Opinion

Pse Serbia po e lëshon Kosovën dhe a quhet kjo fitore në tavolinë e shqiptarëve?!

07/27/2017 08:50
nga:Ben Andoni

Në orët e fundit, apeli i Presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, sa i përket sqarimit përfundimtar të vizionit serb për të ardhmen e Kosovës e ka trandur skenën politike ballkanike. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk ka pritur por i është përgjigjur me një prononcim shumë letrar pohues në rrjetet sociale, kurse Kosova zyrtare po hesht duke pritur përfitimin e radhës.

Në fakt, hapi i presidentit serb është thjesht aprovim i asaj fryme që ka kohë që po ngrihet në mjediset serbe. Dy institucionet kryesore që e mbajnë të gjallë intelektualisht dhe shpirtërisht atë, respektivisht Akademia serbe e Arteve dhe Shkencave dhe Kisha ortodokse, prej kohësh po e trajtojnë dhe apelojnë. Kjo e fundit kuptohet se ka qasje shumë më të thellë me të gjithë problemin, sepse në Kosovë do ketë përgjithnjë rezidencat kryesore dhe kultet në Metohun e tyre të shenjtë.

Ndërsa Akademia serbe e Kulturës ka bërë një hap të jashtëzakonshëm muaj më parë, kur kryetari i saj është shprehur hapur për një shikim të Kosovës larg miteve dhe njohjen e një realiteti, që serbët e kanë përballë vetes. Kuptohet se të gjithë këto lëvizje në Kosovë dhe në Shqipëri më shumë po shikohen me folklorizëm, por asnjëherë me domethëniet e tyre të vërteta prej kalkulimeve të qëndrimeve serbe.

Që do të thotë se vërtetë Kosova ka një status të njohur dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, porse grackat dhe të papriturat që bëjnë oshilacionet e rendit ndërkombëtar, sipas konjukturave të Fuqive të Mëdha janë gjithmonë aty. Për fat, koha po punon për kosovarët, teksa problemet më të mëdha sot i ka me veten dhe ngërçet artificiale që po i krijojnë politikanët sesa me zhvillimet serbe.

Pak qindra kilometra më tutje Vuçiç po kërkon të inincojë në shtator një dialog të gjerë social, ku veç Shoqërisë Civile, KOS-it (Kishës ortodokse Serbe) dhe SANU-t (Akademisë Serbe të Shkencës dhe Artit), do përfshihen edhe partitë politike. Pjesa më e madhe e politikës serbe e shikon me skepticizëm këtë hap, edhe pse ka një pranim nga pjesa më e madhe e politikanëve të realitetit të Kosovës. Ashtu, si një pjesë e akuzojnë direkt Vuçiç se Kosova është e shitur prej kohësh prej lidërshipit të tij.

Në fakt, Kosova nuk i rri më fare Serbisë, në anjë arsyetim. Tek e fundit, Vuçiç thjesht e ka konfirmuar atë që dihet mirë: Serbia nuk duhet të nënvlerësohet, porse shqiptarët kanë mbështetje të rëndësishme nga vendet perëndimore. Dhe, ajo që ka qenë më shumë goditëse prej tij ishte argumentimi se: Zgjidhja nuk qëndron më në mite, por as edhe në mohimin dhe heqjen dorë nga të gjitha interesat tona kombëtare dhe shtetërore. Gjetja e një zgjidhje, kërkon kokën e një mendimi të përhershëm të nxehtë, një zemër që është e ftohtë për emocionet e tepruara dhe duart e njollosura me kompromise “Si për ne dhe shqiptarët “!!!

Për hir të së vërtetës debati i Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë është i vdekur dhe ajo shikohet nga funksionimi i pakët i pak marrëveshjeve, por ca më shumë shfrytëzimi banal që bëhet në të dy anët e kufirit nga politikanët respektivë.

Kurse ajo që mbetet është e ardhmja dhe Serbia po rend e para e po mundohet të shërojë një plagë, por sërish pa hequr dorë prej saj. E habitshme është se Prishtina zyrtare pret si gjithnjë në tryezë për atë që po i afrohet. Anipse para se ta marrë në tryezë dhe këtë fitore duhet të mendojë, se nuk veprohet gjithnjë kështu.

Tashmë i takon shoqërisë civile kosovare, politikës, akademisë, komunitetit të kulteve të mendojnë dhe t’i paraprijnë asaj që po përpiqen të konfigurojnë serbët për të ardhmen e Kosovës. Është koha për përgjegjësi dhe më shumë mendimin për kundër-ofertat para serbëve, që si gjithnjë marrin iniciativa, kur u duhen interesat kombëtare.

Hapi i fundit i z.Vuçiç, që do përcjellë një fushatë të madhe në Serbi duhet t’i bëj shqiptarët e të dy anëve të mendojnë mirë se pse Kosova po lëshohet ngadalë nga Beogradi! Nuk është vetëm nënshtrim me kushtet e integrimit dhe realiteteve evropiane, por kalkulime, që do zbulohen jo shumë larg, kohë kur Kosova mbase s’do ketë më çfarë të presë në tavolinën e favoreve. (Javanews)

11/15/2017 12:06

Sqarohet përfundimisht pse Kastro Zizo nuk është më pjesë e Festivalit të RTSH-së