i ngja atyne muraleve të Kuvendit!

Pa pajtimin e përfshimjen e serbëve, ajo Ushtri ka me u konsiderue si ushtria e dytë shqiptare!

E, kjo asht arsyeja thelbësore pse SHBA’të e NATO s’kanë me lejue asnjiherë me ndodhë! Sepse, ky asht argumenti që tanë këte kohë provon me dëshmue Serbia! Se në Ballkan po krijohet nji shtet i dytë shqiptar, e tue qenë e papranueshme ndërkombëtarisht, ajo duhet zhba e nda!

Kosovën s’e ka kap as Serbia as serbët vendor, ajo asht kurthue në keqkuptime e verbënue përballë realitetit – prandaj janë miqtë tanë këtu, për me na ndihmue! Edhe kur na dimë me qenë aq të pavëmendshëm sa me i krijue argumente Serbisë  – prandaj janë miqtë tanë këtu, me na pengue!

Akti patriotik i deputetëve kish me qenë kundërshtimi i kësaj forme e mënyre të procedimit të këtij projektligji! Edhe ashtu asnjiherë s’ka me u jetësue, jo pa aprovimin e SHBA’ve e NATO’së. Por, jehona e saj argumentuese në favorin e Serbisë, ka me na kushtue (neve dhe miqëve) në çdo përballje ndërkombëtare me të!