Cult

Promovohen dy libra në ditën e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë në Rahovec

09/05/2017 20:18
nga:N S

Në ditën e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë në Rahovec, janë promovuar dy libra me tematika të ndryshme.

Në orët e paradites u promovua libri i poetit William Spenser Peters nga SHBA , ” Kosovë e dashur…Êndrrat e Rahovecit”, për çka Fahredin Shehu thotë se Petersi ka qenë pjesëmarrës i Festivalit më 2015 ku e ka fituar çmimin e parë ” Rrushi i Artë”, ndërkaq menjëherë është hipnotizuar me kodrina të bukura me vreshta, me verën e Rahovecit dhe me mikpritjen bujare të rahovecasve. Por pranoj, thotë Shehu, autori i këtij libri ma ka zbardhur fytyrën sepse unë personalisht si rahovecas nuk e kam trajtuar këtë temë në librat i mia.
Autori i librit, William Spenser Peters, thotë në fjalën e vet se fjala e vetme që mund të them rreth qëndrimit tim në Rahovec është…Êmbëlsi. Prania në Festival më ka mundësuar që në përpjekjet e ma modeste të kap dhe përkujtoj bukurinë në vendin e bukur. Jam në veçanti mirënjohës vëllait tim, Fahredin Shehut, për organizimin e kësaj ngjarje madhështore, me çka duhet të mburet Rahoveci por edhe Kosova.
Ndërkaq në orët e pasdites, në ambientin e bukur të Teqes të Tarikatit Rufai në Rahovec, u promovua libri ” Prijësit fetar për çështjen kombëtare” të autorit Faton Mehmetaj, për çka panelisti Rrahman Paqarizi thotë se ky libër është një vepër kapitale dhe unike deri më sot në Kosovë, ku janë pasqyruar kontributet e prijësve fetar të të gjitha konfesioneve në çështjen kombëtare shqiptare.
Dita e dytë e festivalit ka vazhduar me prezantimin e opusit letrar të shkrimtarit dhe poetit Adem Gashit, ndërkaq në orët e mbrëmjes do të vazhdohet me maratonën poetike në parkun e qytetit.